Home / Arte / Teater / Ervin Bejleri, në rolin e një “të çmenduri”

Ervin Bejleri, në rolin e një “të çmenduri”

Monodrama me regji të Naum Shundit, më 14-15 qershor në skenën e teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli”

Ai është një hero pa emër, por që do të japë mesazhe të nevojshme për shoqërinë. “Të gjithë janë të çmendur” quhet monodrama me autor dhe regjisor Naum Shundin që do të ngjitet në skenën e teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli” më datën 14 dhe 15 qershor. Nën interpretimin e Ervin Bejlerit, vepra mban në vetvete historinë e dy kohëve, asaj nën diktaturë dhe realitetit sot. Personazhi i kësaj monodrame rrëfen me sinqeritetin e tij deri në naivitet të gjithë kronologjinë e jetës. Pikërisht ky realitet që jetojmë është i papërtypshëm për të, pasi situatat komike në dukje e pështjellojnë emocionalisht e logjikisht vazhdimësinë e përditshmërisë së tij duke e paraqitur si të çmendur përballë hipokrizisë e lëmshit të zakonshëm metropolitan. Ky personazh ka lindur gabim, në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar. Që në fëmijëri, ai përballet me një botë që e traumatizon duke vijuar me problemet e të qenët ndryshe në shkollë, ushtri, martesë, punë dhe fatkeqësisht në familje. Komizmi i tij tragjik shpërfaq transformimin që njeriu ka bërë në kalimin e viteve e sistemeve duke e tjetërsuar dhe duke zhveshur nga gjithçka humane dhe jetësore dhe sado të përpiqet dëshpërimisht për të jetuar i qetë me veten e parimet personale në raport me të tjerët, situatat sa vijnë dhe komplikohen, duke e pamundësuar ekzistencën e tij. Ai nuk përpiqet ta ndryshojë realitetin, por përpëlitja për të qenë dhe ai vetvetja, i shkakton dhimbje pafund. Gjithçka e dhënë bujarisht nga personazhi ynë nuk ka asnjë përqafim apo kthim prapa me përjashtim të grushteve, talljes, braktisjes, ironizimit. Për regjisorin, kjo vepër është një katarsis për të gjithë shoqërinë e cila është çmendia e vërtetë dhe jo personazhi i kësaj monodrame.

Leave a Reply

%d bloggers like this: