Home / Ekonomia / Parashikimet: Ekonomia botërore, rritje më të ngadaltë

Parashikimet: Ekonomia botërore, rritje më të ngadaltë

Rritja e ekonomisë botërore, këtë vit do të jetë më e ngadaltë nga sa mendohej, ndërsa përmirësimi do të mund të fillojë vetëm në 2016-n, në rast se do të ketë investime.

Në raportin e saj të fundit, të publikuar në Paris, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik uli parashikimet e rritjes për ekonomi të mëdha, si Shtetet e Bashkuara, Japonia e Kanadaja, ndërsa projektimet e shohin më pozitivisht ekonominë kineze, e cila në çdo rast do të ecë më ngadalë se vitin e kaluar, me 6.8 për qind rritje këtë vit krahasuar me 7.4 që ishte në 2014-n.

Sipas sekretarit të Përgjithshëm të OECD-së, Angel Gurria, procesi i rimëkëmbjes nga kriza më e rëndë ekonomike në disa dekada ka qenë i ngadaltë.

“Më pak investime dhe më pak konsum ndër vite e kanë ngadalësuar rritjen e mundshme ekonomike, që ka pakësuar perspektivën e investimeve nga kompanitë dhe atë të punësimit për qytetarët tanë”, deklaroi Gurria.

Rritja ekonomike e zonës së euros pritet të marrë një shtysë të lehtë këtë vit, zhvillim ky që pjesërisht u detyrohet politikave monetare të Bankës Qendrore Europiane.

E domosdoshme do të jetë megjithatë, sipas OECD-së, të kapërcehen mosmarrëveshjet lidhur me pagesat e borxhit të Greqisë, të cilat kanë ngjallur shqetësime të mëdha.

Në thelb, raporti përcillte si mesazh kryesor nevojën për më shumë investime. Nëse kjo ndodh, – tha Gurria, – atëherë në vitin 2016 rritja ekonomike botërore do të fuqizohet, duke shënuar daljen përfundimtare nga kriza e rëndë e vitit 2008.

Leave a Reply

%d bloggers like this: