Opinion

Një vit nga ndarja me të keqen

ilitr-yzeiri-1-200x300Socialistët dhe aleatët e tyre erdhën në pushtet një vit më parë, duke mundur në mënyrë të thellë koalicionin e drejtuar nga Partia Demokratike. Edi Rama arriti ta mposhtë Sali Berishën dhe prej një viti është Kryeministër i Shqipërisë. Kjo periudhë ka qenë e mjaftë për të na treguar se Edi Rama dhe koalicioni i tij qeverisës, në përgjithësi, i kanë mbajtur premtimet dhe qeverisja e tyre ka një dallim rrënjësor me qeverisjen e mëparshme të dominuar nga Sali Berisha. Gjëja e parë që bie në sy është profili normal i qeverisjes dhe shndërrimi i menjëhershëm i imazhit qoftë brenda vendit, por sidomos jashtë. Ne, aktualisht, kemi një qeveri që nuk i bezdis qytetarët dhe kemi një Kryeministër që e paraqet Shqipërinë me dinjitet në Europë. Për shqiptarët ishte bërë një problem jetik imazhi dhe komunikimi. Qeveria e mëparshme e kishte mbështetur gjithçka në dialogun e Berishës me të gjithë. Ai u fliste qytetarëve, ai u fliste deputetëve të vet, ai rrëmbente mikrofonin dhe fliste me orë të tëra në Parlament, ai ishte bërë gazi i këtij vendi sidomos në takimet jashtë Shqipërisë. Të gjithë e kujtojnë takimin me ministrat e jashtëm dhe me kryeministrat e vendeve të NATO-s kur ai rrëmbeu mikrofonin dhe prishi të gjitha rregullat formale duke i akuzuar bashkëfolësit e tij për albanofobi. Koalicioni i socialistëve dhe Edi Rama si Kryeministër ia kanë arritur që vlerën e mëparshme të komunikimit normal ta ruajnë edhe tani që janë në qeverisje.

Po Lazarati nuk mjafton

Një nga sukseset spektakolare të kësaj qeverisjeje ishte padyshim ndërhyrja energjike në Lazarat dhe vendosja e kontrollit mbi të gjithë territorin. Mirëpo beteja me krimin është e gjatë dhe kjo qeverisje na dha dy modele në të njëjtën kohë. Në fillim ne u entuziazmuam të gjithë me Lazaratin sepse u thye një mit që ishte ndërtuar me hipokrizi nga qeveria e mëparshme. Por, fill pas kësaj, vrasja e bujshme në mes të Tiranës e sfidoi Policinë e Shtetit dhe na tregoi përsëri se ne jemi një shtet fare i dobët dhe i çorientuar disa herë. Pyetja që ngrenë të gjithë është kjo: si ka mundësi që Policia e Shtetit, pasi lajmërohet për një vrasje në Bllok, ngrihet në alarm pas 30 minutash. Si ka mundësi që një krim krejtësisht barbar dhe i trashë nuk zbulohet, si ka mundësi që dy persona kryejnë krimin dhe për 30 minuta nuk i ndjek askush veç një polici rrugor trim, që dha alarmin dhe iu vu pas me motorin e një tipi modest? A ka një helikopter që përdoret në raste të tilla? Shqiptarët që kanë jetuar në diktaturë e kujtojnë se në rast alarmi, çdo shtetas duhet të shkonte në pikën e grumbullimit dhe në pozicionin e mbrojtjes për disa pak minuta. Po si ka mundësi që Policia e Shtetit ishte në gjumë përreth 30 minuta? Natyrisht, problemet e rendit dhe të kriminalitetit janë të thella dhe të rënda. Në këta njëzet e ca vjet, Policia e Shtetit, për fat të keq, është përdhunuar nga politika dhe është sabotuar prej saj. Profesionistët e vërtetë të policisë janë lënë mënjanë në shumë raste sepse krimi kishte te politika një aleat të sigurt. Lazarati na dha një shembull se qeveria e re dëshiron t’i presë lidhjet me krimin dhe kërkon t’u japë më shumë besim profesionistëve që ruajnë jetën tonë dhe që ndeshen me krimin. Por vrasja në Bllok la shumë pikëpyetje.

Fitorja që eliminoi opozitën

Një nga dëmet më të mëdha që ka shkaktuar fitorja e koalicionit të majtë vitin e kaluar është shkatërrimi i opozitës. Fitorja e së majtës na tregoi se ky vend nuk ka të tjera forca politike të mëdha që të konkurrojnë me të majtët e bashkuar. Xhianfranko Fini, një politikan i njohur i së djathtës italiane, që me partinë e tij nuk arriti të futet në Parlament në zgjedhjet e shkuara, në një takim para disa kohësh, në esencë tha se duhet që të ringremë dhe të ribashkojmë të djathtën, sepse kështu siç jemi Mateo Renci do të rrijë 20 vjet në pushtet. Megjithëse krahasimi gjithmonë çalon thoshin grekët e lashtë, në këtë rast, ai është më se i vërtetë për Shqipërinë. Gjendja në të cilën ndodhet sot opozita shqiptare është për t’u vajtuar, sepse nga kjo fatkeqësi jemi të gjithë të prekur. Një vend pa opozitë, një vend pa alternativë nuk është më një vend demokratik. Ai rrezikon që të ketë fatin e vendeve autoritare, të korruptuara e të kalbëzuara, sepse opozita është frenuesja e së keqes, opozita është gjithmonë pasqyra ku publiku sheh atë që do të realizojë, atë që nuk e bën dot qeveria, opozita është pasqyra ku publiku sheh mashtrimet e qeverisë, premtimet e pambajtura, opozita është qeveria hije që ushqen shpresën e një vendi. Mirëpo, aktualisht ne nuk kemi opozitë. Partia Demokratike është kthyer në një grumbull me zyrtarë pa identitet që nuk përfaqësojnë asgjë. Partia Demokratike është kthyer në një ferrë të madhe ku cicërijnë zogj me zë të ngjirur për një lider pa të ardhme dhe për një kohë me një të shkuar të zezë. Berisha si e shkuara dhe Basha si e ardhmja, janë dy modele që nuk kanë të ardhme. Është tragjike të shohësh sondazhet që tregojnë një rrudhje të thellë të kësaj force politike. Nga ana tjetër, edhe Partia e Bamir Topit duket se nuk është e përgatitur që të zgjerojë hapësirën opozitare. E vetmja shpresë mbetet opinioni publik, intelektualët e pavarur, por edhe këta, në shumicën e rasteve, mbeten vetëm, sepse opozita aktuale sillet sikur të jetë një qeveri e keqe, madje me veprimet që kryen e bën opinionin publik që të merret më shumë me opozitën sesa me qeverisjen. Ndaj, një nga problemet me të cilat do të ndeshet demokracia shqiptare në një të ardhme do të jetë përballja me shtetin e së majtës, i cili do të vazhdojë të qeverisë për një kohë shumë të gjatë, sepse të paktën kjo opozitë jo vetëm që nuk e konkurron dot, por të duket sikur po e ndihmon, sepse i tregon çdo ditë sesi nuk duhet të sillesh në këtë vend.

ILIR YZEIRI

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button