Libri

Colombia nuk ishte një burrë …

Feministet e para shqiptare / Historitë e pesë publicisteve të viteve ’30-’40, Ollga Pllumbi, Musine Kokalari, Selfixhe Ciu, Mila Prela, Afërdita Asllani, të cilat shkruan fillimisht nën pseudonime duke ngritur dyshime se çfarë fshihej pas emrave të zgjedhur prej tyre

“Do të ikësh?”, i tha Afërdita. “Pak kohë, do të takohemi shpejt …”. Vite më pas Afërdita Asllani nuk kishte humbur asnjë detaj të këtij momenti nga kujtesa. Me dorën që vendoste shpesh në faqe kujtonte puthjen që ai i dha ashtu nxitimthi për t’iu bashkuar luftës.

E ulur në karrige, me bërrylat e mbështetur në tavolinë, përpara filxhanit të kafesë ajo i tregonte mikeshës së saj, Drita Siliqit, historinë e vetme të dashurisë. Ai quhej M dhe vetëm pak javë nga ky takim do të humbte jetën në luftë. Këtë dhembje Afërdita nuk e harroi asnjëherë, aq sa kur lufta mbaroi, zgjodhi të jetonte e vetme, për ta prishur qetësinë vetëm përmes shkrimit. Në Shqipërinë e viteve ’30-’40, Afërdita Asllani, apo ashtu siç njihej përmes shkrimeve me pseudonimin Afras, ishte vetëm një nga pesë femrat që kishin nisur të shfaqeshin në shtypin e kohës, duke “trazuar” qetësinë e burrave. Me pikëpamje përparimtare për kohën, në shkrimet e tyre ato ishin liberale, aq sa kërkonin me ngulm barazinë mes burrit dhe gruas. Është interesante të shohësh që ndërsa Shqipëria ka ndenjur e mënjanuar nga lëvizjet feministe, për shkak të sistemit komunist që u instalua në vend, këto lëvizje kanë ekzistuar herët dhe shihen qartë në shkrimet e këtyre femrave. Drita Siliqi, një tjetër publiciste e lidhur fort me letërsinë, i ka kushtuar një studim femrës shqiptare mes rilindjes dhe pavarësisë. Teksa bën një hulumtim me vlera mbi historinë tonë, ajo ndalet te pesë personazhe, jeta e të cilave është po aq interesante sa ato që kanë shkruar. Janë pesë femra, mes të cilave dhe Musine Kokalari, të cilat kanë lënë pas një trashëgimi të çmuar në publicistikë dhe kanë qenë të parat që kanë ngritur zërin për lirinë e femrave. Shkrime që teksa i lexon sot, nuk ndryshojnë shumë nga ato që Virginia Wolf shkruante në Londrën e shekullit XIX. Femra që zgjodhën të shkruanin me pseudonime, për të fshehur ndrojtjen ndaj paragjykimeve maskiliste apo të shoqërisë. Paragjykimet shkojnë deri në nivele shkrimtarësh e publicistësh, siç është rasti i Gjergj Bubanit, i cili i kushton një poezi dyshuese vajzës me pseudonimin Colombia (Selfixhe Ciut). “O ti, që porsi ndonjë lule e vetëm / Predverë don të bësh në shpirtin tonë /

O ti, që të kërkuam e stë gjetëm / dhe s’dimë në je burrë, ose kokonë …”, shkruan ai në strofën e parë të vjershës botuar në gazetën “Drita” në janar të 1937-s kushtuar Colombisë. Vjersha shoqërohet me shënimin e redaksisë se “dikush paraqitet si femër, por s’është çudi të jetë mashkull i fshehur prapa këtij pseudonimi, boton prozë dhe poezi nëpër fletore dhe revistat tona”. Dalja e firmave të grave në shtypin e kohës ishte një dukuri jo e zakonshme për shoqërinë shqiptare. Në gazetën “Drita” të 16 korrikut 1937, i bëhet jehonë një libri të botuar në Amerikë nga vajza shqiptare Nexhmije Zajmi. Është një biografi e letrarizuar me titullin “Bija e shqipes”. Shkrimi shoqërohet me një shënim të redaksisë: “Jemi të sigurt se Nexhmije Zaimi nuk është veçse në fantazinë e gazetarit amerikan, i cili duket se në këtë mënyrë do t’i bëjë reklamë ndonjë romance që ka ndërmend ta botojë”. Menjëherë pas kësaj vjen përgënjeshtrimi i kolegeve të Nexhmijes që e vërtetojnë qenien e saj. “Në vitet ’30 u vu re një hyrje e vrullshme e të rejave intelektuale shqiptare në fushën e publicistikës, të cilat e thyen ndrojtjen dhe të përgatitura për të përballuar opinionin shprehën mendimet e tyre për probleme të ndryshme shoqërore. Ollga Pllumbi, Musine Kokalari, Selfixhe Ciu, Mila Prela, Afërdita Asllani, pesë publiciste me personalitet të spikatur, që kanë shumë gjëra të përbashkëta, por që secila ruan stilin dhe individualitetin e saj”, shkruan Drita Siliqi. Me aftësinë që ka një grua për të njohur një grua tjetër, Siliqi ka lënë pas me këtë studim kontribut për të njohur këto pena, zëri i të cilave për gati gjysmë shekulli nuk u dëgjua. Ajo çfarë i bashkon këto personazhe nuk janë vetëm pasioni për shkrimin, bërja bashkë për çështje të ndjeshme të gruas dhe shoqërisë, por dhe angazhimi në Luftën Nacionalçlirimtare. Ato besuan te lufta, por jo tek ajo çfarë ndodhi më pas. Musine Kokalari pati ndoshta fatin më të trishtë nga të tjerat, por dhe ato nuk mundën të bënin jetën që do të donin ta bënin. Selfixhe Ciu u internua, Olga Pllumbi do të mënjanohej nga aktiviteti politik e shoqëror, po kështu dhe të tjerat. Shkrimet e tyre nuk janë vetëm publicistikë, por dhe përpjekjet e para letrare që mund të kishin sjellë një letërsi të mirë më vonë nëse fati i tyre do të kishte qenë ndryshe. Është e trishtë të shohësh sesi historia është sjellë me këto femra, që mbartin brenda tyre kaq energji dhe mençuri femërore që mund t’i kishte shërbyer shumë vendit.

Në vitin 1937, Selfixhe Ciu, vajza me sytë e thellë të zi, dhe flokët e derdhur nën qafë, shëtiste në Firence. Njohja me letërsinë kishte nisur që gjatë kohës së shkollës së vajzave Urani Rumbos në Gjirokastër, duke grishur tek ajo dëshirën për të parë përtej. Firencja e asaj periudhe do ta shtonte më shumë pasionin për shkrimin te vajza që kishte nisur të shkruante që në moshën 17-vjeçare, duke zgjedhur një pseudonim interesant, Colombia. Poezinë e parë do ta botonte në revistën “Populli” më 28 nëntor 1935. Ky shkrim do të ndiqej nga shumë të tjerë të botuar në revistat “Bota e re”, “Diana”, “Java”, “Drita”, “Shtypi”. Shkrimet e një femre nuk ishin diçka e zakonshme në Shqipërinë e atyre viteve, por ngjalli dhe shpresë te letrarët e rinj. Vetë Selfixheja do të shkruante në kujtimet e saj se “shkruanim tepër të ndrojtura”, duke i quajtur skicat e para gati “si ditarë të rrëfimit të vetvetes”, po që ishin pasqyrë e shpirtit të saj të trazuar. Shumë shpejt Colombia do të njihet në rrethet letrare dhe shkrimet e saj do të ndiqeshin me kureshtje. Aq sa në shtator të vitit 1937, publicisti F. Llagami në revistën “Java” në rubrikën “Nga romani ‘Pse’ në ‘Sikur të isha djalë’ deri te Colombia”, jo vetëm pranon qenien dhe talentin e saj si shkrimtare, por vlerëson dhe rolin e saj në letërsi. Shkrimet e Selfixhesë nuk janë vetëm të ndjera, por dhe një shuplakë ndaj realitetit që e rrethonte. “Kombi ynë ka shumë mungesa, prandaj vajzat intelektuale nuk lypset të rrinë kaq indiferente, por të marrin pjesë në evolucionin e shpejtë të kombit tonë”, shkruan ajo. Në revistën “Bota e re” zëri i saj do të ngrihet në mbrojtje të lirisë së femrave. Në shkrimin e parë botuar në këtë revistë më 16 shtator 1936, ajo e sheh femrën si një krijesë të shtypur, “viktimë e përbuzjes dhe e shtypjes superiore të burrit”. Duke përfaqësuar të rejat më të përparuara të kohës, ka besim se me luftë do të fitojnë të drejtat e mohuara “krah për krah me të rinjtë dinamikë” për të çliruar një varg të pambaruar të burgosurash që presin lirinë e dëshiruar”. Mikeshë e ngushtë me Musine Kokalarin, dy vajzat nuk ndanë mes tyre veç vargjet për dashurinë dhe burrat, por dhe përpjekjet për emancipimin e çlirimin e vendit. Në kujtimet e saj ajo tregon se sa herë ndaheshin nga njëra-tjetra uleshin dhe shkruanin, për t’i dërguar më pas shkrimet në gazetën “Shtypi”. Jeta e Selfixhesë nuk do të ishte ajo për të cilën kishte kontribuar pas Luftës. Bashkë me familjen, ajo do të internohet, por kjo nuk mundi të shuante atë shpirtin e ndjerë të gruas që ka të njëjtin vështrim përtej fotove sot. Libri i parë i saj ishte një përmbledhje me poezi për fëmijë “Lule më lule” (1958). Ndërsa pas viteve ’90, ajo ulet e shkruan kujtimet, që sot janë një dëshmi e bukur e një jete jo të zakontë. Në të gjejmë jo vetëm lëvizjet e feminizmit në Shqipëri, por dhe fillesat e prozës femërore, dhe një anë tjetër të Luftës Nacional Çlirimtare, përmes njerëzve që e besuan atë.

