Home / Politika / Rama, në Patos: Qytetarët kanë fatin të zgjedhin drejtimin e duhur

Rama, në Patos: Qytetarët kanë fatin të zgjedhin drejtimin e duhur

Duke e quajtur Rajmonda Balilajn grua të fortë dhe administratore të spikatur, kryeministri Edi Rama tha se qytetarët e Bashkisë së re të Patosit kanë fatin të votojnë më 21 Qershor për drejtimin e duhur.

Kryeministri u angazhua për mbështetjen e të gjitha projekteve të kandidates Balilaj, për t’u dhënë, siç tha ai, perspektivën e munguar të rejave dhe të rinjve të Patosit.

“Bashkia e Patosit nuk është më ajo që ka qenë deri sot, por është një bashki e madhe, e cila përfshin jo vetëm qytetin, por edhe një sërë komunash të tjera. Komuna ku fare mirë të gjithë mund ta bëjnë dallimin e madh mes nesh, mes vizionit dhe aftësisë sonë për të qeverisur komunitetin dhe atyre që janë përballë nesh dhe të cilët nuk kanë asgjë tjetër për t’i ofruar komuniteteve dhe qytetarëve shqiptarë, përveç një përralle të vjetër të së kaluarës, që shqiptarët e mbyllën më 23 qershor të 2013-s. Këtu nuk ia vlen të flasësh për kundërshtarin e Rajmondës. Një kandidaturë e lodhur e një koalicioni shumë të lodhur. Nuk ia vlen të flasësh për kundërshtarin e Rajmondës, sepse është kohë e humbur dhe për më tepër, Partia Demokratike, që ka dalë nëpër Shqipëri për të kërkuar dhe për të peshkuar budallenj, këtu në Patos nuk ka fare se çfarë peshkon, sepse këtu, ne jemi të bindur që me Rajmondën dhe me Aleancën tonë do të realizojmë fitoren më të thellë të këtyre viteve, në zonën që përfshin Bashkia e re e Patosit”, deklaroi Rama.

Si asnjëherë më parë, tha kryeministri, fshati më 21 Qershor ka mundësi të bëjë zgjedhjen e duhur.

“Kjo është po ashtu fushata më e rëndësishme se asnjëherë tjetër për fshatin. Fshati ka zgjedhur edhe në të kaluarën, por tani ka mundësinë që duke zgjedhur drejtimin e duhur, të ketë pranë një mbështetje që nuk e ka pasur kurrë më parë. Prandaj, unë i drejtohem të gjithë atyre që jetojnë në fshat dhe që e kanë të lidhur jetën e tyre me tokën, me ujin, me kullimin, me mbështetjen për prodhimin, që më 21 Qershor të shkojnë të gjithë në votim dhe pa asnjë ngurrim të mbështesin Rajmonda Balilin”, tha më tej Rama.

Turi elektoral i kryeministrit Rama vijoi në Roskovec, me prezantimin e Majlinda Bufit. Prej andej, Rama shpjegoi përse këto zgjedhje janë të rëndësishme. “Sepse ne i dhamë fund asfaltit elektoral nëpërmjet Rilinndjes Urbane të qyteteve”, tha ai.

Për demokratët e Roskovecit dhe gjithë Shqipërisë, Rama dha këtë mesazh: “U themi demokratëve se më 21 Qershor votojnë për çerdhen ku do të çojnë fëmijët e vegjël dhe këto nuk kanë lidhje fare me PD-në, me fushatën e saj dhe aftësitë qeverisëse të saj. Këto kanë lidhje me programin e Majlindës dhe vizionin tonë për të transformuar Shqipërinë”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: