Ekonomia

BSH, plan kundër kredive të këqija; bisedime me bankat për pagimin me këste të borxheve gjigante

Banka e Shqipërisë do të koordinojë një plan, i cili synon të ristrukturojë në bllok të gjitha kreditë me probleme për 60 borxhlinjtë më problematike në vend. Top Channel zbardh të plotë skemën, përmes së cilës Banka shpreson të zgjidhe lëmshin e kredive të këqija në ekonomi, në qendër të të cilit qëndrojnë një grusht kompanish.

Në total, banka ka identifikuar 60 biznese që kanë mbi 60 për qind të të gjitha kredive të këqija në shkallë kombëtare ose e konvertuar në gati 76 miliardë lekë. Por çfarë parashikon plani për trajtimin e tyre?

Burime nga Banka e Shqipërisë thanë për Top Channel se, pjesa dërrmuese e këtyre bizneseve kanë më shumë se një kredi, që i kanë marrë në disa banka njëherësh. Përballë kësaj situate Banka Qendrore do të ndërmjetësojë një proces negocimi, ku çdo kompani individuale do të ulet njëkohësisht me të gjitha bankat ku ka marrë borxh.

Sipas burimeve nga Banka Qendrore, qëllimi është që këto biznese, të cilat sot duhet të paguajnë disa këste kredish njëherësh, pas këtij ndërmjetësimi të paguajnë vetëm një këst mujor.

Burimet shtuan se, falë ristrukturimit me të gjitha bankat, kjo pagesë do të jetë më e reduktuar se sa shuma që duhet të paguajnë aktualisht dhe do të derdhet vetëm në një bankë, e cila do të përzgjidhet si lider rast pas rasti për secilin nga borxhlinjtë.

Banka e përzgjedhur që do të arkëtojë pagesën do ta shpërndajë atë edhe tek bankat e tjera ku biznesi ka kredi, sigurisht sipas kësteve të ristrukturuara.

Përmes këtij procesi, Banka e Shqipërisë synon të ulë kreditë e këqija dhe t’u japë një shans të ri bizneseve debitorë më problematikë në vend. Por burimet nga banka i thanë Top Channel, se ato kompani që nuk do të kenë mundësi shpëtimi as pas këtij ristrukturimi do të trajtohen sipas mënyrës që parashikon ligji, pra duke u çuar në faliment.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button