Home / Bota / G7, samit për sigurinë. Diskutohet edhe për kufizimin e rritjes së temperaturës globale

G7, samit për sigurinë. Diskutohet edhe për kufizimin e rritjes së temperaturës globale

Sfidat në politikën e jashtme e atë të sigurisë, terrorizmi ndërkombëtar dhe zhvillimi i ekonomisë botërore, përbëjnë boshtin e takimit të G7-s në alpet e Bavarisë.

Megjithatë, dita e dytë e diskutimeve të atij që ishte deri përpara disa muajsh grupi i tetë vendeve më të industrializuara të botës, por i rrudhi radhët duke zgjedhur të përjashtonte Rusinë, nuk do të lërë pa prekur edhe çështjen me peshë të ndryshimeve klimaterike.

Angela Merkel kërkon nga G7 arritjen e një marrëveshjeje mbi kufizimin e rritjes së temperaturave globale, ashtu siç pretendon njëkohësisht prej shteteve anëtare të kontribuojnë në një fond për vendet e varfra që po vuajnë më shumë se të tjerët pasojat e ndryshimit të klimës.

Takimi i krerëve të shteteve dhe qeverive të Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Japonisë, Kanadasë dhe SHBA-së në kështjellën piktoreske Elmau, vjen në kohën kur presidencën e radhës së grupit e mban Gjermania. Gama e çështjeve në diskutim është mjaft e gjerë, e ngërçi me Rusinë sigurisht nuk mund të mungonte pa u prekur.

Presidenti amerikan, Barack Obama, sipas ekspertëve, synon t’i nxisë partnerët europianë në samit për më shumë sanksione ndaj Moskës. Masat ekzistuese, sipas tij, së paku duhet të mbeten në fuqi me qëllim rritjen e presionit ndaj presidentit rus, Vladimir Putin. Përjashtimi i Rusisë nga grupi nënkupton se diskutimet mbi konfliktin në Ukrainë zhvillohen pa pjesëmarrjen e një përfaqësuesi të saj.

Për kancelaren gjermane, prania ruse në këtë kohë ishte e papërfytyrueshme për shkak të aneksimit të Krimesë. Më vonë, krerëve të G7-s do t’i bashkohen edhe kryeministri irakian Haider al-Abadi, presidenti nigerian Muhammadu Buhari dhe kreu i shtetit tunizian, Beji Caid Essebsi, për të shqyrtuar kërcënimet që burojnë nga grupe ekstremiste si Shteti Islamik dhe Boko Harami.

Leave a Reply

Your email address will not be published.