Politika

Dzanashvili: Kam zhvilluar biznes normal e të ligjshëm në Shqipëri

Amiran Dzanashvili, biznesmeni i akuzuar nga opozita si financues i fushatës elektorale të Partisë Socialiste në vitin 2013, me para të dyshimta, ka mohuar në një reagim për mediat të gjitha akuzat, duke theksuar se është vetëm një investitor serioz që ka hapur vetëm biznese të ligjshme në vendin tonë.

“Jam informuar nga avokati im në Shqipëri, se media po shkruan dhe flet për mua dhe bizneset e mia në shumë raste. Një diskutim negativ ka filluar, ndërsa në mënyrë të padrejtë e të paligjshme akuzohem për sjellje kriminale. Zoti Berisha gjithashtu ka shkruar sot për mua, duke deklaruar në mënyrë të pavërtetë se unë paskam financuar fushatën elektorale të Edi Ramës në vitin 2013’, thekson Dzanashvili në deklaratën e tij.
“Më vjen shumë keq që emri dhe bizneset e mia janë përdorur për qëllime politike gjatë një fushate politike në Shqipëri. Më vjen keq që institucione të pavarura janë përdorur politikisht për të hedhur baltë mbi emrin dhe bizneset e mia. Mund të deklaroj se kam zhvilluar biznes të ligjshëm në Shqipëri. Kam blerë kompaninë “Xhoilloto” me ortakun tim Ofer Nimrodi, dhe kam investuar në biznesin e naftës, tregtisë dhe shitjeve me pakicë në Shqipëri. Kam investuar, por ende nuk ka siguruar të ardhura prej tyre”, thekson Dzanashvili.

“Jam takuar me Sali Berishën në Shqipëri dhe në Izrael. Jam takuar me Edi Ramën në Shqipëri dhe Izrael. Jam takuar me Ilir Metën në Shqipëri dhe në Izrael. I kam ndihmuar ata dhe Shqipërinë duke sjellë investitorë të huaj në këtë vend. Unë jam një mik i Shqipërisë dhe një investitor i huaj shumë serioz”.

“Është e vërtetë që kam blerë 50% të aksioneve të “Xhoilloto-s” nga Mark Frroku, që personalisht më është dukur një biznesmen normal, kur u takova me të shumë vite më parë. Mark Frrokun s’e kam takuar, apo njohur kurrë më parë dhe nuk di asgjë lidhur me jetën, apo aktivitetin e tij kriminal në të shkuarën. Unë s’kam bërë kurrë biznes me të, përveçse kam blerë aksionet e tij në një kompani shqiptare, ku kam investuar. Mark Frroku nuk është as miku im dhe as ortak në ndonjë biznes”, shprehet Dzanashvili.

“Do çoj në gjykatë çdo politikan, apo media, që në mënyrë të paligjshme do më sulmojë mua dhe bizneset e mia. Këto sulme janë të turpshme dhe të dëmshme për mua, por edhe për Shqipërinë. Ju s’mund të përparoni pa investimet e huaja, por duhet të mësoni të respektoni investitorët e huaj. Sot unë jam në Londër, duke biseduar me një biznesmen shumë të respektuar për hapjen e një universiteti privat dhe prestigjioz në Tiranë., ka pohuar biznesmeni Amiran Dzanashvili.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi të enjten në Kuvend se bashkëshortja e kandidatit të maxhorancës për bashkinë e Tiranës, Erjon Veliaj, është përfaqësuese ligjore e kompanisë, me pronar gjeorgjianin Amiran Dzanashvilin (i arrestuar së fundmi për prostitucion në Rumani) dhe i hetuar në Shqipëri për pastrim parash dhe evazion fiskal.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button