Home / Keshilla / Si mund ta njihni një plazh të “shëndetshëm”?

Si mund ta njihni një plazh të “shëndetshëm”?

Organizata ndërkombëtare “The Nature Conservancy”, lidere botërore në mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit, ka deklaruar se një plazh i “shëndetshëm” është gjithmonë në lëvizje, është i egër dhe ka hapësirë për t’u “rritur” …

Mjedisi

Në Shqipëri janë gjithsej 12 plazhe: Velipoja, Shëngjini, Durrësi, gjiri i Lalëzit, Kavaja, Vlora, Saranda, Ksamili, Dhërmiu, Himara, Qeparoja dhe Borshi. Nga analizat mikrobiologjike për cilësinë e ujërave të larjes në plazhet e mësipërme, për serinë e parë të monitorimit para fillimit të sezonit turistik të larjes për vitin 2015 rezulton se janë ulur plazhet me ndotje të lartë, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Informacione të ngjashme janë përcjellë edhe për plazhet e vendeve fqinje, si për ato të Greqisë, Italisë e Turqisë. Por organizata ndërkombëtare “The Nature Conservancy”, lidere botërore në mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit, mendon ndryshe: një plazh i “shëndetshëm” është gjithmonë në lëvizje, është i egër dhe ka hapësirë për t’u “rritur”. Sa më pak i “zhvilluar” të jetë aq më mirë është. Dhe kjo është vetëm një nga pikat e hartuara nga OJQ-ja për të gjetur një plazh të shëndetshëm, sepse, si ajo e thekson, “çdo gjë mbrohet në ekosistemin detar”.

Predha dhe kafshë të egra

Një plazh i “shëndetshëm” ka një “qilim” të shumëllojshëm të predhave detare. Por edhe shumë gaforre, molusqe, mbetje të algave … pra kujdes duhet të bëni më shumë nga brigjet shumë të pastra dhe të pakta me “kafshë”.

Asnjë mbeturinë

Në plazhet tona ranore dhe zallore, kanoçet, qeset plastike, bishtat e cigareve janë më të zakonshmet sesa predhat. Pa përmendur këtu plehrat e derdhura direkt në det nga popullata dhe anijet. Ato jo vetëm që janë të pahijshme për mjedisin ku ne qëndrojmë, por kërcënojnë edhe florën e faunën natyrale.

Uji i shkëlqyeshëm

Ndotja detare ndikon më pak te brigjet mesdhetare ose te liqenet, por shenja “mos u lani” është më e zakonshme. Një trajtim i duhur i ujërave të zeza dhe i përzierjes së tyre me plehra të ndryshme, sidomos në rastin e shirave të rrëmbyeshëm, është thelbësor për pastërtinë e një plazhi ku mund të notosh pa asnjë mëdyshje. Pra një plazh i “shëndetshëm” është atëherë kur uji i tij shkëlqen prej pastërtisë.

Duna rëre natyrale

Dunat e rërës, ndonjëherë të gjelbëruara, mbrojnë bregun e detit. Ato veprojnë si mburojë për të penguar valët dhe përmbytjet e mundshme. Janë gjithashtu edhe një strehë për foletë e shpendëve dhe një rezervë e rërës pas stuhive të mëdha.

Në plazhet e ndotura

Frekuentimi i plazheve të ndotura mund të shërbejë si një shkak për shpërthimin e sëmundjeve të lëkurës, ku më të spikaturat janë infeksionet në lëkurë. Pjesa më e madhe e tyre shfaqen si pasojë e ndotjes së rërës dhe të ujit. Por ka dhe raste kur pacienti mund të jetë prekur nga sëmundjet e lëkurës dhe veçanërisht nga infeksionet para se të fillojë sezoni veror. Zakonisht ndodh që infeksionet e lëkurës të shkaktohen më shumë në rastet kur pacientët janë të sëmurë. Kështu, nëse një person ka qoftë dhe një puçërr të qelbëzuar të fshehur në kokë, duke rënë në kontakt me ujin dhe rërën e ndotur bën që të shtojë vatrat e qelbëzimit, nga pjesa ku është shfaqur fillimisht në të gjithë zonat e tjera të trupit. Por, më e keqja akoma është se duke rënë në kontakt me ujin mund të bëjë që të përhapë infeksionin dhe te personat e tjerë përreth. Ndërkohë që me kalimin e kohës dhe me lënien të patrajtuar të këtyre sëmundjeve mund të depërtohet dhe në brendësi të organizmit, duke shfaqur probleme të shumta. Uji i ndotur i plazheve njëkohësisht mund të bëhet dhe shkak për shfaqjen e epidemive, të cilat mund të përhapen lehtësisht në ambientet shumë të frekuentuara. Këtu do të përmendim infeksionet dhe plagët mykotike që shfaqen në zona të caktuara të trupit. Infeksionet mykotike njihen ndryshe si njollat e bardha.

Burimi: Huffington Post

Leave a Reply

%d bloggers like this: