Maqedonia

Lëvizja BESA fton shqiptarët në protestë

Lëvizja politike BESA fton shqiptarët e Maqedonisë t’i bashkohen në numër sa më të madh marshit protestues, që do të organizojë ky subjekt më 13 qershor, kundër pozitës nënçmuese në të cilën ndodhen shqiptarët.

Në këtë protestë do të kërkohet dorëheqja e qeverisë për shkak të – siç thuhet – politikave antishqiptare, dështimit të pushtetit në procesin e integrimit dhe përfshirjes së zyrtarëve të lartë shtetërorë në skandale të shumta.

“Do të kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë Gruevski-Ahmeti, sepse kjo qeveri e ka politizuar shtetin, i ka keqpërdorur institucionet, ka dështuar në rrugën e integrimit dhe është antishqiptare në thelb. Do të kërkojmë hetimin dhe ndëshkimin e të gjithë krimeve të politikanëve të inkriminuar”, tha Bilal Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.

Nga lideri i opozitës maqedonas, Zoran Zaev, organizatorët e marshit protestues do të kërkojnë të publikojë të gjitha materialet e përgjuara që posedon, dhe që kanë të bëjnë me shqiptarët.

“Do të kërkojmë, që Zaev t’i publikojë të gjitha materialet, që kanë të bëjnë me të vërtetat për shqiptarët, e veçmas ato që kanë të bëjnë me rastet e montuara, siç është ‘Monstra’. Ndryshe do ta konsiderojmë atë pjesëmarrëse në fshehjen e krimeve”, tha Kasami.

Drejtuesit e lëvizjes BESA kërkojnë marrëveshje të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve, për ta përshkruar Maqedoninë, si një shtet i përbashkët konsensual. Ata kanë ftuar edhe subjektet e tjera jashtë Parlamentit, organizatat  joqeveritare dhe intelektualët shqiptarë, që t’i bashkëngjiten protestës.

Marshimin e tyre, qytetarët do ta nisin nga lagja “Çair” e Shkupit, për të ndaluar para selisë së qeverisë, ku është planifikuar të shpalosen kërkesat e organizatorëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button