Home / Opinion / Ju flet Amerika !

Ju flet Amerika !

Nga Aleksandër Çipa

Nuk është aspak fjala për një perifrazim të një batute të njohur në filmin shqiptar “Radiostacioni”. Është fjala për fjalimin e mbajtur në shqip nga ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, zoti Donald Lu, në një takim analizues për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Në këtë veprimtari, për herë të parë tre diplomatë të rëndësishëm të institucioneve ndërkombëtare, folën pa “dorashka”. Këtë reagim e patën në të njëjtin regjistër edhe ambasadori Lu, ai i OSBE-së, Florian Rauning, dhe ajo e BE-së, Romana Vlahutin.

Në një kohë të mëparshme, diplomacia amerikane, prezencën e kriminelëve në politikën shqiptare e shpalli të papranueshme dhe të patolerueshme, më tej. Madje ka qenë padyshim një indicie e këtij aleati të madh kombëtar që procesi i dekriminalizimit mori formën e një nisme programore të opozitës dhe që nuk u ndesh me refuzim apo rezistencë nga shumica parlamentare. Gjithsesi, rezistenca e politikëbërësve për dekriminalizimin është e sofistifikuar dhe ende duhet quajtur vepruese dhe në forcë. Lëvizja e këtij procesi mund të konsiderohet e ngadaltë dhe beteja me perceptimin ende nuk është fituar. Jo pa nëntekst, ambasadori amerikan Lu, në intervistën e fundit për “Zërin e Amerikës”, njërës prej pyetjeve i përgjigjet: “Një person i mençur më tha kohët e fundit, se përparimi i bërë për largimin e kriminelëve nga politika është mbresëlënës. A mund ta kishim imagjinuar dy vite më parë që do të diskutonim sinqerisht mbi rolin e kriminelëve në politikë? Udhëheqësit politikë nga e djathta dhe e majta kanë hequr kriminelë prej listave të kandidatëve. Për ata kriminelë që ende janë në lista, ka një diskutim publik në rritje për aktivitetin e tyre kriminal. Votuesit shqiptarë janë të zgjuar. Jam besimplotë se ata do të marrin vendime të mira”.

Planvështrimi i diplomatit të rëndësishëm amerikan në Shqipëri është shumë më i gjerë. Duket qartazi se kësaj here diplomacia e shtetit të madh jo vetëm aleat dhe mik strategjik, por tashmë një kujdestar strategjik i shtetit shqiptar, është më e vendosur. Dekriminalizimi nuk është një kërkesë thjesht për standardin klasik të demokracisë ligjore dhe autoritetin e shtetit ligjor. Bëhet fjalë për diçka më konkrete dhe më të pakthyeshme.

Fjala e mbajtur në takimin e Grupit të Ekspertëve pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi është në një regjistër më të lartë dhe e çon kërkesën zyrtare për reformimin dhe veprimin mbrojtës të sistemit nga brenda, më tej. “Procesi aktual i reformës në drejtësi ka mundësinë të krijojë një sistem për largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Për ta bërë këtë, Shqipërisë i duhet pjesëmarrja e ekspertëve më të mirë të saj ligjorë, përfshirë ata nga opozita. Një reformë në gjyqësor që ruan standardet ndërkombëtare pa opozitën, është e mundur. Megjithatë, ne e dimë se me pjesëmarrjen e opozitës kjo do të ishte një reformë më e mirë dhe më e qëndrueshme për Shqipërinë.”

Ky pasazh interviste është shumë paralajmërues dhe tejkalon mundësinë e sjelljes së rëndomtë të klasës sonë politike sipas tekës dhe diabolisë së stanjacionit antireformues. Vini re, ambasadori Lu e sheh plotësisht të mundshëm krijimin e një sistemi për largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. “Duart e pastra” nuk iluzionojnë më askënd se mund të vijnë prej politikës dhe t’i përkasin asaj. Procesi antisistemit kleptokrat të kësaj “me nder” drejtësie nuk lind prej vetë strukturës aktuale të drejtësisë dhe drejtimit apo hierarkisë së politizuar të tij. SHBA-ja e ka më konkrete reagimin. Ambasadori Lu është ndoshta i pari diplomat në historinë e marrëdhënieve tona dypalëshe që sjell në kujtesë dhe vëmendje të opinionit publik shqiptar dhe të gjithë pjesëtarëve të përfshirë në sistemin e drejtësisë së vendit “Shpalljen presidenciale Nr. 7750, i cili i jep Sekretariatit të Shtetit autoritetin të ndalojë lëshimin e vizave amerikane zyrtarëve, gjykatësve, prokurorëve dhe deputetëve të huaj të korruptuar. Ne e përdorim këtë kompetencë anembanë botës për të promovuar luftën kundër korrupsionit. Presim që së shpejti të shqyrtojmë rastet e para në Shqipëri.”

Gjuha e diplomacisë amerikane, përmes ambasadorit Lu në Tiranë, nuk është më e tillë. Ajo është shqipe e qartë pro shtetit ligjor dhe aleancë potenciale për ngritjen e tij në rolin e të pakapurit prej kthetrave të krimit dhe skotës së korrupto-politikës. Nga leximi i qartë i këtij kumti dhe sidomos prej shqipes së pastër të ambasadorit Lu, mediat dhe sidomos qytetarët e këtij vendi duhet të mirëkuptojnë drejt dy aspekte:

SHBA-ja nuk po e sendërton aleancën me forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri vetëm përmes konstatimit dhe pohimeve që sjellin në vëmendje se cila është pastërtia e demokracisë dhe e politikës, por përmes afishimit të një aksioni lëvizës të mekanizmave dhe sistemit. Bëhet fjalë për mekanizmin me ingranazhe të pabllokueshme për të nxjerrë drejtësinë nga “kapja”, sistemin nga kapja e dyfishtë e korrupsionit dhe e politikës dhe në mënyrë më të qartë: moslejimin e alibisë së luftës politike si pengmbajtëse të Shqipërisë si një “republikë bananesh”.

Shumica parlamentare e këtij vendi nevojitet ta lexojë drejt e para, këtë kumt dhe proces të kërkuar dhe nisur prej kujdestarit të madh strategjik. Këmbëngulja e ambasadorit amerikan Lu është mision i rekomanduar pakthyeshmërisht prej Departamentit të Shtetit. Është një detyrë e detyrueshme shtëpie dhe aleance strategjike për dy arsye:

Sfidat antishtet në këtë vend vijojnë. Lidhen me informalitetin e trashëguar në periudhën pa fund që e quajmë “tranzicion”, me ikjen nga sistemi të strukturave bazike të tij, siç janë drejtësia, religjionet, institucionet dhe në masë alarmante, arsimi dhe edukimi, si dhe me arsye të tjera të njohura.

SHBA-ja po udhërrëfen një proces të ri për demokracinë ligjore në Shqipëri. Bëhet fjalë për një proces që lidhet vetëm me sistemin dhe me ciklet shprishëse të tij. Janë disa cikle veprimesh dhe reformimesh, të cilat nuk i pengon më asnjë nevojë politike dhe asnjë skotë politikëbërësish. Aleanca që i bashkëngjitet në kohë këtij procesi të udhërrëfyer prej aleatit të madh strategjik, jep shpresë edhe për rikthimin e shoqërisë civile në vend, si dhe për lirinë e cilësishme të mediave dhe gazetarëve të vendit. Kjo vlen të besohet, sepse nuk vjen prej vendorëve, por prej zërit të Shpëtimtarit të madh. Ndryshe mund ta themi: Ju flet Amerika!

Leave a Reply

Your email address will not be published.