Home / Arte / Libri / Katherine Anne Porter: Të fshehtat

Katherine Anne Porter: Të fshehtat

E shkuara nuk është asnjëherë aty ku e ke lënë. Katherine Anne Porter e dinte se çdo kthim në vendet që dikur kishte lënë një pjesë të sajën, nuk do të ishte si më parë. Ishte një ndjesi që i rikthehej gjithmonë dhe i kujtonte aromën e parfumit të tij, teksa largohej. Ai ishte poeti Hart Crane. Mbi tryezë kishte mbetur shishja e uiskit dhe një poezi që ai e kishte shkruar një natë më parë. “Dashuria është në duar…”, lexoi Katherine, teksa shihte përtej dritares Hart që kalonte rrugën përbri. Ajo do të kthehej në Meksikë, ku kishte nisur të punonte si gazetare dhe nuk e dinte kur do ta shihte sërish. Marrëdhënia e tyre ishte si në vargjet që ai shkruante, e shkurtër drithëruese dhe plot energji. Ishte si të jetoje në një varg, që dukej sikur mbarte brenda gjithë zemrën e kësaj gruaje që papritur ishte hapur… “Ai nuk ishte një dashnor, por një burrë që papritur fillova ta shihja si një personazh të dashuruar në librat e mi. Fillova ta vishja me të gjitha tiparet e një dashnori perfekt, dhe papritur ai kthehej i tillë”, shkruante Katherine në ditarin e saj. Kur mbetej vetëm në Meksikë, ajo ulej dhe i shkruante letra të gjata që nuk ia dërgoi asnjëherë. Kthimet në Nju Jork ishin vetëm për të takuar atë. Por marrëdhënia me Hart do të kthehej në një marrëdhënie torturuese që i kujtonte Katherine kohë të bukura të së shkuarës së saj. Nga një burrë që dukej sikur kishte dalë prej librave, ai shndërrohej në një të alkoolizuar. Një ditë ajo i shkroi: “Më lër të mbetem vetëm një hije në poezinë tënde”, duke i kërkuar të largohej prej saj përgjithmonë. Nuk ishte e lehtë për Katherine të harronte Hart Crane, poetin e ndjeshëm të shekullit XX, me të cilin pati ndoshta romancën më të bukur të jetës së saj. Ishte një ikje që i la përgjithmonë shijen, se ajo vajza me flokët e gjatë dhe sytë e bojëqielltë kishte lindur për të shkruar, dhe se burrat nuk do t’i sillnin kurrë lumturi. E tillë qe jeta ku besoi Katherinë Anne Porter, një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë amerikane. E tillë ishte dhe letërsia që shkroi, një rrugëtim, në zhgënjimet, tradhtitë dhe agresivitetin e jetës. Fituese e çmimit “Pulitzer”, Katherine është shkrimtare dhe gazetare amerikane, e njohur dhe për përfshirjen e saj në lëvizjen për të drejtat e njeriut, duke vazhduar të jetë ende një figurë frymëzuese për të gjithë ata që vijojnë përpjekjet në këtë fushë. Në vitin 1962, romani i saj “Anija e gënjeshtrave”, ishte një nga librat më të shitur në Amerikë. Letërsia e saj është si një udhëtim i gjatë në oqean, për të gjetur një botë tjetër me ngjyra që nuk i ngjasojnë blusë që është mbi sipërfaqe. Pasi, sipas Katherine, vetë jeta ishte e tillë. “Kur shkruaj, unë futem në një botë të errët dhe nxjerr që andej copëza të vërtetash që më lëndojnë, ndërsa jam duke i shkruar. Imagjinoj lexuesit. Ata do të lëndohen si unë, por duke i njohur, do të kenë mundësi t’i shmangin në jetë”, shprehej ajo. Si një prej personazheve të librave që shkroi, Katherine u përball me jetën shumë shpejt. Në moshën 16-vjeçare ajo u martua me John Henry Koontz nga Teksasi, i biri i një familjeje të pasur. Kjo martesë nuk qe një fat për Katherine. Koontz ishte i alkoolizuar dhe shpeshherë e keqtrajtonte. Njëherë ai u kthye i dehur në shtëpi dhe pas një zënke e hodhi nga shkallët, ku ajo theu kyçin e këmbës. Ata u divorcuan më 1915. Pas divorcit, ajo shkoi në Çikago, ku punoi si ndihmëse në disa filma. Pas disa vitesh, ajo kthehet në Teksas dhe nis të punojë si aktore dhe këngëtare në qendrën kulturore të qytetit. Një vit më pas, ajo diagnostikohet me tuberkuloz dhe kalon dy vite në sanatorium, ku dhe vendosi të bëhej shkrimtare. Në vitin 1917, ajo nisi të punonte për një gazetë letrare, ku publikoi kritika apo drama, punë e cila po i jepte një ndjesi të bukur. Në vitin 1918, ajo pothuajse vdiq gjatë një epidemie gripi. Kur doli nga spitali, Katherine ishte e dobët për muaj të tërë, krejtësisht tullace dhe lëkura e saj ishte e bardhë. Gjithë këtë përvojë jetësore ajo ulet ta shkruajë për ta botuar në trilogjinë që e botoi gjatë viteve 1939-1940, për të cilën u vlerësua me medaljen e artë nga bibliotekat e Universitetit të Nju Jorkut. Në vitin 1919, Porter shkoi në Nju Jork dhe nisi të jetonte si shkrimtare e të angazhohej politikisht. Në vitin 1920, ajo shkoi në Meksikë, ku nisi të punonte për një gazetë vendase dhe u përfshi në revolucionin e kohës, duke u njohur dhe me protagonistët e rëndësishëm si Diego Rivera. Por përfshirja në politikën e këtij vendi do t’i sillte zhgënjim Katherine, të cilin e ka përcjellë dhe në letërsinë që ka shkruar atë kohë.

katherine-ann-porterNë vitin 1926, ajo u martua me Ernest Stock, me të cilin jetoi pak kohë, pasi kishin kontradikta. Disa biografë mendojnë se nga kjo martesë ajo pati disa dështime, duke u dhënë fund shpresave që mund të kishte një fëmijë. Gjatë viteve 1940-1950, Porter pati një mbështetje të lartë nga kritika amerikane, duke u quajtur si një prej shkrimtareve më të mira të kohës. Gjatë viteve 1930, Porter shpenzoi kohë në Europë, të cilën e ka rrëfyer në tregimet e saj. Po atë vit, ajo u martua me Eugene Pressley, një shkrimtar 13 vjet më të ri se ajo. Pas kthimit nga Europa, më 1938-n, ajo u divorcua me të dhe u martua me Albert Russel Erskine, një studentin e saj 20 vjet më të ri, martesë e cila do të përfundonte si të tjerat, shumë shpejt në divorc. Në listën e martesave të saj futet dhe ajo me Hart Crane, i cili bëri vetëvrasje, pasi mësoi lidhjet e saj me burrat. Në vitin 1943, Porter u bë anëtare e Akademisë së Arteve dhe të Letrave, dhe ishte një nga shkrimtaret më të kërkuara në universitete. Mësimdhënia ishte një tjetër pasion i saj, si një ligjëruese mahnitëse për studentët, teksa dëgjonin rrëfimet e saj mbi letërsinë e Virginia Wolf apo Rebeka West. Biografët e saj shkruajnë se fuqia depërtuese e saj në librat që ka shkruar e merrte energjinë pikërisht në karakterin e saj. Një mori letrash me personalitete të njohura të kohës, por edhe me burra me të cilët pati tërheqje apo histori, shihen sot si “jeta tjetër” e kësaj shkrimtareje që vazhdon të na befasojë dhe pas vdekjes. Katherine dinte të jetonte, dhe këtë nuk e bënte vetëm duke shkruar libra, por edhe duke i jetuar ato në jetë…

Leave a Reply

%d bloggers like this: