Home / Opinion / Diplomacia, risia e Ramës dhe hapi i madh që duhet bërë më tej

Diplomacia, risia e Ramës dhe hapi i madh që duhet bërë më tej

Diplomacia-320x230Në periudhën 1995-1997 kam punuar në Ministrinë e Jashtme dhe duke filluar nga fundi i vitit 1996 e gjatë pothuaj të gjithë vitit 1997, pikërisht kur në Shqipëri mbretëronte anarkia e njohur, i kam shërbyer vendit në Zagreb. “I shërbej vendit” është një mënyrë e zakonshme formulimi për të gjithë ata që duan të thonë se punojnë në diplomaci. Kjo mënyrë të thëni është më me kuptim për ushtarakët, por përdoret edhe në diplomaci, dhe afërmendsh, ata që e kanë përdorur më së pari në këtë rastin e dytë kanë dashur të përcjellin mesazhin, që diplomacia është një sektor i administratës publike që nuk ka kuptim të ketë lidhje me pushtetin e radhës. Sigurisht, ky i fundit mund të qëllojë që të ketë planifikuar, apo premtuar gjatë fushatës elektorale, të bëjë një diplomaci të ndryshme nga pushteti paraardhës, por këtë gjë do ta duhet ta bëjë me të njëjtët njerëz, me ata që kanë për një detyrim deontologjik “to serve their own country” (t’u shërbejnë vendit) e jo t’u shërbejnë pushtetarëve të momentit.

Unë isha zgjedhur të bëja diplomatin ato vite, edhe sepse kisha dëshirë (në fakt, më shumë kureshtje se sa dëshirë, e prandaj nga fundi i vitit 1997 e braktisa këtë profesion, që nuk e ndieja timin), por edhe sepse kështu donte Partia Demokratike në pushtet, e mbi të gjitha sepse kështu donte njeriu që e sundoi (“sundoi” në kuptimin germë për germë të fjalës) Shqipërinë në 1992-1997, Sali Berisha. Madje, ky ka qenë njeriu që ma ofroi këtë “mundësi”. Ma ofroi në momentin që unë, si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, kisha dhënë shenja të qarta se atë vetë e shihja si një rrezik të madh për vendin. Ai ma ofroi, dhe unë e pranova.

Merret vesh se kjo praktikë rekrutimi nuk ishte normale. Ishte në një masë të madhe e justifikueshme që diplomatët të ndërroheshin pas përmbysjes së madhe, e në këtë kuptim, problem nuk ishte që u hoqën diplomatët e Enver Hoxhës, ndonëse edhe këta nuk kish motiv pse të largoheshin en bloc. Problem ishte nëse, në vend të tyre, do të vinin njerëz me të njëjtin frymëzim politik e me të njëjtin disponim për t’i shërbyer, jo vendit, por partisë. Dhe ish pikërisht kjo që ndodhi. Rekrutimet në diplomaci u bënë tërësisht me logjikë politike, gjë që vetvetiu sillte që diplomatët t’i ndiheshin me hir, me pahir në borxh partisë, e sidomos “udhëheqësit”. Përfaqësitë tona diplomatike u mbushën si në kohët e Enver Hoxhës, me besnikë të partisë, madje edhe më keq se sa kaq, u mbushën me njerëz fanatikë, që më shumë ngjanin me paramilitarë se sa me diplomatë.

Ishte një gjë e shpifur të punoje nëpër ambasada edhe për një shkak tjetër. Ambasadorët, diplomatët e tjerë, e sidomos ata që nëpër ambasada kishin ardhur nga radhët e SHIK-ut, mezi ç’prisnin rast për t’u shprehur kundër opozitës. Për të pritur a begenisur ndonjërin syresh as që bëhej fjalë. Opozitarët ishin armiqtë, e ata nuk mund të priteshin. Ata duheshin lënë mënjanë, shpërfillur, denoncuar, sabotuar. Kjo ka qenë diplomacia në atë kohë. Unë nuk di që të ketë pasur raste, që një opozitar i deklaruar të trokiste pa asnjë problem në një derë ambasade e dera t’i hapej normalisht. Ka ndodhur me Besnik Mustafajn që ka pritur ndonjë opozitar në ambasadën tonë në Paris, por këta opozitarë ishin më së pari miq të ambasadorit. E pastaj, po flasim për Besnik Mustafajn, që si mik i ngushtë i Berishës kish një liri veprimi pak më të madhe se të tjerët.

Dhe kjo frymë, ndonëse me kalimin e kohës në diplomaci është krijuar e respektuar një bërthamë profesionistësh, ka vijuar deri në ditët e sotme. Para tre-katër vitesh, një diplomat shqiptar në Washington u çua si me lezet nga tryeza e një Starbucks-i, me të dëgjuar se dikush që ish ulur me të tha se po priste aty … Mustafa Nanon. Kam mbetur pa gojë kur më thanë se “aty ish dhe filani, por kish ikur prej meje”. Një diplomat që ka frikë që të takohet me një gazetar, që është kritik me kryeministrin!!! E pabesueshme, apo jo? Dhe për atë diplomat më thanë fjalë të mira, më thanë se ish një zotni burrë. Puna ishte se qyqari punonte në një klimë frike e survejimi. Donte të ruante vendin e punës, dhe takimi me një gazetar “armik” ish një arsye që ta humbte atë vend pune.

Sa më sipër i thashë, ngaqë dëgjova premtimin e Ramës se tash e tutje “opozita nuk do të luftohet më nga diplomacia, se përkundrazi ambasadat tona do të kenë edhe një protokoll pritjeje për shefin e opozitës, se ky protokoll pritjeje do të jetë i njëjtë me atë, që rezervohet për kryeministrin”, etj., etj. E duhet thënë se kjo gjë është një risi që meriton të përshëndetet, ështënjë thyerje e fortë me një traditë të shëmtuar.

Të kuptohemi, nuk është se Rama po bën ndonjë gjë kushedi se çfarë. Kjo është një sjellje e praktikë normale, tepër normale, por që merr rëndësi pikërisht për shkak të një tradite mbi njëzetvjeçare tepër anormale. Dhe Rama, siç ndodh gjithnjë pas periudhash anormale, ka avantazhin që në disa drejtime të ketë sukses apo të bjerë në sy për mirë thjesht e vetëm duke bërë ca gjëra normale.

Vetëm se këto gjëra normale nuk janë mjaft. Në këtë kuptim, edhe në lëmin e diplomacisë, nuk është se kjo e fundit bëhet më efiçente e më e zonja nga momenti që do të hapë dyert edhe për shefin e opozitës e për të gjithë opozitarët. Jo, duhen ndërhyrje të një natyre tjetër për ta bërë diplomacinë më efiçente e më dinjitoze, siç janë rritja e rrogave të diplomatëve, ndalimi i praktikave të emërimeve nepotike, veshja e ambasadorit me pushtet të plotë administrativ (ka ende sot shoferë e shifrantë ambasadash që, ngaqë janë kushërinj të njerëzve me pushtet të Tiranës, kanë fuqi më shumë se vetë ambasadori), etj., etj. Koha e atyre “injorantëve, parazitëve, kushërinjve, hajvanëve”, për të cilët flet Rama, nuk merr fund me fjalime. Koha e tyre merr fund duke ndërtuar një sistem të promovimit të njerëzve në diplomaci mbi kritere aftësish e mbi bazë karriere. Dhe ky sistem ende nuk është ndërtuar. E nuk duket se ka ndonjë plan për ta ndërtuar. Ka shumë struktura brenda kësaj mazhorance që nuk janë të interesuara të ndërtohet një sistem i tillë.

MUSTAFA NANO

Leave a Reply

Your email address will not be published.