Politika

Tërheqja e kandidatit në Kurbin, KQZ shqyrton sot kërkesën e PD-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mblidhet mesditën e së hënës për të shqyrtuar kërkesën e paraqitur nga koalicioni “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet” për tërheqjen nga kandidimi të kandidatit për kryetar bashkie Altin Biba në bashkinë Kurbin.

10 ditë pasi Kolegji Zgjedhor rrëzoi ankimimin e PD-së që kundërshtonte vendimin e KQZ-së për dorëheqjen nga gara e 21 qershorit të kandidatit Biba dhe regjistrimin në vend të tij të Ilir Pjetrajt, sërish PD i drejtohet Komisionit Zgjedhor, duke këmbëngulur në tërheqjen e kandidatit të parë.

Vendimi i marrë nga trupa e Kolegjit më 5 qershor la në fuqi vendimin e KQZ-së, sipas të cilit Altin Biba do të ishte kandidati i opozitës në Kurbin.

Gara zgjedhore në Bashkinë Kurbin është shoqëruar me debate, pas ankimit në KQZ të Partisë Socialiste, e cila kërkoi çregjistrimin e kandidatit Pjetraj, i regjistruar, sipas saj, jashtë afateve kohore.
Pas shqyrtimit, KQZ e pranoi kërkesën e PS-së, por PD-ja e ankimoi vendimin në Kolegj Zgjedhor. Ky i fundit, më 28 maj, vendosi shfuqizimin e vendimit të KQZ-së, duke e detyruar institucionin zgjedhor që më parë të argumentojë ligjshmërinë e dorëheqjes së kandidatit Altin Biba.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button