Muzike

Shkëlzen Doli, koncert recital në Tiranë

Virtuozi shqiptar në Filarmoninë e Vjenës do të interpretojë më 13 qershor në Teatrin e Operës dhe Baletit

Kerni: Në një vit e gjysmë, TKOB ngjiti në skenë të gjithë artistët shqiptarë me famë botërore

Violinisti i njohur shqiptar, Shkëlzen Doli, do të vijë për herë të parë me një koncert recital më 13 qershor në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Vetë drejtori i TKOB-it, Ilir Kerni, e konfirmon prezencën e Dolit në Tiranë në faqen e tij në Facebook, ku foton e violinistit e shoqëron me shprehjen “Koha e TKOB”. Për Kernin, koncerti i Dolit shënjon dhe fundin e një sezoni të ngarkuar me aktivitete për Teatrin e Operës, por dhe një vit plot sfida për atë si drejtues, një prej të cilave ishte dhe futja e sistemit të kontratave në raport me artistët. Artisti do të interpretojë në violinë pjesë nga “Ouvertugënga, Opera le Nozze fi Figaro”, “Koncert për violinë nr. 5″ nga Mozart, “Simfonia Nr. 5″ nga Bethoven, “Baresha” nga Rexho Mulliqi, përpunuar në violinë dhe orkestër nga Gerti Druga. Violina e Dolit do të shoqërohet nga Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e dirigjentit Geoff Westley. Doli është anëtar i Orkestrës së Operës Shtetërore dhe Filarmonisë së Vjenës. Violina e tij do të emociononte çdo shqiptar disa muaj më parë, kur më 1 janar ai interpretoi “Shpirtin shqiptar” në Koncertin e Vjenës. Doli bëri pjesë të koncertit që ka numrin më të madh të shikueshmërisë, Kabatë e Laver Bariut, këngën “Hapi sytë e zezë të na sjellësh beharnë”. Katër minutat shqiptare do të sillnin momente të zgjedhura nga vallja e kënga e dasmës së Jugut. “Shpirti shqiptar” u interpretua nga Doli së bashku me violinçelistin Edison Pashko dhe klarinetistin Hekuran Xhambali. Por violina e Dolit do të mbetej gjatë në mendjen e gjithë atyre që ndoqën këtë koncert. Artisti erdhi në Shqipëri në fund të janarit për të interpretuar në koncertin e përvitshëm të “Tre tenorëve”, duke thënë se do të kthehej sërish. E katër muaj më vonë, ai vjen në një koncert për të përmbushur jo vetëm një dëshirë të tijën mbi skenën shqiptare, por edhe të publikut. I lindur në Gjakovë, Doli do të lidhej me violinën që në moshën 9-vjeçare. Në vitin 1995, ai bëhet pjesë e Orkestrës Filarmonike të Vjenës, për të nisur një karrierë që do ta bënte të njohur kudo në botë. Për drejtorin e Teatrit të Operës dhe Baletit, Ilir Kerni, koncerti i Dolit është mbyllja e një viti që e shndërroi skenën e Teatrit të Operës në një skenë ku interpretuan yjet e muzikës shqiptare në botë. “Shkëlzen Doli është një artist i rëndësishëm dhe i bën një nder TKOB me prezencën e tij”, thotë Kerni. Sipas tij, nëse bëhet një bilanc i artistëve me famë që kanë ardhur në TKOB këtë 1 vit e gjysmë, tregon për një kohë që nuk do të përsëritet më. “Këto rikthime ngjajnë me rikthimin e popujve në trojet e tyre … ose me entuziazmin e njerëzimit të pas Luftës së Dytë Botërore për të ndërtuar një jetë të bukur e të drejtë. Nuk duhet harruar se u punua me të njëjtin buxhet, i bindur se kishte vetëm një rrugë dhe ajo ishte thirrja e artisteve kudo ku ishin”, thotë Kerni. Artistët brenda dhe jashtë TKOB-it kanë bërë një teatër me kualitet europian duke dhënë shembullin se me punë e pasion artistëve u është kthyer vëmendja jo vetëm e publikut, por edhe e shtetit. Pas koncertit të Dolit, Teatri i Operës dhe Baletit do t’i nënshtrohet rikonstruksionit, që është një tjetër sfidë po aq e rëndësishme sa reforma për drejtorin Kerni.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button