Home / Ekonomia / Çmimet e tokave që do të merren me qira e do të blihen nga TAP

Çmimet e tokave që do të merren me qira e do të blihen nga TAP

Tokat e blera – Do të blihen vetëm dy sipërfaqe nga 40 hektarë për ndërtimin e stacionit të kompresimit në Fier dhe stacionit matës në kufirin shqiptaro-grekTokat me qira – Kompensimi do të kryhet për dy vjet dhe pronarët e tokave bujqësore do të përfitojnë shumën e parave që mund të fitonin nëse do t’i punonin ato. Toka do të kthehet në gjendjen e saj fillestare. Do të ketë kufizime të ndërtimeve në dy anët e korridorit të gazsjellësit

Gazsjellësi

Në kompensim llogariten edhe fitimet nga të mbjellat

gazesjellesi

Projekti i TAP po nis të konkretizohet në vendin tonë duke çelur fazën e parë, atë të negocimit me pronarët e tokës ku kalon gjurma e gazsjellësit Trans-Adriatik dhe ku do të shtrihet tubacioni. Një studim disavjeçar dhe mjaft kompleks ka parashikuar gjithë etapat dhe aktorët e faktorët që do të ndikojnë në ndërtimin e këtij gazsjellësi që do të furnizojë Europën me gazin që do të vijë prej burimeve të Detit Kaspik. Tashmë është parashikuar edhe mënyra sesi do të veprohet për kompensimin e pronarëve të tokës, ku do të kalojë tubacioni i gazsjellësit, që në fakt nuk do të blihet, por do të merret me qira. Vetëm sipërfaqe të vogla do të blihen nga TAP ku do të ndërtohen dy stacione, një matës, një kompresor dhe dhjetë valvula të vogla bllokimi. Pronarët e tokave bujqësore do të përfitojnë shuma të krahasueshme me përfitimet e siguruara nga prodhimet vjetore të tokave që zotërojnë. Atyre që zotërojnë të mbjella shumëvjeçare, do t’u kompensohet çdo rrënjë pemë dhe shpenzimet që nevojiten për rikthimin e parcelave në gjendjen fillestare. Ndërsa atyre që do t’u blihen tokat, do t’u kompensohen edhe pronat apo zhvillimet që mund t’i vërtetojnë se i zotërojnë. Gazeta “Shqip” ka siguruar vlerat e çmimeve të tokave bujqësore që do të jepen me qira si dhe të atyre që do të blihen nga TAP.

Kompensimi

Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) që do të lidhë burimet e gazit në Detin Kaspik me tregjet europiane, është hartuar nga TAP AG, një kompani me zyra qendrore në Baar të Zvicrës. Gazsjellësi TAP do të përshkojë Shqipërinë si në pjesën tokësore ashtu edhe në pjesën e ujërave të saj territoriale dhe parashikon implementimin e tij në bazë të kërkesave të legjislacionit shqiptar. Projekti në fjalë parashikon edhe angazhimin ndaj detyrimeve mjedisore dhe sociale, duke përfshirë kërkesat e performancës së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të cilat trajtojnë ndër të tjera blerjen e tokës, zhvendosjen e pavullnetshme dhe zhvendosjen ekonomike. Gazeta ka siguruar të dhëna se TAP AG është duke përgatitur një kuadër të detajuar të Restaurimit të Jetesës (RLF) në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi si dhe bazuar në standardet e kërkuara nga BERZH. Mësohet se RLF-ja do të mbulojë parimet e kompensimit të tokës, të të mbjellave dhe jetesës. Gjithashtu do të mbulojë edhe masën e kompensimit nga ana e projektit. Strategjia e TAP për blerjen e servitudit të tokës dhe aksesin do të bazohet në përputhshmëri me legjislacionin shqiptar, shmangien e zhvendosjes fizike dhe minimizim të zhvendosjes ekonomike, kompensim për tokën dhe të mbjellat bazuar në vlerat aktuale të tregut. Gjatë studimit ka pasur një kujdes të veçantë që gjurma të shmangë zonat rezidenciale dhe të kalojë në toka bujqësore. Toka e kërkuar përgjithmonë për instalimet mbi sipërfaqe do t’u blihet pronarëve. Ndërsa toka e kërkuar përkohësisht, përfshirë korridorin e ndërtimit të gazsjellësit dhe lehtësirat e tjera të përkohshme që do të përdoren nga TAP për kohëzgjatjen e ndërtimit, do të merret në përdorim nga pronarët dhe do t’u kthehet pasi të ketë mbaruar ndërtimi dhe toka të jetë rikthyer në gjendjen e saj fillestare. Mësohet se do të kompensohen gjithë kufizimet që do të ndodhin gjatë operacioneve. Të gjitha të mbjellat aktuale do të kompensohen me vlerën e tregut. Gjithashtu do të ketë kompensim edhe të asaj që është cilësuar si tokë jetime, e cila përftohet gjatë operacionit të zbatimit të projektit. Bëhet fjalë për ato sipërfaqe toke, të cilat ndahen ose ndërpriten në mënyrë të tillë që pjesa e pa marrë me qira nga TAP, kthehet në jo ekonomike dhe e papunueshme.

Toka që blihet

TAP do të blejë atë që cilësohet si toka e përhershme. Kjo kategori përfshin sipërfaqen 40 hektarë, ku do të ndërtohet stacioni i kompresimit (CS03) në afërsi të qytetit të Fierit dhe atë ku do të ngrihet stacioni matës në afërsi të kufirit shqiptaro-grek (CS02). Gjithashtu do të jenë edhe 10 sipërfaqe toke nga 650 metra katrorë, ku do të ndërtohen valvulat e bllokimit. TAP do ta blejë këtë tokë nga pronarët aktualë me pronësi të plotë e kohë të përhershme, me të drejta të plota për të ndërtuar dhe për të operuar me lehtësi. Mësohet se blerja e këtyre sipërfaqeve do të kryhet sipas vlerës për blerjen e tokës së projektit. Ndërkohë, do të ketë edhe kompensim me vlerë zëvendësimi të çdo strukture apo të zhvillimeve të tjera në këto sipërfaqe toke, për të cilat poseduesi mund të vërtetojë pronësinë. Nuk do të mbeten pa u kompensuar edhe të mbjellat aktuale ose shumëvjeçare, të cilat do të bazohen në vlerën e të mbjellave të projektit.

Qiraja tre vjet

Për pjesën më të madhe të sipërfaqes së tokës ku do të ndërtohet gazsjellësi, TAP nuk do ta blejë këtë tokë. Toka do të zihet gjatë ndërtimit, më e shumta për dy vite. Nga burimet e sipërcituara mësohet se TAP nuk do ta blejë korridorin e ndërtimit, por do të negociojë ta marrë me qira nga pronarët e tokës për kohëzgjatjen maksimale të ndërtimit prej dy vitesh. TAP angazhohet të rikthejë Korridorin e Tubacionit në gjendjen fillestare në fund të ndërtimit, kështu që prodhimtaria bujqësore do të nisë brenda tre viteve nga kthimi në gjendje fillestare, pohojnë burimet. Për kompensimin do të caktohet një tarifë qiraje mbi tokën e llogaritur, bazuar në të ardhurat vjetore bujqësore të pritshme në zonat në fjalë për rotacionin e të mbjellave për dy vite, pavarësisht se kohëzgjatja e zënies së saj mund të jetë më e vogël. Si për të mbjellat aktuale (njëvjeçare) ashtu edhe të atyre shumëvjeçare, kompensimi do të kryhet bazuar në vlerën e të mbjellave të projektit. Vlerat e kompensimit do të aplikohen për marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2014. Në fund të vitit 2014 do të përllogariten vlera të përditësuara kompensimi për 2015-n bazuar në inflacionin për gjysmën e parë të vitit 2014 sipas përllogaritjes dhe publikimit nga INSTAT.

Kufizimet

Përgjatë gjurmës së gazsjellësit, toka do t’i nënshtrohet disa kufizimeve. Më konkretisht, në sipërfaqen e tokës e klasifikuar si zona A, e cila do të jetë një fashë 8 metra e gjerë me tubacionin në mes, nuk do të lejohet ndërtimi i asnjë ndërtese të asnjë lloji, nuk do të lejohet plugimi i thellë dhe mbjellja e asnjë peme. Në zonën B, e cila do të jetë një fashë 40 metra e gjerë me tubacionin në mes, nuk do të lejohet ndërtimi i asnjë godine. Ndërsa në zonën C, me fashë 400 metra e gjerë, ku edhe këtu tubacioni do të ndodhet në mes, nuk do të lejohen grumbullimet e ndërtesave rezidenciale në distancën lineare prej 1.6 kilometrash. Por këto kufizime do të aplikohen vetëm në sipërfaqet tokësore që janë të përshtatshme për ndërtime dhe jo në tokat bujqësore.

Ndërtimi

Projekti TAP në Shqipëri përfshin tubacionin 200 kilometra të gjatë dhe me diametër 48” ose 122 centimetra, dy instalime madhore në sipërfaqe, stacionin kompresor CS03 afër Fierit dhe stacionin matës CS02 në afërsi të kufirit shqiptaro-grek. Në këtë projekt janë përfshirë edhe ndërtimi i rreth 10 valvulave të bllokimit, të cilat të krahasuara me stacionet e mësipërme janë shumë më të vogla. Nga burime të gazetës bëhet e ditur se ndërtimi i gazsjellësit do të kërkojë përdorimin e përkohshëm të një korridori ndërtimi 38 metra të gjerë dhe 200 kilometra të gjatë. Ndërkohë, kërkohen edhe lehtësira të përkohshme siç janë; një shesh magazinimi në Portin e Durrësit dhe shtatë sheshe të tjera magazinimi tubash përgjatë gjurmës. Në projekt është parashikuar edhe ndërtimi i disa rrugëve dytësore e zgjerimi i disa rrugëve ekzistuese që nevojiten për kalimin e mjeteve të rënda.

Vlerat për kompensimin e bimëve njëvjeçare në zonën agroklimatike të Fierit, në lekë për hektar, ku nuk është përfshirë kostoja e transaksionit.

Grurë: Nga 46 mijë lekë për kategorinë e katërt deri në 70 450 lekë për kategorinë e dytë

Misër: Nga 94 520 për kategorinë e tretë deri në 106 260 lekë për kategorinë e dytë

Jonxhë: Nga 72 283 për kategorinë e katërt deri në 164 563 për kategorinë e dytë

Domate: Nga 537 914 lekë për kategorinë e katërt deri në 968 500 për kategorinë e dytë

Fasule: Nga 362 872 për hektar për kategorinë e katërt deri në 568 687 për kategorinë e dytë

Shalqi: 900 000 lekë për hektar

Pjepër: 870 000 lekë për hektar

Kastravec: 875 000 për hektar

Speca: 850 000 lekë për hektar

Karotë: 580 000 lekë për hektar

Hudhra: 895 000 lekë për hektar

Qepë e thatë: 895 000 lekë për hektar

Qepë e njomë: 450 000 lekë për hektar

Kokë lakër: 480,000 lekë për hektar

Domate në sera: 2 800 000 lekë për hektar

Panxhar i kuq: 790 lekë për hektar

Kungulli: 900 000 lekë për hektar

Rrepa: 690 000 lekë për hektar

Bizele: 555 000 për hektar

Selino: 760 000 lekë për hektar

Panxharsheqeri: 60 000 lekë për hektar

Duhan: 190 000 lekë për hektar

Sojë: 134 000 për hektar

Vlera e tokës bujqësore për blerje në lekë për metër katror

Kategoria e tokës Sistemi i ujitjes (Po/Jo) Klima mesdhetare Fier lek për metër katror
I P 965
J 579
II P 801
J 561
III P 628
J 502
IV P 454
J 408
V P 270
J 243

Vlera e tokës në lekë për metër katror për marrjen në servitut:

Kategoria e tokës Sistemi i ujitjes (Po/Jo) Klima mesdhetare Fier lek për metër katror
I P 482.50
J 289.50
II P 400.50
J 280.50
III P 314.00
J 251.00
IV P 227.00
J 204.00
V P 135.00
J 121.50

Vlera e tokës me qira, në lekë për metër katror:

Kategoria e tokës Sistemi i ujitjes (Po/Jo) Klima mesdhetare Fier lek për metër katror
I P 96.5
J 57.9
II P 80.1
J 56.1
III P 62.8
J 50.2
IV P 45.4
J 40.8
V P 27
J 24.3

 

Bledi Gilaj

Leave a Reply

Your email address will not be published.