“Në çdo vend të botës, derisa gruaja vetë nuk ka ngritur zërin kundër padrejtësive që i janë bërë, nuk ka qenë e mundur të fitojë kurrë. Pra më duket se shpëtimin duhet ta presim vetëm prej vajzës, gjithë vështrimet tona duhet t’i kthejmë nga ajo”. Ollga Pllumbi, ose Shpresa, ashtu siç ajo i nënshkruante shkrimet e saj, i shkruante këto rreshta në Shqipërinë e vitit 1937. Vajza nga Përmeti, e cila shumë shpejt do të mbetej e ve, pas vdekjes së bashkëshortit, do të zgjidhte shkrimin si përballje me jetën. Kur Tirana nuk i mjaftoi për të përmbushur nevojat e saj financiare, ajo udhëtoi nëpër Europë për të mbajtur familjen. Pas kthimit në atdhe, ajo bëhet pjesë e lëvizjes antifashiste, duke u zgjedhur dhe kryetare e Këshillit të Gruas Antifashiste të Tiranës. Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 ajo u zgjodh deputete në legjislacionin e parë të Kuvendit Popullor. Por kaq do të ndriste ylli i fatit për Ollgën, e cila më pas do të shkarkohej nga detyra, duke u mënjanuar nga ajo forcë politike ku kishte besuar. Por ne sot duam ta shohim Ollgën përmes shkrimeve që ka lënë pas, shkrime tepër përparimtare, teksa i lexon edhe sot. Duket se lëvizjet feministe dhe pse s’janë pranuar asnjëherë që kanë ndodhur në vend, kanë qenë aq të pranishme në shkrimet e kësaj gruaje. Një artikull i Ollgës mban titullin “Feminizmi dhe shoqëria”. Ja çfarë shkruan ajo: “Nuk do të jemi të denjë të qytetërimit dhe përparimit, por të vazhdojmë të admirojmë tipet e asaj familjeje, ku ekziston Zot dhe skllave, me burrin që ka të drejtë në jetë dhe në zhvillim me gruan që është e destinuar të kufizojë aktivitetin e saj vetëm në kuzhinë”. Ajo vazhdon më tej duke shkruar se “Familja që mbahet me të tilla lidhje është shumë larg nga qëllimi njerëzor për të cilin ajo është krijuar”. Janë mjaft shkrime të Ollgës në revistën “Gruaja shqiptare” nën pseudonimin “Zita”.

Afërdita Asllani, është një tjetër personazh interesant që zgjodhi pseudonimin Afras për të firmosur shkrimet e saj. Dikur ajo pat qenë frymëzim, gjatë kohës kur punonte në fshat si mësuese për shkrimtarin Sterjo Spasse, i cili shkruante për një Afërditë. Më 25 janar 1936 në gazetën “Ilyria” ajo boton shkrimin “Emancipimi i gruas shqiptare” me pseudonimin Afras. Kishte vetëm pak kohë që ishte vendosur për të jetuar në Tiranë, ku sillte një tablo të trishtë të gruas në vend. “Gjendja e gruas sonë, e gruas që përbën shumicën e popullit, na paraqet një nga problemet më me rëndësi për mundësinë e qytetërimit tonë të vështirë”, shkruante ajo. E nisur nga përvoja e vet nga jeta në fshat, ajo kërkon të aktivizohen grupe grash për t’u interesuar për njëra-tjetrën. “Në qoftë se kjo flakë do mund të marrë fuqi, përfundimet sigurisht do të jenë me rëndësi për përparimin tonë”. Në rrugën për emancipimin e gruas shqiptare, ajo kërkon të luftohet sa mendimi konservator, po aq edhe modernizmi i gabuar, emancipimi i përciptë (të heqim ferexhenë, për të vënë kapelen). Për të arritur këtë ajo gjykon se puna duhet të fillojë në familje “për të edukuar një brez të ri të qytetëruar, që të sillet drita e përparimit edhe ndër shtëpitë më të errëta, ku mizerja, injoranca, mbajnë njerëzit në një nivel jo më të lartë se të kafshëve”.

Mila Vangjeli-Prela

Mila Prela shkroi pothuajse në çdo numër të revistës “Bota e re” të Korçës. Ajo çfarë i bashkonte shkrimet e saj ishin problemet e femrës. Cila është situata e femrës shqiptare, cilat janë hallet e saj? – shkruante ajo. “Femra nuk mund të përparojë kurrë në qoftë se vazhdon të mbetet brenda katër mureve të shtëpisë. Është e domosdoshme që kjo të përpiqet të marrë pjesë në lëvizjet e ndryshme të shoqërisë ku jeton”. Këtë gjë Mila e kërkonte në një kohë kur në Shqipëri, një pakicë e grave e shihnin lirisht dritën e diellit, sepse pjesa më e madhe ishin të mbuluara. Vizionet e Milës në atë kohë janë tepër bashkëkohore. Si qenie e lirë, gruaja duhet të trajtohet barabartë me burrin nga ligji dhe nga opinioni publik, dhe të fitojë po ato të drejta që gëzon dhe burri. Sipas saj, qëllimet e gruas s’duhet të përmblidhen vetëm e kryesisht në realizimin e detyrave familjare. Sa kohë që gruaja të mos kuptojë se edhe ajo është një njeri si të tjerët, e lirë të gëzojë të drejtat njerëzore, e pavarur ekonomikisht, e zonja të përballojë jetën pa ndihmën e burrit, ajo do të jetë gjithmonë fatkeqe. “Kush ka veshë për të dëgjuar le të dëgjojë”, thërret Mila Prela.

Musine Kokalari-Muza

Musine Kokalari kishte nisur të shkruante para se të udhëtonte drejt Romës për të studiuar letërsi. Bashkë me mikeshën e saj Selfixhenë, ato kishin nisur bashkëpunimin me gazetën “Shtypi”. Petro Marko ishte ai që e pagëzon me pseudonimin “Muza”, dhe e aktivizon në rubrikën “Frymëzime”. Shkrimet e saj të para janë tepër poetike, dhe tregojnë ndjesitë e një vajze të re ndaj familjes, shoqërisë apo dashurive të pata. Vajza që do të kishte ndoshta fatin më të hidhur nga katër mikeshat e tjera kishte nisur të mendonte për të shkruar një roman. Në vitin 1943, ajo boton kryeartikullin në revistën “Gruaja shqiptare” me titullin “Dy fjalë” dhe novelën “Hija e djalit”. Në këtë shkrim ajo jep pikëpamjet e saj politike si një social-demokrate që është tërësisht për luftën antifashiste me forca të bashkuara dhe që ëndërron të vendoset pas lufte një regjim demokratik. I drejtohet në këtë shkrim dhe femrave shqiptare: “Të jemi një! Është e mira e vendit. Jemi të gjithë motra, pra jemi të pandara në këtë ditë të mjerimit, për të qenë të bashkuara dhe nesër. Malet janë mbushur me djemtë tanë. Ca luftojnë sot, ca do të luftojnë nesër!”, shkruante ajo. Fjalia e fundit e shkrimit do t’i bënte përshtypje e nuk do t’i pëlqente shumë Enver Hoxhës, sipas kujtimeve të Afërdita Asllanit që në atë kohë punonte në redaksi. Në vitin 1939, ende studente, ajo boton librin e parë “Siç më thotë nënua plakë”. Lasgush Poradeci do ta quante librin “një krijim origjinal”. Më 1944, ajo botoi librin “Rreth vatrës”, dhe në fund të këtij viti librin “Sa u tund jeta”. Kritike ndaj gjendjes së gruas në vend, ajo e quante martesën në atë kohë “tregti”. “Martesa është tregti për të dy palët. Dy të rinj që nuk njihen, nuk shihen, një ditë bashkohen se ashtu është gjendur dhe njëri s’ka mbetur pa u martuar”, shkruan ajo. Shkrimet e saj lexohen ende sot, si një rrëfim për të shkuarën dhe fatin e hidhur të një gruaje që ndoshta do të kishte shkruar gjatë…

O ti, që porsi ndonjë lule e vetëm

Prendverë don të bësh në shpirtin tonë

O ti, që të kërkuam po s’të gjetëm

Dhe s’dimë në je burrë, ose kokonë

Në je me të vërtetë e seksit tjetër

Mos u mbulo si ndonjë hanko e vjetër,

Por dil në shesh moj motër jetë-gjatë

Dhe shpallu fare fora të të shohim,

Flake atje-tej zakon e vjetëruar

Dhe eja të na njohësh e të njohim

Në rast se nuk je shumë e …shëmtuar…

Gjergj Bubani, për “Colombinë”, botuar më gazetën “Drita”, janar 1937

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button