Kryeartikull

Sa të fortë duhen bërë autoritetet lokale?

Nga Mustafa Nano

Në numrin e djeshëm të Shqipit raportohej lidhur me një reformë të decentralizimit të pushtetit ekzekutiv, që do të hyjë në fuqi në gjashtë muajt e parë të mandatit të ri të autoriteteve lokale që do të dalin nga vota e 21 qershorit. Ishte interesante të vihej re se, teksa Shqipi e kish njoftuar këtë lajm qysh në faqe të parë, madje me një kryetitull, gazetat e tjera as që kishin denjuar të merreshin me të. Nuk i njoh mirë teknikat e qëmtimit të lajmit nëpër gazeta, por ma merr mendja se ka qenë Ministria e Çështjeve Vendore që ua ka përcjellë këtë çalltisje të vetën të gjitha redaksive, dhe pastaj ka qenë punë e redaksive për ta marrë në konsideratë apo për ta hedhur në kosh si një gjë pa vlerë. Nëse ka qenë kështu, nuk më duket inteligjente zgjedhja e gazetave të tjera për ta injoruar këtë lajm. Kjo reformë është, sipas meje, e rëndësishme, dhe për rrjedhojë do të duhej të fitonte vëmendjen e reporterëve, të paktën më shumë sesa lajmet me fjalimet monotone e të mërzitshme të krerëve të partive nëpër qytetet e Shqipërisë.

Çështja e decentralizimit të pushtetit ekzekutiv është shtruar për diskutim prej kohësh, të paktën në nivel mediatik. Por autoritetet qendrore nuk ia kanë vënë veshin kësaj zhurme. Dhe këtë e kanë bërë, afërmendsh, prej tahmasë së vet për të mbajtur frenat e një pushteti sa më të madh, por në të njëjtën kohë nuk mund të thuhet se kanë hequr shumë për ta arsyetuar në një farë mënyre këtë vendim. “Jashtë Tiranës mungojnë know how e aftësitë vetëqeverisëse”, është menduar e thënë, “e në këto rrethana më shumë pushtet për qeveritë lokale do të përkthehej në më shumë papërgjegjshmëri, abuzim, korrupsion e keqqeverisje”. Ilustrimet në mbështetje të kësaj teze kanë qenë të hazërta: “Shikoni batërdinë që është bërë në bregdet, në malin e Dajtit, në Kamzë apo në zona të tjera, dhe kjo ka ardhur, ngaqë së pari punët kanë qenë në dorë kryetarësh bashkish me kredenciale të dobëta morale e me formim gjithashtu të dobët politiko-kulturor, e së dyti presioni nga poshtë, d.m.th. nga ana e zgjedhësve, në mbrojtje të interesit komunitar është pothuaj zero”. Tani, ky arsyetim nuk është pa gjë, por nga ana tjetër nuk është se në qendër është manifestuar më shumë përgjegjshmëri në administrimin e pushtetit. Madje, kam frikë se po të bënim një matje të papërgjegjshmërisë në qeverisje mbi bazën e dëmeve të shkaktuara, peshorja do të anonte dukshëm nga qendra. Kjo nuk do të thotë se aftësitë qeverisëse kanë qenë më të ulëta në qendër. Jo, dëmet më të mëdha të provokuara nga qeveria e qeverisja qendrore lidhen me faktin që nëpërmjet vendimmarrjes në qendër janë administruar më shumë pará e interesa shumë më të mëdha. Garancitë që ofroheshin nga kompetenca profesionale e nga formimi kulturor i drejtuesve në qendër neutralizoheshin nga kjo që sapo thashë, e nga qasja korruptive që është njësoj e shtrirë në shoqërinë shqiptare. E prandaj papërgjegjshmëria – ky është perceptimi, të kuptohemi – mbetet në të njëjtat nivele.

