Home / Teknologji / E gjithë jeta jonë është një iluzion

E gjithë jeta jonë është një iluzion

E shprehur në mënyrë filozofike, kufiri mes botës, asaj që shohim dhe ndërgjegjes sonë subjektive është i paqartë, i turbullt. E thënë në terma të fizikës kuantike, jeta jonë është një iluzion, nuk ekziston nëse ne nuk shohim atë që na rrethon.

Duket e çuditshme, por jo për një grup shkencëtarësh australianë, që prej kohësh kanë përveshur mëngët për “të vërtetuar” që nuk ekzistojmë.

Shkencëtarët e Universitetit Kombëtar Australian vështruan atomet dhe fotonet (grimcat e dritës). Ata zbatuan eksperimentin e njohur si John Wheeler, ose ndryshe “zgjedhja e sforcuar”.

Eksperimenti përfshin një objekt në lëvizje (atom) që i jepet mundësia për të zgjedhur për t’u sjellë si një grimcë ose si një valë. Shkencëtarët u munduan t’i japin përgjigje pyetjes së në cilën fazë të lëvizjes vendoste objekti.

Sipas shkencëtarëve, ajo që vendoste nëse objekti sillej si grimcë apo si valë, nuk ishte vetë objekti, por mënyra e matjes dhe e vëzhgimit të tij. Teoria kuantike parashikon se sjellja si valë apo si grimcë varet vetëm nga mënyra si e mat objektin në fund të udhëtimit, dhe jo nga vetë sjellja e objektit. Këtë pretendon se ka vërtetuar grupi i shkencëtarëve australianë.

“Kjo provon se matja është gjithçka. Në nivelin kuantik realiteti nuk ekziston, nëse nuk e sheh apo nuk e mat atë”, deklaron Andrew Truscott, profesor i Universitetit Kombëtar Australian dhe pjesë e grupit të shkencëtarëve që morën pjesë në hulumtim.

Në dukje është një përfundim i çuditshëm, por me rëndësi, sepse provon rëndësinë e teorisë së kuantikës, që merret me studimin e grimcave mikroskopike, dhe që falë së cilës janë zhvilluar një sërë produktesh teknologjike sot, si LED, lazerat dhe qarqet kompjuterike.

Leave a Reply

Your email address will not be published.