Ekonomia

Vëzhgim/ Kërkimi për punë, 45,4% aplikojnë tek punëdhënësit, të tjerët kërkojnë ndihmë tek të afërmit dhe miqtë

Gati 87,5% e personave të papunë në shkallë vendi zgjedhin t’u drejtohen së pari për të siguruar punësim të afërmve, miqve e shokëve, ku një pjesë zgjedhin edhe kombinimin me aplikim direkt tek një punëdhënës, ndërsa rreth 45,4 %, me vendosjen e lajmërimeve në gazeta, studimin e lajmërimeve për vende të lira pune në gazeta, etj.
Gjatë tremujorit të parë, personat e moshës 15-64 vjeç që kërkonin punë për herë të parë zunë 55,8 % të punëkërkuesve të papunë.
Shkalla e papunësisë për popullsinë 15-64 vjeç arriti 17,3 % gjatë tremujorit të parë, ndërsa numri i personave të moshës 15-64 vjeç që kërkojnë punë llogaritet në 217.647 persona. Për këtë grup-moshë, shkalla e papunësisë është më e lartë për meshkujt me 17,7 % se sa për femrat me 16,8 %, citon INSTAT.
Krahasuar me tremujorin pararendës, në 3 muajt e parë 2015 u shënua rënie e shkallës së papunësisë me 0,7 pikë përqindje, ku përfitues më së shumti janë meshkujt. Konstatohet se për meshkujt shkalla e papunësisë ra me 1,7 pikë përqindje, ndërsa për femrat u shënua rritje me 0,7 pikë përqindje.
Më të lehtë për punësim e kanë peronat që kanë një diplomë të arsimit të lartë në dorë si dhe ata me arsim të mesëm profesional.
Kështu, ndërsa shkalla e papunësisë për personat me arsim të mesëm të përgjithshëm është 23 % ose 5,7 pikë përqindje më e lartë se niveli mesatar kombëtar, ata me arsim të lartë shënuan një shkallë papunësie prej 18,6 %. Tek personat me arsim të mesëm profesional dhe me arsim 8-vjeçar, shkalla e papunësisë është përkatësisht 13,3 % dhe 14,5 %.
Gjatë tremujorit të parë 2015 për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 34,1 %. Krahasuar me tremujorin pararendës, shkalla e papunësisë për të rinjtë u rrit me 0,2 pikë përqindje. Për popullsinë 30-64 vjeç në tremujorin e parë 2015 shkalla e papunësisë është 12 %.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button