Libri

Khaled Hosseini tregon historinë e refugjatëve të Sirisë

Shkrimtari i njohur afgan dhe njëkohësisht autori i librit shumë të shitur “Gjuetari i Balonave”, ka vizituar kampet e refugjatëve sirianë në Jordani dhe tregon nga afër për dhimbjen njerëzore në zemrat e atyre që lanë shtëpitë për një jetë më të mirë…

Disa gjëra janë thjesht shumë të mëdha për t’u përballuar të gjitha njëherësh. Ngrini sytë nga qielli një natë, tek errësira e mbushur me miliona yje dhe përpiquni të shihni çdo gjë, të gjithë qiellin. Nuk mund të bëhet.

Më e mira që mund të bëni është të fiksoheni te një yll ose dy dhe të imagjinoni pafundësinë e parajsave përmes tyre. Ndonjëherë, çfarë nuk mund ta perceptoni si një të tërë, mund ta kuptoni përmes pjesëve.

E njëjta gjë mund të thuhet për vuajtjen njerëzore. Çfarë do të ndodhte nëse lexoni, për shembull, se më shumë se 220,000 sirianë janë vrarë që nga fillimi i luftës në vendin e tyre? Që 7.6 milionë janë zhvendosur brenda Sirisë, duke kaluar nga një qytet në tjetrin duke kërkuar siguri? Çfarë, nëse 3.9 milionë jetojnë si refugjatë në shtetet fqinje?

Këto janë shifra të rëndësishme. Por është e vështirë të imagjinohen miliona fytyra njëherësh. Numrat kanë veti t’i bëjnë ato të shkrihen, t’i kthejnë në një sfumaturë të tragjedisë njerëzore, në një fatkeqësi aq zvarritëse saqë na e bën të pamundur ta shohim vërtet.

Në fillim të majit, shkova në Jordani me UNHCR, Agjencinë e Refugjatëve të OKB, për t’u takuar me refugjatët sirianë. Çdo takim më kujtonte përsëri rolin e historive; përse ato ndonjëherë mund të jenë më të dobishme sesa numrat; përse na duhet për shembull, historia e Tom Joad për të kuptuar Depresionin e Madh. Një nga citimet e mia të preferuara mbi këtë temë është nga Rudyard Kipling, i cili tha: “Nëse historia do na mësohej në formën e tregimeve, nuk do ta harronim kurrë”.

Për këtë qëllim, ju prezantoj me Khalidan, një 70-vjeçare me mollëza të dala dhe me të qeshurën e një nxënëseje. Ajo është nga Damasku, ku, përpara luftës, ajo jetonte ëndrrën e një nëne siriane, e rrethuar me dashuri dhe mbështetje nga nëntë fëmijët e saj të rritur.

Por më pas shpërtheu lufta dhe Khalida mësoi se grupet e armatosura po i detyronin të rinjtë të luftonin për ta duke kërcënuar me vrasje dhe abuzim nënat e tyre. Ndaj ajo bëri një zgjedhje të dhimbshme dhe për mua të jashtëzakonshme. Ajo vendosi t’ua mohonte militantëve këtë zgjedhje. “Nuk doja të bëhesha arsyeja përse djemtë e mirë duhej të luftonin”, thotë ajo. “Ndaj u largova nga çdo gjë që kisha”.

Ajo la pas gjithçka. Tre vite më parë, ajo la fëmijët e saj, shtëpinë dhe qytetin. E vetme, analfabete dhe 67-vjeçare, Khalida u largua nga Siria dhe erdhi në Jordani.

Ajo jeton tani vetëm në periferi të Amanit, ku ka marrë me qira një garsoniere thuajse të zbrazët në fund të një kodre. Ajo është e detyruar të bëjë të gjitha gjërat që fëmijët e saj bënin për të në jetën e mëparshme: të gatuajë, të pastrojë, të lajë rrobat dhe të bëjë pazar.

Shpenzimi i saj më i madh është qiraja – megjithëse së shpejti ajo do të marrë ndihmë nga programi i UNHCR, një nismë që shënjestron refugjatët sirianë në gjendje më të keqe.

Çdo ditë, Khalida ngjit kodrën për të shkuar nga dhoma e saj me qira në rrugën kryesore mbi kodër. Ajo udhëton në Madaba, një udhëtim që kërkon një orë, dy makina të ndryshme me autostop dhe dy autobusë të ndryshëm, në mënyrë që të shkojë në qendrën e komunitetit ku ajo merr mësime shkrimi e këndimi së bashku me shumë sirianë të tjerë, të gjitha gra dhe vajza të reja.

Khalida është më e vjetra dhe ndoshta nxënësja më entuziaste, sepse për të shkrimi e këndimi është tani një aftësi mbijetese e domosdoshme. Ajo duhet të lexojë shenjat rrugore, destinacionet e autobusit, emrat e ilaçeve. Pavarësisht dridhjes në dorë, ajo ka mbushur blloqe të shumta shënimesh duke praktikuar shkronjat. “Kur më jepen dy faqe detyrë shtëpie, bëj katër”, – thotë ajo me krenari.

Khalidës i mungon Siria. Asaj i mungon shtëpia e saj dhe mbi të gjitha fëmijët e saj. Por ajo më thotë se do të preferonte të jetonte vetëm, edhe në këtë fazë, në një vend të huaj, sesa të kthehej në Siri dhe t’i vinte djemtë në rrezik.

Duke folur me të, m’u kujtua shprehja e famshme e Genghis Khan teksa shihte armikun e tij Jalal ad-Din teksa hidhej guximshëm në një lum mbi një kalë: “Çdo baba duhet të ketë një djalë të tillë”.

E admiroj vullnetin e Khalidës për të mbijetuar, madhësinë e vetësakrificës së saj, energjinë që përcjell. Në fakt, çdo djalë duhet të ketë një nënë të tillë.

Ndryshe nga Khalida, Adnan, 29 vjeç, është në kulmin e jetës ose në atë që duhej të ishte kulmi i jetës së tij. Miqësor, me flokë të zinj dhe një ish-inxhinier, ai po studionte për master në informatikë në Universitetin e Damaskut kur lufta filloi.

Pikat e kontrollit dhe burgosjet që trembën shumë persona e bënë të pamundur për të që të vazhdonte studimet. Ai u kthye në shtëpinë e familjes në rajonin Ghouta, ku jeta e tij e përditshme dikur e mbushur me miq, kolegë dhe akademikë, ishte tani e ndërprerë prej të shtënave me armë.

Bombat gjëmonin, ndërsa ata shtriheshin përtokë dhe sipas Adnanit ai mendonte “Këtë herë do të vdes vërtet. Këtë herë do të vdes vërtet”. Çlirimi që ndjeu kur i mbijetoi një tjetër bombardimi shpejt iu kthye në horror më pas, kur ai doli jashtë dhe pa burra, gra dhe fëmijë që qanin dhe trupat e fqinjëve të tij. “Jo”, korrigjon Adnani veten, nuk ishin trupa, ishin pjesë trupash të hedhura kudo në rrugë.

Me kalimin e kohës, Adnani u largua për në Jordani me nënën dhe vëllain e tij, ku ai jeton në kampin Zaatari, shtëpi e rreth 83,000 refugjatëve sirianë. Babai i tij është ende në Siri, i zënë në kurth në zonën e luftimeve.

Adnani është me fat që është ende gjallë. Ai është i ri. Do të vazhdojë studimet. “Ne jemi qenie njerëzore, – thotë ai i zemëruar. – Ne kemi ambicie, ne kemi ëndrra që duam t’i realizojmë”. Por ëndrrat e Adnanit janë shkatërruar, shpresat e tij kanë rënë.

Mërzia, shkatërrimi dhe madje e tashmja është një armik që duhet luftuar përditë. Ai bën aq sa mundet. Ai u mëson refugjatëve të tjerë në kamp kompjuterin. Ai merr pjesë në programet kulturore të një grupi refugjatësh të rinj sirianë.

Megjithëse Adnani pret të shohë Sirinë teksa ecën në rrugën e duhur, ai e sheh atë teksa shkon drejt më shumë problemeve dhe rrënimit.

Por rrethanat e Adnanit duken thuajse luksoze krahasuar me ato të Um Anas, një gruaje siriane 43-vjeçare që e takoj pranë Madabas. Dhjetë muaj më parë, e trembur për jetën e fëmijëve të saj, ajo u largua nga shtëpia në Heleh, një periferi e Damaskut dhe shkoi në Jordani me shtatë nga fëmijët e saj. Dy prej të cilëve, Marua dhe Holud, 22 dhe 17 vjeç, janë me aftësi të kufizuara, të lindur me probleme në krah dhe këmbë.

Gjendja e Holud është paksa më e dhimbshme. Kur e takon atë për herë të parë, me dy këmbë thuajse inekzistente, të fshehur nën fustan, duke dhënë idenë se trupi i saj përfundon nën mes.

Pesë muaj më parë, Um Anas dhe fëmijët e saj u zhvendosën nga fshati në fshat brenda Sirisë, ndonjëherë në këmbë, ndonjëherë me makinë, gjithë duke kërkuar për një vend të sigurt. Um Anas mbante Holud në kurriz ose shtynte karrocën e saj, ndërsa djali i saj adoleshent mbante motrën e tij më të madhe.

Um Anas mendon shumë rreth djalit tjetër dhe vajzës së sëmurë që la pas në Siri. Ata ende jetojnë në një zonë të rrethuar nga lufta me burrin e Um Anas dhe gruan e tij të dytë.

Në Jordani, ata jetuan fillimisht në kampin Azraq, tani shtëpi e rreth 18 mijë refugjatëve sirianë, por Um Anas e dinte se vajza e saj me aftësi të kufizuara do të vuante në Azraq, një kamp në shkretëtirë.

“Terreni ishte shumë i fortë dhe i thyer. Është një terren shkëmbor”, thotë ajo. Me ndihmën e xhaxhait të fëmijëve, familja u largua nga kampi pas pesë muajsh dhe tani ka marrë me qira një dhomë pranë Madabas.

Um Anas dhe fëmijët e saj janë të sigurt në Jordani, por ata jetojnë në kushte të vështira. Fëmijët hanë vetëm dy vakte të vogla në ditë: ullinj dhe djathë në mëngjes, bukë dhe çaj në mbrëmje për darkë.

Um Anas pranon se djali i saj më i madh ndonjëherë kërkon në plehra për të gjetur bukë për familjen. Fëmijët nuk shkojnë në shkollë. “Nuk mund t’i përballoj uniformat apo udhëtimin për në shkollë”, thotë Um Anas, ajo vajton natyrën e zbrazët të jetës së fëmijëve të saj.

“Ata nuk e kanë mendjen këtu, – thotë ajo. – Qëndrojnë me sytë në një vend për një kohë shumë të gjatë, kanë humbur përqendrimin, mezi qeshin”.

Një lajm i mirë për të është se prej gjendjes së rëndë në të cilën janë, ajo do të marrë rreth 150 dollarë në muaj nga programi i ndihmës së UNHCR. Nuk do t’ia zgjidhë të gjitha problemet dhe nuk do t’ia kthejë të gjitha shpresat, por të paktën do ta ndihmojë.

“Në Siri, kisha shpresa të mëdha, por lufta m’i ka marrë të gjitha, – thotë Um Anas. – Nuk kam shpresë tani, përveçse të edukoj fëmijët e mi”.

Këto janë disa nga historitë e pafundme. Çdo refugjatë sirian ka një të tillë. Ata mbledhin historitë, secili ndryshe nga tjetri, secili një zë në një kor. Dhe së bashku, të çojnë prapë te numrat: 7.6 milionë njerëz që janë zhvendosur brenda për brenda vendit dhe 3.9 milionë refugjatë.

Shifrat na çojnë pas te ne. Ne kemi parë tragjedinë siriane të shtohet në shkallë alarmante. Tani po ndodh kriza humanitare më e madhe e kohës sonë. Por financimi i ndihmës për refugjatë si Um Anas nuk ia ka dalë të pengojë rritjen e krizës.

Vetëm në Jordani, për shembull, ka rreth 16 mijë familje refugjate siriane që kanë përmbushur kriterin për t’u futur në programin e ndihmës së UNHCR, por ato ende mbeten në një listë pritje. Nevojat e këtyre familjeve të varfra njihen zyrtarisht, por nuk janë plotësuar, për shkak të një mungese të madhe fondi.

Nëse ne, si një komunitet ndërkombëtar dhe si individë, nuk mund të mbushim hendekun e financimit, atëherë ne do të shohim më shumë familje të varfra të detyrohen të përfshihen në mekanizma të rrezikshëm dhe të dëshpëruar thjesht për të mbijetuar. Të tilla janë puna e fëmijëve, martesa e hershme, prostitucioni, endacakëria.

Në Jordani kam dëgjuar se disa familje kanë marrë vendimin të kthehen në Siri. Të tjerë që ia kanë mbathur nga vdekja në Siri po luajnë me jetën duke kaluar detin për në Europë. Askush nuk duhet të ketë përse të bëjë zgjedhje të tilla.

Një fjalë e vjetër siriane thotë: “Durimi është çelësi i lehtësimit”. Por miliona sirianë si Khalida, Adnani dhe Um Anas duan lehtësim tani. Durimi është një luks që ata dhe ne nuk mund ta përballojmë.

*Khaled Hosseini është një ambasador i vullnetit të mirë për UNHCR. Ai është gjithashtu një shkrimtar afgan shumë i njohur.

Që nga fillimi i luftës në Siri, 7.6 milionë janë zhvendosur brenda vendit, duke kaluar nga një qytet në tjetrin, ndërsa 3.9 milionë jetojnë si refugjatë në shtetet fqinje

“Në Siri, kisha shpresa të mëdha, por lufta m’i ka marrë të gjitha. Nuk kam më shpresë tani, përveçse të edukoj fëmijët e mi”, thotë një refugjate në gjendje të mjeruar

Shkrimtari Khaled Hosseini i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndihmojë sa më shumë familjet refugjate të cilat, nga dëshpërimi, mund të përfshihen në prostitucion ose në sipërmarrje që çojnë drejt vdekjes

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button