Me këtë nuk dua të them se procesi i decentralizimit të qeverisjes në Shqipëri duhet të lëshohet pa frena. Ky transferim kompetencash duhet bërë me kujdes. Edhe në Bashkimin Europian ka ende vende që nuk janë të prira e të gatshme ta decentralizojnë “më shumë sesa duhet” pushtetin ekzekutiv dhe kjo ndodh ngaqë një decentralizim i pakontrolluar mund të sjellë lënien pas dore të interesit publik e kombëtar, e ndoshta thërrmimin e kompaktësisë shtetërore e kombëtare. Pastaj, ky decentralizim nuk ka kuptim të bëhet mbi bazën e një recete që vlen për të gjithë. Jo, çdo vend e bën decentralizimin mbi bazën e veçorive që e dallojnë nga vendet e tjera, me fjalë të tjera mbi bazën e një historie, kulture, morali publik, kapacitetesh qeverisëse etj., e prandaj ndodh që ky decentralizim është ndryshe në Gjermani, Itali, Zvicër etj., ku identitetet lokale janë një traditë që nuk mund të injorohet e ndryshe në Francë a Greqi, ku uniteti kombëtar është një traditë a paranojë. Më në fund, ky proces duhet shoqëruar me ngritjen e strukturave që do të vigjilonin mbi autoritetet lokale më të pushtetshme.

Thënë sa më sipër, duhet bërë nënvizimi se lajmi mbi reformën e decentralizimit të qeverisjes është një lajm i gëzueshëm. Thjesht do të ishte mirë që në këtë diskutim të përfshihej opinioni publik dhe opozita parlamentare. Nuk merrej vesh nga raportimi i Shqipit se në ç’fazë të procesit jemi, por në të thuhej se, si pasojë e kësaj reforme, do të rriten kompetencat e autoriteteve lokale në fushën e shërbimeve. Po citoj nga Shqipi i djeshëm: “Krerët e bashkive pritet që të marrin kompetenca për emërimin e personelit të arsimit parashkollor (kopshtet), të kujdesit shëndetësor, të emergjencave civile, të ujësjellës-kanalizimeve, të shërbimit të zjarrfikësve, të asistencës sociale”.

Le ta themi menjëherë që këto masa nuk ndryshojnë ndonjë gjë të madhe esencialisht. Ky është një proces që duhet të shtrihet përtej nivelit të këtyre çikërrimave, duhet të shtrihet në nivelin financiar të njësive të qeverisjes vendore. Dhe shifrat na bëjnë me dije se, për sa i takon fuqisë e autonomisë financiare të pushtetit vendor, Shqipëria është fundi i fundit të Europës. Nuk është keq krahasuar me vende të rajonit për sa i takon një autonomie fiskale (të ardhurat autonome nga taksat përbëjnë gati 50% të buxhetit komunal në Shqipëri; kjo e dhënë është marrë nga NALAS – The Network of Associations of Local Authorities in South-East Europe), por një vështrim krahasues me vende të Europës lidhur me paratë që shtihen në punë e administrohen prej njësive të qeverisjes lokale na nxjerr në një dritë të keqe. Mesatarja europiane e këtyre të ardhurave është 11,9% e GDP-së. Ndërsa në rajonin tonë, Serbia, Mali i Zi e Maqedonia e kanë këtë të dhënë respektivisht në nivelet 5,6%, 5,8% e 5,8% të GDP-së. Moldavia – sa për të marrë një shembull tjetër – e ka 9,3% të GDP-së. Dhe Shqipëria, në fund fare, e ka në nivelin e 2,2% të GDP-së (kjo e dhënë është e vitit 2012). Kjo do të thotë që qeveria qendrore në Tiranë nuk u transferon bashkive ose u transferon me pikatore, pará prej buxhetit të vet. Investimet që bëhen për qëllime lokale përcaktohen nga Tirana, shpërndahen me logjikën e diskriminimit politik dhe tenderohen nga zyrtarët e qeverisë kombëtare.

Është e kotë pra të flitet për decentralizim të pushtetit e për fuqizim të kompetencave të bashkive për sa kohë që buxheti i këtyre të fundit, i ngritur me ndihmën e taksimit apo granteve qeveritare, është më i vogël sesa niveli i xhiros vjetore të një biznesi. E prandaj, mbi bazën e gjallërisë socio-ekonomike të njësive të qeverisjes lokale apo mbi bazën e strategjisë për ta bërë të mundur këtë gjallëri, duhet bërë fuqizimi financiar i këtyre. E përveçse për të vitalizuar realitetet lokale, kjo gjë duhet bërë edhe për të arritur në pikën që qeveria qendrore të mos ketë asgjë në dorë për sabotuar/promovuar suksesin e një kryebashkiaku e që qeveritarët lokalë të mos munden më të na tundin para syve justifikimin se “nuk më lanë të punoja”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button