Home / Ekonomia / Sigurimet, përgjigje me shkrim ankesave

Sigurimet, përgjigje me shkrim ankesave

Hyn në fuqi ligji i ri. Kompanitë, të detyruara të reagojnë për 15 ditë

CarAccident

Ke ankesë për kontratën e sigurimit? Për 15 ditë, kompania duhet të të përgjigjet me shkrim për çdo ankesë apo kërkesë për informacionin që lidhet me kontratën e sigurimit.

Mbrojtja e konsumatorit

Kjo çështje trajtohet me një kapitull të veçantë në ligjin e ri për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit, që hyri në fuqi të premten më 4 korrik. Aty përcaktohen në mënyrë të hollësishme informacioni kontraktor dhe parakontraktor, trajtimi i ankesave dhe informimi transparent i publikut. Ligji vendos detyrime të qarta lidhur me informacionet që çdo shoqëri sigurimesh duhet të botojë periodikisht përmes faqes së internetit. Ndërkaq, ligji i ri do të sjellë ndryshime në mënyrën e mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve. Mbikëqyrja do të kryhet mbi bazën e rrezikut, çka nënkupton se Autoriteti nuk do të ndërhyjë më vetëm pasi kompanitë të kenë shkelur parametrat e detyrueshëm rregullatorë dhe financiarë, por do t’i mbikëqyrë subjektet në vazhdimësi, duke pasur parasysh edhe profilin e rrezikut të çdo subjekti, me qëllim parandalimin e problemeve. Në këtë ligj është përfshirë një kre më vete, me dispozitat e nevojshme për rregullimin e administrimit të përkohshëm, me qëllim rikthimin e shoqërisë së sigurimit në një situatë financiare të qëndrueshme. Gjithashtu, rregullohet edhe prishja e shoqërisë së sigurimit në rastet e likuidimit vullnetar, likuidimit të detyruar dhe falimentimit.

Kush drejton

Ligji i ri sjell një koncept të ri për kriteret që duhet të plotësojnë personat kyç në vendimmarrjen dhe drejtimin e shoqërisë, duke parashikuar se ata duhet të jenë të aftë dhe të përshtatshëm për të marrë përsipër këto role. Ai përmban dispozita të veçanta për parandalimin e konfliktit të interesit nga këta persona gjatë ushtrimit të roleve të tyre në shoqërinë e sigurimit, si dhe për parandalimin e transaksioneve me palë të lidhura. Në këtë mënyrë, projektligji ka synuar rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së personave që administrojnë dhe drejtojnë shoqërinë e sigurimit. Në ndryshim nga ligji i mëparshëm, parashikohen dispozita përkatëse për krijimin dhe organizimin e komitetit të auditimit dhe sistemit të administrimit të rrezikut pranë shoqërisë së administrimit.

INSIG-u

Në dispozitat kalimtare të hyrjes në fuqi të ligjit, është përcaktuar edhe statusi i kompanisë shtetërore INSIG. Ajo është në projektin e privatizimeve strategjike të qeverisë, si pjesë e reformës në tregun e sigurimeve. Gjithashtu, shoqëria e sigurimit INSIG, sh.a., e cila në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, në bazë të licencës ekzistuese, do të ushtrojë veprimtari sigurimi jete dhe jo-jete, por nuk është e detyruar të përshtatë veprimtarinë e saj në përputhje me këtë akt ligjor deri në privatizimin e saj.

Z.Alushi

Leave a Reply

Your email address will not be published.