Home / Parlamentare / Meta-Yee: Zgjedhjet e 21 Qershorit, moment kyç në procesin e integrimit

Meta-Yee: Zgjedhjet e 21 Qershorit, moment kyç në procesin e integrimit

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti të hënën zv.ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Hoyt Brian Yee, i cili shoqërohej nga ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu.

Gjatë takimit u vlerësua se mbarëvajtja e standardeve më të larta të zhvillimit të zgjedhjeve të pushtetit vendor më 21 Qershor, është moment kyç në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Kryeparlamentari Meta theksoi se mazhoranca po tregon vullnet maksimal për një klimë sa më europiane të zgjedhjeve lokale dhe se mirëpret angazhimin konstruktiv të opozitës deri në fund të procesit zgjedhor.

Gjithashtu, Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme amerikane ndaj avancimit të perspektivës europiane në këto momente të rëndësishme të progresit të Shqipërisë. Ai nënvizoi se mazhoranca është e vendosur të avancojë edhe me reformat madhore që nevojiten, veçanërisht atë në drejtësi, e cila lidhet ngushtë me përmbushjen e 5 prioriteteve të Komisionit Europian për Shqipërinë.

Ndërsa z. Yee vlerësoi progresin e kryer nga Shqipëria gjatë vitit të kaluar. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjenden përkrah Shqipërisë në përpjekjet për të adresuar sfidat madhore që lidhen me luftën kundër korrupsionit, krimin e organizuar, rritjen e integritetit të përfaqësimit politik në nivel lokal dhe qendror, si dhe me axhendën ekonomike.

Meta dhe Yee, duke biseduar mbi zhvillimet në rajon, ndanë bindjen se paqja dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor kërkojnë përshpejtimin e axhendës euro-atlantike të të gjitha vendeve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: