Home / Keshilla / Strategjia: Si të shfrytëzoni ditën në maksimum

Strategjia: Si të shfrytëzoni ditën në maksimum

Të gjithëve u ndodh që të kalojnë një ditë jo fort të mirë e ndoshta me dëshpërim. Por edhe për këtë gjë ka një zgjidhje. “Zgjohuni” duke ndjekur këshillat e mëposhtme në mënyrë që ta shfrytëzoni çdo ditë të jetës suaj në maksimum…

Të gjithëve mbase ju ka ndodhur të kaloni një ditë jo fort të mirë. Për shembull, ka nga ato ditë kur nuk keni dëshirë të bëni asgjë, ku çdo gjë ju duket e kotë; ka nga ato ditë kur mërzia ju shoqëron gjithë kohës dhe trishtimi ju qëndron “pas shpine”. Dhe nëse e sotmja është një prej atyre ditëve, duhet të dini se ky është momenti për të ndryshuar situatën. Sepse një ditë është e përbërë nga 24 orë dhe çdo minutë e këtyre orëve duhet jetuar sa më mirë. Për të kuptuar se si mund të shfrytëzoni më mirë të sotmen (dhe ditë të tjera në vazhdim), më poshtë do të njiheni me disa këshilla të vogla, të cilat do t’ju bëjnë të ndiheni më alegro, të sigurt në vete dhe të qetë.

1) Vendosni objektiva

Punoni? Studioni? Duhet të merreni me shtëpinë? Çfarëdolloj gjëje që të bëni në jetë, do të keni me siguri çështje që duhet t’i mbaroni shpejt. Fillimisht vendosni se çfarë do të bëni: për shembull të dorëzoni dokumente të rëndësishme, të përfundoni së studiuari X kapitull, të bëni sistemimin e rrobave për sezonin e verës etj. Pra vendosini vetes këto objektiva në mënyrë të qartë dhe precize dhe sapo t’i arrini, do të ndiheni me siguri shumë të kënaqur me veten.

2) Lexoni

“Prisni” një hapësirë të kohës suaj dhe dedikojani atë të gjithë literaturave të preferuara: romancave, revistave, tregimeve komike, zhanreve policeskë …pra lexoni atë që ju jep më shumë kënaqësi dhe që e keni të preferuar. Nuk ka rëndësi nëse ato janë në letër apo në kompjuter, mjaft të lexoni sa më shumë, sepse fjala mbart domethënien e saj në çfarëdo formati. Nëse do t’i kushtoheni leximit, atëherë me siguri do të harroni një situatë stresuese. Leximi do t’ju ndihmojë që të relaksoheni dhe të futeni në botën e fantazisë.

3) Bëni ushtrime fizike

“Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë” -nuk ka thënie më të vërtetë se kjo! Ushtrimet fizike ndihmojnë në pasjen e një mendjeje më të mirë, të pastër dhe brilante. Gjeni kohë për të bërë një vrap të lehtë, një shëtitje në park, një xhiro me biçikletë…dhe nëse nuk mund të dilni, bëni ndonjë ushtrim nga shtëpia. Nëse do të bëni aktivitete sportive në mënyrë të rregullt, trupi dhe mendja do ta ndiejnë në maksimum pozitivitetin dhe madje për një kohë të gjatë.

4) Ndryshoni perspektivë!

Mos harroni se realiteti nuk ka një domethënie: jeni ju që ia jepni një të tillë. Nëse jeni me humor të keq, do ta interpretoni gjithçka që ndodh në mënyrë negative, kështu që…përse të mos ndryshoni perspektivë? Sforcohuni gjithmonë për të parë anën pozitive të gjërave dhe në këtë mënyrë, ditën do ta përballni me më shumë qetësi.

5) Hani shëndetshëm, por me shije

Nëse ndiqni ose jo një dietë, e rëndësishme është që të hani shëndetshëm çdo ditë. Tashmë dihet se frutat dhe perimet këshillohen ngado për t’u konsumuar sa më shumë, por nëse nuk i pëlqeni çfarë mund të bëni? Fare e thjeshtë: futuni në kuzhinë dhe filloni të sajoni diçka me gjërat që ju pëlqejnë më shumë dhe konsumojeni atë pa u ngopur. Është e rëndësishme që ta mësoni trupin dhe mendjen tuaj që të shijojë çdo lloj gatimi, por në sasi të kontrolluar. Do ta ndieni veten më të kënaqur dhe më të lumtur.

6) Pini shumë ujë

Përpiquni të mbani me vete gjithmonë një shishe ujë. Duhet të pini të paktën 2 litra ujë në ditë në mënyrë që trupi juaj të çlirohet nga toksinat, por edhe nga yndyrat e sidomos nga celuliti.

7) Informohuni për botën që ju rrethon

Lexoni gazetat, dëgjoni radion, shihnin televizorin…pra qëndroni të informuar! Do të jeni më të ndërgjegjshëm për atë se çka ju rrethon. Ndjekja e opinioneve kundërshtuese do t’ju ndihmojë të reflektoni më mirë për disa argumente determinante. Këndvështrimi i gjërave nga perspektiva të ndryshme do t’ju habisë, sepse ato janë aq të shumta sa që asnjëherë nuk iu kanë shkuar në mendje.

8) Kalojeni kohën me njerëzit që doni

Gjatë ditës tuaj gjeni kohë për ta kaluar edhe me njerëzit e dashur: miqtë, familjen, partnerin/partneren. Çdo sekondë e kaluar me ta do t’i bëjë shumë mirë mirëqenies suaj. Gjithmonë është e rëndësishme të qëndroni në shoqëri të mirë.

9) Rrethohuni nga njerëz pozitivë

Kini gjithmonë parasysh se personat pozitivë janë ata që ju ndihmojnë më shumë për të kaluar një jetë të lumtur, kështu që shmangni sa më shumë ata që janë negativë.

10) Kushtojuni kohë pasioneve

Në këtë periudhë “sociale”, ku gjithnjë e më shumë jeni të lidhur me botën virtuale, mund t’ju duket e pamundur që të qëndroni larg rrjeteve sociale dhe telefonit! Por ama duhet të dini se, përpara se të jeni mirë me të tjerët është e nevojshme që të jeni mirë me veten. Ndaj bëni diçka që ju pëlqen vërtet, diçka që ju kujton fëmijërinë: pikturat, lojërat e madje edhe gjumin. Shijoni botën reale dhe nëse është e nevojshme, fikni edhe celularin.

Burimi: Doctissimo

Leave a Reply

%d bloggers like this: