Libri

Alda Merini / Pasioni i mendjes

“Nuk paska fund pritja ime/ Po të pres/sot/nesër e përditë/ e pak nga pak po shuhem/aq sa tashmë e kam harruar fytyrën tënde./Duan të dinë nëse dëshpërimi im/ është i barabartë me mungesën tënde/jo, është një grimë më shumë/dëshpërimi/Është vdekja ime e balsamosur/ që nuk e di si mund të ta bëj dhuratë…”.

Në Milanon e pas viteve 1950, Alda Merini donte vetëm një rrugë. Ajo që përmes errësirës e çonte në apartamentin e Salvatore Quasimodos. Ende pa mbushur të 30-at, ajo i ishte dorëzuar njohjes së këtij burri, ashtu si përpara vargjeve. “Ndoshta vetëm zemra na mbetet, zemra…”, shkruante Quasimodo në një nga poezitë e asaj periudhe. Ajo ishte e brishtë si një varg, dhe i shndërronte orët e gjata në atë apartament në një komunikim dëshirash, duke shkruar vargjet më të bukura me trupin e saj. Për Quasimodo-n kjo njohje ishte një ndalesë e bukur në jetën e një burri që po i afrohej të 50-ave, që e kishte menduar përsosjen vetëm në artin e tij. Por ajo u shfaq ashtu me fytyrën e ndrojtur dhe flokët e zeza teksa pinte cigare në një tryezë me miq, duke i thënë se shkruante. Nën xhaketën e poetit filloi të ndihej ajo pështjellim padurimi për ta njohur më tej, portretin e kësaj vajze të thjeshtë italiane. Ajo shkoi drejt tij pa menduar gjatë, e bindur se vetëm një burrë mund t’i hiqte hijet e sëmundjes që kishte nisur t’i orvatej. Për gati tre vjet, ajo deshi vetëm një rrugë, deri sa një ditë ai nuk ishte më aty… “Dhimbja është pa të nesërme/ është një turi kali që bllokon/thembrat e fuqishme/ Po dje kam rënë poshtë/ buzët e mia janë mbyllur/ dhe tmerri ka hyrë në gjoksin tim/ si një fishkëllim e thellë…/”. Me këtë poezi Alda Merini paralajmëron kohë jo të mira në jetën e saj. Për më shumë se tre muaj ajo do të shtrohet në një klinikë në Milano, për të marrë veten nga një depresion i thellë. Pas dashurisë është dhimbja dhe Merini e dinte këtë që ditën kur dora e saj u fut në krahun e tij për të ecur rrugëve plot drita të Milanos. Pas ndarjes me poetin fitues të çmimit “Nobel” në letërsi, Alda Merini iu kushtua poezisë. Me pasionin e rinisë që kishte në trup ajo nisi të frekuentonte lokalet ku endeshin intelektualët e Italisë së atyre viteve, duke u bërë mikeshë me Pier Paolo Pasolinin, Maria Corti, Luciano Erba apo Giorgio Manganellin, me të cilin do të kishte dhe një flirt. Tashmë është koha kur ajo duhet të luajë, dhe t’i shohë burrat si qenie që nuk duhet ta lëndojnë më. Karriera e saj si poete ka nisur të jetë e suksesshme dhe vargjet e saj po përkthehen në gjuhë të tjera. Në antologjinë e poezisë italiane të atyre viteve, ajo renditet si një zë interesant, dhe kritika në gazeta këmbëngul që është një poete që nuk duhet humbur. Kjo është koha kur ajo i thotë po martesës me Ettore Carniti-n, një biznesmen në Milano, dhe boton librin e saj me poezi. Në vitin 1955, Merini boton tre libra. Pikërisht në këtë vit lind dhe vajza e saj, Emanuela. Duket se Merini nuk mund të jetojë dot pa pasione të fshehura. Takimi me mjekun pediatër, Pietro di Pasquale, do të trazojë qetësinë e nënës së re. Ai do të bëhet dashuria e pamundur e Merinit. Ajo i dedikon atij një libër me poezi. Në vitin 1958, lind vajza e saj e dytë Flavia. Pas publikimit të librit “Ti je Pietro”, ajo ndaloi së shkruari për dy dekada, për shkak të gjendjes së renduar psikologjike. Në vitin 1965, ajo shtrohet në një spital në Milano ku qëndron deri në vitin 1972. Gjatë kësaj kohe ajo kthehet sërish në familje, dhe lind dy vajzat e tjera Barbara dhe Simona. Në vitin 1979, ajo arrin të shpëtojë nga sëmundja dhe i kthehet të shkruarit. Poezitë e saj janë një rrëfim për përvojën dramatike dhe të dhimbshme të sëmundjes, kohët e kaluara nën tjetërsim. Pas vdekjes së të shoqit nisi një korrespodencë letrash me mjekun Michelle Pierri, 30 vjet më i madh se ajo. Por as kjo lidhje nuk mund ta shpëtonte Aldën nga sëmundja. Ajo shkoi të jetonte me të në Taranto dhe vetëm pak muaj më vonë ndien të jetë sërish e futur nën makthin e mendjes. Merini kthehet në Milano në vitin 1986 dhe trajtohet nga psikologia Marcella Rizzo, së cilës i ka dedikuar një sërë poemash. Pas disa vitesh, ajo arriti të dalë nga spitali dhe të jetojë në apartamentin në Naviglio. Deri në fund të jetës në 2009-n, Merini vazhdoi të shkruajë poezi, dhe të botojë. Fituese e një sërë çmimesh të rëndësishme, ajo u kthye në simbol të letërsisë bashkëkohore italiane. Poezitë e Merinit nuk janë vetëm vargje të ndjera dashurie. Përmes dhimbjes së saj, ajo e bëri universale dramën njerëzore, duke u bërë një përshkruese plot stil e dhomave të errëta të mendjes. Për më shumë se 20 vjet, ajo jetoi në këto dhoma, pa mundur të dilte më herët nga to. “Nëse do të ishte dashuria, nëse ajo do të mjaftonte, ndoshta nuk do të kisha hyrë kurrë aty”, do të shprehej poetja në një intervistë më vonë. A nuk ishte kjo fjali një kthim në rrugicën ku Quasimodo e priste plot mall. Poetja nuk foli asnjëherë më për këtë histori, por në jetën që bëri tregoi se do kishte dashur të kthehej sërish atje, dhe pse Quasimodo u nda nga jeta më 1968-n, gati 10 vjet pas ndarjes mes tyre. Ajo e pa dashurinë si një rrezik. “Poeti është si prifti, arrin të sublimojë: poeti edhe nëse do ishte e mundur preferon t’i këndojë dashurisë, sesa ta jetojë, sepse ta jetosh është një rrezik, dhe gjithnjë tërhiqem pas”, do të shprehej ajo në një intervistë para vdekjes.

Alda Merini lindi në Milano, më 21 mars 1931, në një familje të shtresës së mesme. Babai i saj ishte një nëpunës në një kompani sigurimi ndërsa nëna shtëpiake. Alda kishte një motër dhe një vëlla Anën dhe Ezion. Që fëmijë, ajo ishte e tërhequr nga librat. Babai i saj e inkurajoi interesin e saj për shkrimin dhe kur ishte vetëm 10 vjeç i botoi një përmbledhje të vogël me poezi. Ai pagoi një mësuese pianoje që të vinte në shtëpi për t’i dhënë mësim së bijës. Ajo përfundoi shkollën e mesme me nota të shkëlqyera, por pas mbarimit të luftës i ati nuk kishte të ardhura për ta çuar atë në një shkollë të mirë. Për tre vjet rresht, ajo studioi në shkollën “Laura Solera Mangazza” për stenografi. Karriera e saj si poete nisi në një moshë shumë të hershme. Kur ishte 15 vjeç poezitë e saj u bënë më të ndjera. Një vit më vonë, më 1947, disa poezi të saj iu treguan kritikut Giacinto Spagnoletti. Ai do të spikaste poeten në vargjet e shkruara, duke i dhënë mundësi vajzës disi të ndrojtur të bëhej pjesë e shoqërive letrare në Milanon e atyre viteve. Me një jetë të trazuar, Merini është një nga figurat kryesore të letrave italiane të shekullit XX.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button