Home / Bota / Erdogan nis fushatën për zgjedhjet presidenciale

Erdogan nis fushatën për zgjedhjet presidenciale

 Recep-Tayyip-Erdogan_7-525x350Kryeministri islamo-konservator, Recep Tayyip Erdogan, kandidat në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në muajin gusht, nisi dje fushatën e tij duke iu premtuar mbështetësve se do të ishte një president i pajisur me pushtet të fortë i aftë për ta drejtuar Turqinë drejt një fillimi të ri.

“Ne do të bëjmë hapin e parë drejt një fillimi të ri”, deklaroi Erdogan para një turme mbështetësish entuziastë gjatë mitingut të parë elektoral në Samsun.
Erdogan, i cili njoftoi më 1 korrik kandidaturën për zgjedhjet presidenciale u duartrokit nga mbështetësit e Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), të cilët mbanin në duar flamuj dhe parrulla të partisë.
Erdogan ka bërë një zgjedhje simbolike duke organizuar në Samsun mitingun e tij të parë elektoral sepse në këtë port në Detin e Zi, themeluesi i Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk ndërmori luftën për pavarësinë e Turqisë kundër fuqive të huaja në vitin 1919.
“Rreth 95 vjet më pas, ne e nisim fushatën për zgjedhjet presidenciale në Samsun, një hap i ri, për një Turqi të re”, theksoi kryeministri.
Kryeministri islamo-konservator, të cilin kundërshtarët e tij e akuzojnë se po kërkon të vendosë vlerat e tij fetare myslimane në dëm të regjimit laik, mbetet politikani me popullaritetin më të lartë dhe mendohet se do të fitojë që në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më 10 gusht.

Leave a Reply

%d bloggers like this: