Kosova

Kurti: Ngjarjet në Maqedoni, Tirana dhe Prishtina të reagojnë

Kreu i Vetëvendosjes: Marrëveshjet Prishtinë–Tiranë janë të tilla që na vulosin si të ndarë dhe të ndryshëm

protesta shkupi (1)Marrja e statusit të vendit kandidat ka shtuar në supet e Shqipërisë, peshën e rolit të saj në rajon. Pikërisht mbi këtë rol u ngrit diskutimi i ditës së tretë të Konferencës së Ambasadorëve me temë “Shqipëria në rajon nga periferi në qendër”, ku kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, theksoi se politika e jashtme e Shqipërisë duhet të lidhet ngushtë me shqiptarët në rajon, duke iu referuar edhe zhvillimeve të tri ditëve të fundit në Maqedoni. “Prej kohësh, të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni janë nëpërkëmbur dhe ata nuk janë përfaqësuar në institucionet maqedonase në nivelet që e meritojnë. Shqiptarët trajtohen sikur janë të huaj në vendin e tyre dhe protesta është një mjet demokratik. Shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të angazhohen më shumë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë”, – tha Kurti. Kreu i Vetëvendosjes këmbënguli në atë që ai e cilësoi bashkim të shqiptarëve. “Roli i Kosovës, por edhe i Shqipërisë në politikën e jashtme, është tejet i rëndësishëm në fushën e bashkimit të shqiptarëve, në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Malin e Zi”, – tha Kurti. Duke u ndalur në raportet Shqipëri – Kosovë, Kurti tha se dy shtetet shqiptare janë larg integrimit me njëri- tjetrin, ku dhe për këtë çështje, kreu i Vetëvendosjes kërkoi ngritjen e institucioneve të përbashkëta. “Marrëveshjet me njëra–tjetrën, Prishtinë–Tiranë, janë të tilla që na vulosin si të ndarë dhe të ndryshëm. Institucionet e përbashkëta na bashkojnë. Dhe institucionet e përbashkëta do të duhej ta bënin kalimin nga infrastruktura te fabrikat, nga tregtia te prodhimi. Integrimet ndërmjet shqiptarëve, madje edhe integrimet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, janë shumë parapa integrimeve europiane; ne nuk e kemi një valutë të përbashkët; ne nuk e kemi tregun e përbashkët dhe nuk e kemi dhe një bankë qendrore të përbashkët”, – theksoi Albin Kurti. Për sa i përket ekonomisë, sipas tij, domosdoshmëri mbetet një strategji e përbashkët. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili kërkoi ngritjen e një grupi të posaçëm për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve. “Ajo që vuajnë marrëdhëniet dypalëshe duhet të jetë pjesëmarrja e nivelit të mesëm në dialogun mes tyre”, – u shpreh ambasadori. Minxhozi tha më tej se të dyja qeveritë duhet të marrin masa për pastrimin e liqenit të Fierzës. “Resurset e prodhimit të qumështit janë fantastike, në Kosovë vetëm 40 për qind e qumështit është kosovare, po të kemi bashkërendim ne mund të bëhemi një faktor dhe të arrimë 80 apo 90 për qind të prodhimit të tij”, – tha ambasadori Qemal Minxhozi.

Nishani: Të punojmë për negociatat

Presidenti i Republikës shtroi dje një pritje për ambasadorët shqiptarë të akredituar në shtetet e ndryshme. Në fjalën e tij, Nishani tha se “duhet të çelim negociatat me Bashkimin Europian sa më parë, duke pasur garancinë. Me përmbushjen e detyrimeve nuk do të jetë më teza e lodhjes së zgjerimit, sepse BE do të mbajë premtimin për të hapur dyert edhe për Shqipërinë”.

Diplomati

Xhufi: Ka ardhur koha që të zgjidhet çështja çame me Greqinë

Në punimet e djeshme të Konferencës së Ambasadoreve, diskutimi i diplomatëve të pranishëm është fokusuar te një dimension tjetër i Shqipërisë në rajon, te marrëdhëniet me Greqinë dhe problemet ende të pazgjidhura që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Në panelin e djeshëm të konferencës, i ftuar i veçantë ishte edhe historiani Pëllumb Xhufi, i cili në fjalën e tij vlerësoi ngritjen e zërit nga qeveria e majtë për një sërë shqetësimesh në raportet e Shqipërisë me vendet e rajonit, veçanërisht me Greqinë. Ish-zëvendësministri i Jashtëm dhe historiani Pëllumb Xhufi, duke u fokusuar te marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë, u shpreh se jo inferioriteti, por partneriteti mund të zgjidhë probleme të së kaluarës, që janë lënë të paprekura, edhe pse mes dy vendeve, prej 20 vjetësh, ka një traktat miqësie. “Ne kemi boshllëqe, na mungojnë marrëveshjet për rregullimin e regjimit të ujërave, për regjimin kufitar me fqinjët, për pronat. Është për t’u duartrokitur iniciativa dhe vendosmëria e qeverisë aktuale për të nxjerrë në dritë dy marrëveshje, që nuk janë nënshkruar kurrë: ligji i luftës dhe marrëveshjet kufitare, dy marrëveshje standard të panënshkruara që nga viti 1913. Është edhe problemi çam, një problem që duhet të hyjë në rrugën e zgjidhjes”, u shpreh Xhufi. Duke vijuar më tej, historiani Xhufi beson se, në raport me fqinjët, Shqipëria mund të zbatojë me sukses doktrinën e Presidentit Obama, se marrëdhëniet e mira i bëjnë marrëveshjet e mira.

Partia Demokratike

Bumçi: Mungesa e tre ambasadorëve, hakmarrje politike e Ramës

Konferenca e Ambasadorëve që po zhvillohet prej katër ditësh në Tiranë është shoqëruar me kritika nga opozita. Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, ka deklaruar se deri tani, qeveria “Rama” vetëm sa e ka politizuar shërbimin diplomatik, teksa denoncoi edhe përjashtimin e tre ambasadorëve të vendit tonë në Itali, Angli dhe Bosnjë nga Konferenca. Bëhet fjalë për ambasadorët Neritan Ceka, Mal Berisha e Flamur Gashi, që sipas Bumçit janë emisarë me eksperiencë të diplomacisë shqiptare, por mungesa e tyre në gjykimin e Bumçit është hakmarrje politike. “Në këtë konferencë ka pasur vetëm një mesazh, i cili ka qenë politik nga fillimi në fund. Përpara fillimit të kësaj konference, ne u njohëm me përjashtimin e paprecedent të tre ambasadorëve tanë, atij në Romë, në Londër dhe në Sarajevë. Një akt, që nuk ka asnjë shpjegim publik. Tre ambasadorë që kanë të gjitha atributet, kredencialet, marrin rrogën dhe përfaqësojnë Shqipërinë, përjashtohen si një akt hakmarrjeje politike”, – tha Bumçi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button