Maqedonia

Familjarët e “Monstrës”, të zhgënjyer nga Ali Ahmeti

Deklarata e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, me anë të së cilës shpreson që të mos vazhdohet me publikimin e bombave të LSDM-së, ka zhgënjyer edhe më tepër familjarët e të burgosurve të rastit “Monstra”, të cilët shpresonin se publikimi i materialeve për këtë rast nga ana e liderit të opozitës, Zoran Zaev, do ta zbardhte të vërtetën.

Bedri Hajdari, kryetar i Këshillit organizativ për rastit “Monstra”, tha për TV ERA, se BDI-ja asnjëherë nuk ka mbajtur një qëndrim të saktë lidhur me këtë rast, dhe se nuk ndjehen të kënaqur me indiferencën e tyre.

Ai theksoi se njerëzit e afërt me BDI-në, vetëm për të mos i humbur pozicionet që i kanë të kontraktuara me palët maqedonase, gjithmonë kanë pasur dëshirë që të fitojë pala maqedonase, karshi kurrizit të shqiptarëve.

“E kuptova se brengoset shumë me imazhin e shtetit, mirëpo ky shtet për shqiptarët nuk është shtet i cili kujdeset në mënyrë të barabartë për qytetarët si qytetarë të këtij shteti, por si qytetarë që janë të rendit të dytë apo të tretë. Unë kam parë njerëz që më tepër brengosen për një figurë shahu kur e humbin, se sa BDI-ja kur e humb një figurë shqiptare.”, shtoi më tej Hajdari.

Ai i bëri apel BDI-së, që të prononcohet publikisht për këtë rast dhe të njejtin ta vendos si pikë të parë të rendit të ditës, e të merret më seriozisht me këtë problematikë.

“Te rasti “Monstra” duhet të thyhet tabuja, se a janë shqiptarët terroristë apo nuk janë. Nuk është vetëm familja ime, i ke të gjitha rastet që po i përmendin, Sopotin, Monstrën, Brodecin, por edhe sa Mini Sopota, Mini Monstra, Mini Brodeca, kanë ndodhur gjatë gjithë kësaj kohe, prandaj mos të taktizojnë me rastin, le ta marrin seriozisht këtë punë, sepse një ditë do të plasë sherri dhe nuk do të durojmë më.”, tha Bedri Hajdari për TV ERA.

Mbrëmë në një emision, në televizionin 21, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se përgjimet kanë dëmtuar imazhin e shtetit. Ai sqaroi se sipas marrëveshjes së arritur nuk do të ketë më publikim të “bombave” deri më 10 qershor, por tha se shpreson që të mos publikohen edhe pas kësaj date.

Për rastin “Monstra”, 6 shqiptarë janë dënuar me burg të përjetshëm. Ata akuzohen për vrasjen e pesë maqedonasve në afërsi të liqenit të Smillkovës. Si provë e vetme e gjykatës për këtë vendim, është dëshmia e dëshmitarit të koduar “E1”. Rasti tani ndodhet tek gjykata e Apelit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button