Europa

E paprecedentë! Papa miraton zyrën hetimore ndaj peshkopëve abuzues të të miturve

Papa Françesku ka miratuar këtë të mërkurë krijimin e një “Departamenti Drejtësie”, të paprecedentë në historinë e Vatikanit, për të gjykuar peshkopët e akuzuar se kanë mbuluar apo nuk kanë parandaluar abuzimet seksuale ndaj të miturve, duke plotësuar kështu një kërkesë kyçe të grupeve të interesit.

Në një deklaratë të publikuar nga Selia e Shenjtë, thuhej se departamenti në fjalë do të hetojë nën mbikëqyrjen apo kujdesin e Asamblesë për Doktrinën e Besimit, organi doktrinal i Vatikanit, “për të gjykuar peshkopët në lidhje me krimet e shpërdorimit të detyrës, gjatë rasteve të abuzimeve me të miturit”.

Grupet e interesit, në mbrojtje të të miturve viktima të akteve të peshkopëve, kanë bërë thirrje prej vitesh kundrejt Vatikanit që të krijojë procedura të qarta për t’i bërë peshkopët përgjegjës të veprimeve të tyre nëpër dioqezat e tyre, edhe nëse nuk janë drejtpërdrejtë përgjegjës për to.

Zëdhënësi i Vatikanit, At Federico Lombardi, tha për reporterët se peshkopët do të gjykohen gjithashtu, edhe nëse kanë dështuar të marrin masa për të parandaluar abuzimet seksuale me të miturit.

Akuzat ndaj peshkopëve do të hetohen fillimisht nga një prej 3 departamenteve të Vatikanit, në varësi të shkeljes që kanë kryer dhe juridiksionin që mbulojnë këto zyra, përpara se të gjykohen më pas nga departamenti doktrinal.

Vatikani ka bërë të ditur se Papa ka miratuar propozimet e parashtruara drejt tij nga një komision që e këshillon atë, se si ta çrrënjosë abuzimin seksual ndaj të miturve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button