Rajoni

Tensione në Maqedoni, sulmohet me gurë selia e BDI-së, mediat: Pati thirrje islamike

Një grup prej dhjetëra të rinjsh shqiptarë protestuan përsëri sot, duke e bllokuar rrugën kryesore para xhamisë së Jahja Pashës në Shkup dhe duke marshuar drejt komunës së Çairit, rreth një kilometër më në veri. 

Atje, ata u përleshën me policinë dhe hodhën gurë në ndërtesën e komunës. Policia i shpërndau protestuesit me anë të bombave paralizuese. Protestat e dhunshme dje kanë nxitur reagimin e komunitetit ndërkombëtar. 

Ambasada Amerikane, Zyra e Bashkimit Evropian, misionet e Natos dhe të OSBE-së në Shkup, përmes një komunikate të përbashkët theksojnë të drejtën për të protestuar në mënyrë të qetë dhe dënojnë sjelljet e dhunshme. Diplomatët perëndimorë bëjnë thirrje për dialog midis qytetarëve dhe politikanëve që do të rezultonte në qetësimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend. Edhe partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, objekt i ofendimeve dhe kritikave nga një numër i konsiderueshëm protestuesish, bëri thirrje për shmangien e dhunës. 

Protestat shpërthyen pesë ditë pas vendimit të Gjykatës Themelore në Shkup, që shpalli fajtorë dhe dënoi me burg të përjetshëm gjashtë shqiptarë të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve dy vjet më parë. 

PROTESTUESIT SULMOJNË ME GURË SELINË E BDI-së protesta ne shkup
Në ditën e dytë të protestave në Shkup, ka pasur pjesëmarrje më të ulët. Gjatë orëve të pasdites protestuesit kanë goditur me gurë selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Çair dhe Komunën e Çairit. 
Të rinjtë kanë bllokuar rrugët në zonën e Çairçanjës dhe më pas janë nisur drejt Komunës së Çairit, ku janë përplasur me policinë. 

Mësohet se policia ka përdorur edhe sot granatat tronditëse, për të shpërndarë protestuesit. Ndërkohë në të gjitha rrugët e Shkupit, kryesisht para institucioneve shtetërore, vërehet prani e shtuar e forcave speciale policore. 

Përfaqësuesit politikë shqiptarë edhe gjatë ditës së shtunë kanë hezituar të deklarohen para mediave, duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe komunikatat. 

BDI: TË GJITHA PALËT TË PËRMBAHEN NGA DHUNA
BDI-ja, e cila është pjesë e Qeverisë së Maqedonisë, përmes një komunikate me shkrim, duke shprehur shqetësimin për zhvillimet e së premtes, ka bërë thirrje te të gjitha palët e përfshira që të përmbahen maksimalisht nga dhuna. BDI thekson se ngjarjet si ato të së premtes nuk i ndihmojnë as procesit, as të dënuarve, as familjarëve, por as atyre që po bëjnë përpjekje që të kontribuojnë me qasje institucionale në zgjidhjen e këtij rasti shumë të ndërlikuar. 

“Dhuna e së premtes në rrugët e Shkupit, na e vështirëson angazhimin e mëtejmë në drejtim të zbardhjes së të vërtetës deri në përfundim të të gjitha procedurave ligjore që përfshijnë Gjykatën e Apelit, atë Supreme, por edhe Gjykatën e Strasburgut”, – theksohet më tej në komunikatë, duke nënvizuar se Bashkimi Demokratik për Integrim si parti mbetet e angazhuar maksimalisht për ndriçimin e plotë të rastit. 

Bashkimi Demokratik për Integrim bën të ditur se ka zhvilluar takime të shpeshta me familjarët e të dyshuarve dhe avokatët mbrojtjes, duke i qetësuar ata se vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përfundimtar. 

MEDIAT: MORI NGJYRIME FETARE, PËR SHKAK TË THIRRJEVE ISLAMIKEprotesta
Mediat shqiptare dhe të huaja raportojnë se një ditë më parë, protesta në Shkup mori ngjyrime fetare për shkak të thirrjeve islamike dhe mbajtjes së flamujve të Palestinës dhe Hamasit. Këto media citojnë zyrtarë në Tiranë dhe Prishtine, të cilët shprehin shqetësimin se në këtë mënyrë protestat devijojnë nga problematikat reale të shqiptarëve të Maqedonisë. 

Tirana dhe Prishtina zyrtare kanë shprehur kritika ndaj protestës së të premtes në Shkup, e cila ka marrë ngjyrime fetare, sesa etnike dhe kombëtare të shqiptarëve. 

Një zyrtar i lartë i Qeverisë Shqiptare i tha agjencisë së lajmeve INA se përshëndesin format e tilla të shprehjes së protestës dhe revoltës përmes protestave demokratike, por jo inflirtimi i elementeve fetare. 

“Problemet e shqiptarëve në Maqedoni janë të karakterit etnik dhe politik, dhe s`ka hapësirë apo probleme fetare. Vetë mënyra e shprehjes së pakënaqësisë me thirrje fetare dhe flamuj fetar, krijon një konfuzion dhe devijon problematikat shqiptare që janë mëse reale, dhe kështu përfiton pala tjetër, duke e karakterizuar protestës si fetare dhe islamike”, deklaroi për agjencinë INA, zyrtari i lartë i Qeverisë shqiptare në Tiranë. 

Ndërkohë, pakënaqësi dhe reagime të njëjta janë shfaqur edhe në Prishtinë, ku është kritikuar forma e protestës dhe elementet e saj. 
Përmes rrjeteve sociale, shumica e shqiptarëve kanë shprehur kritika për formën dhe keqpërdorimin e protestës nga ana e disa elementeve dhe individëve me prapavijë fetare. 

Ndërkohë Euroneës thekson në kroniken e saj për këtë ngjarje se protestuesit mbanin në duar flamuj palestinez dhe të Hamasit, ndërsa mediat Maqedonase e lidhin protestën me çështjet fetare ndërsa nxjerrin në pah momentet kur protestuesit lëshojne thirrje “Allahu Ekber”. 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button