Te ndryshme

Këmbime valutore dhe banka që në kohën e Jezu Krishtit?

Që para 2000 vitesh, njerëzit kishin menduar të shmangnin këmbimin me para “cash” dhe kishin krijuar kësisoj një variant antik të atij që sot njihet si “çek udhëtimi”, për ta pasur me vete në udhëtimet e tyre. “Bankat” me shtrirje mbinacionale fitonin nga veprimet me to përqindje të larta

Qarkullimi i parave “cash” është një problem jo vetëm financiar dhe ekonomik, por në vetvete edhe tregues i një niveli të caktuar zhvillimi kulturor e mentaliteti të përgjithshëm për shumë vende.

Por ndërsa në Shqipëri ai po bëhet aktualisht “imperativ” i kohës drejt rrugës për integrimin europian, vetja na duket akoma si të prapambetur në mentalitet e praktikë, ndërsa mësojmë se qarkullimi pa para në dorë, pra nëpërmjet veprimeve bankare etj., ka ekzistuar, edhe pse në një masë të kufizuar, qysh në kohët antike, para dhe pas lindjes së Krishtit.

“Shihni pak yllin që ju patë në Lindje, sapo kaloi para syve, derisa ai ndaloi në vendin ku lindi dhe foshnja. Kur panë yllin, ata u gëzuan shumë dhe shkuan në shtëpi, ku gjetën foshnjën e vogël me Marian, nënën e tij, dhe u ulën në tokë e nisën të luteshin, hapën thesaret e tyre dhe dhuruan flori, temjan dhe kopër.”

Kështu shkruhet në disa nga rreshtat “Ungjilli sipas Mateut”, mbi udhëtimin e tre mbretërve të shenjtë nga Lindja në vendin ku lindi Jezusi. Dhuratat që ata kishin marrë me vete sot duken disi të pazakonta – parë nga sasia e floririt, por edhe për temjanin dhe koprën, që në atë kohë ishin jashtëzakonisht gjëra të vlefshme.

Në fakt, akoma më e çuditshme është se mbretërit që kishin ndërmarrë udhëtimin po i transportonin dhuratat dhe mallrat e tyre ashtu siç ishin, pra me peshën e prezencën e tyre fizike. Shumë më e thjeshtë do të kishte qenë, sigurisht, nëse ata do të preferonin një formë të këmbimit “cash” – pasi kjo na dëshmohet se në kohën kur lindi Jezusi ishte plotësisht e mundur.

“Sistemi financiar në Perandorinë Romake domethënë edhe në Palestinë e Izrael, asokohe paskësh qenë shumë më i zhvilluar se ç’e mendojmë ne sot”, pretendon për këtë fakt Wilhelm Geerlings, profesor për arkeologjinë kristiane në Universitetin e Ruhr-it në Bohum (RFGJ). E për këtë dëshmojnë shkrime e mbishkrime që vijnë nga ajo kohë.

Me to bankat shmangnin pagimin me para në dorë dhe shënonin emrin e poseduesit antik të kontos bankare në vlerë monetare. Kështu për shembull, na përcillet një shkrim i vjetër ku thuhet se: “Unë, Apioni, i biri i Apionit, e kam marrë çekun …”.

“Pagesa me para në dorë, pra ajo që sot njihet me emrin “cash”, në Egjipt e Palestinë asokohe njihte një qarkullim më të madh sesa po themi ajo në Gjermaninë e viteve 1914 apo në vende të tjera të zhvilluara të Europës”, thotë Geerlings. “Kush kishte prona të mëdha dhe gjithashtu para, ar e flori, posedonte sipas tij një llogari bankare.”

Ngaqë edhe autoritetet financiare kishin llogari bankare, u zhvilluan njëkohësisht edhe taksa që mund të paguheshin edhe pa para në dorë. Me ç’duket, edhe udhëtarët e shfrytëzonin këtë mundësi, për të     qenë sa më të çlirët e pa u ngarkuar me mallra e para, të cilat mund të vidheshin nga hajdutë e banditë, të cilët asokohe mund t’i hasje ngado.

Kështu pra, për ta ishin përgatitur posaçërisht të ashtuquajturat “letra krediti”. Për studiuesin e antikitetit, profesorin Geerlings, këto nuk ishin gjë tjetër veçse “çeqe të mirëfillta këmbimi (udhëtimi)”.

Nëse bankat në fillim ishin shtetërore, më vonë lindën edhe ato private, të cilat jepnin edhe kredi. Në shekullin e parë pas Krishtit ato kishin arritur të përhapeshin në një rrjet të konsiderueshëm, që rrekte kufijtë mbinacionalë, ku mund të paguheshin edhe kreditë e tyre.

Përveç kësaj, atyre u vinte në ndihmë edhe një staf bashkëpunëtorësh, që ndërkohë ishin të specializuar përafërsisht si kolegët e tyre modernë që hasim në bankat e ditëve të sotme, pra si nëpunës, operatorë e specialistë kredie etj.

Para së gjithash, biznesmenët apo më mirë tregtarët e mëdhenj dhe unionet apo organizatat e tregtarëve, ishin ata që përfitonin më shumë prej të tilla shërbimeve “high-class”. Ata përpiqeshin të siguronin nëpërmjet kontratave afatgjatë çmime paraprake e të leverdishme për mallrat e tyre të konsumit e ato bujqësore e ushqimore.

Por, në atë kohë nuk ishin të zakonshme vetëm kontot e xhirot bankare dhe përqindjet e kreditë. Profesori tregon se edhe tregu i këmbimit valutor madje lulëzonte në atë kohë.

E për këtë dëshmon historia e pastrimit të tempullit nga Jezusi, për të cilën rrëfejnë apostujt Mateu dhe Marku: “Dhe Jezusi hyri në tempull dhe nxori jashtë të gjithë shitësit e tregtarët që ndodheshin në tempull, përmbysi tavolinat e këmbyesve të parave dhe tezgat e tregtarëve të pëllumbave dhe tha se është e shkruar (Isaja 56,7) që shtëpia ime do të quhet shtëpi e lutjeve; por ju e keni kthyer atë në një shpellë hajdutësh” (Mateu 21,12).

Për ta kuptuar skenën, duhet të dimë se në atë kohë të gjithë qytetarët hebrenj që mbushnin 20 vjeç, duhej të paguanin një taksë për tempullin. Vlera e asaj takse përcaktohej pa u marrë parasysh situata ekonomike e pabarabartë e individëve. Ajo ishte e njëllojtë për të gjithë dhe duhej paguar nga të gjithë pa përjashtim.

Vlera e saj ishte dy dhrahmi. Pagesa në monedha e valuta të tjera të kohës, që asokohe haseshin dendur në qarkullim në atë rajon, nuk ishte e mundur. E kështu që para së gjithash, ishin hebrenjtë, e ata që vinin nga rajone të largëta për festën e Pashkëve në Jerusalem, që i këmbenin monedhat e tyre me monedhën vendase te këmbyesit e parave.

Këta të fundit vendosnin natyrisht kurse të larta këmbimi për të përfituar sa më shumë, gjë e cila e bëri dhe Jezusin të shpërthente në zemërim.

Një gjë e tillë e ngjashme vlente edhe për tregtarët. Ata shisnin shpesh kafshë, të cilat ishin të destinuara për t’u bërë kurban apo më mirë për t’u sakrifikuar për tempullin. Natyrisht që pelegrinët sillnin me vete edhe disa kafshë nga shtëpitë e tyre, por këto duhej të ishin të pastra për të qenë të denja, sipas riteve të kohës, për t’u sakrifikuar për tempullin.

Dhe priftërinjtë e tempullit gjenin thuajse gjithmonë ndonjë “cen”, për të “njollosur” kafshët e sjella nga larg. Më pas ata këshillonin që të sakrifikoheshin kafshët e tregtarëve vendas, që në këtë pikëpamje ishin pra më të pastra. Por merret me mend se në aspektin e çmimit ato u kushtonin shumë shtrenjtë pelegrinëve që vinin nga larg.

Tempulli në Jerusalem në atë kohë ishte shndërruar në një lloj qendre financiare e biznesi për mbarë rajonin. Sigurisht që zyrtarisht për hebrenjtë, sipas testamentit të vjetër, dhënia e parave me fajde ndalohej, por vërtetohet nga disa burime të tjera gojore se tempulli asokohe jepte dhe para me fajde.

Shuma e përqindjeve shpesh pastaj është bërë objekt edhe ekzagjerimi e manipulimi, por gjithsesi ky aktivitet ka ekzistuar. Kjo bëhet e qartë nga një raport i administratorit të provincës romake “Asia”, Lucius Licinius Lucullus, në vitin ’80 para Krishtit, i cili vlerën maksimale të fajdeve e përcaktonte në nivelin 12 për qind – dhe kjo sigurisht që nuk përbënte një nivel të vogël edhe me metrin e sotëm.

Nga arka e tempullit na bëhen me dije edhe 30 asprat e floririt, që iu dhanë Judës për të kryer tradhtinë e tij ndaj Jezusit. Ekspertët thonë se ajo që në tekstin origjinal është përshkruar me fjalën greke “arguria”, mund të konvertohej në “tetra-dhrahmi”, pra më thjesht në monedha katërdhrahmishe.

Ngaqë secila prej këtyre monedhave kishte vlerën e 14 gramëve flori, i bie që Juda të kishte marrë si shpërblim për “veprën” e tij 420 gramë argjend. Me kursin e atëhershëm të këmbimit të floririt, ajo vlerë do i përgjigjej kësisoj rreth 130 eurove të sotme.

Përgatiti: Armand Plaka

Si funksiononte paraja në antikitet?

“Didrahmes” ose monedha dydhrahmishe pra ishte një monedhë e florinjtë që shtypej në qytetin port të Tyros-it. Ajo kishte një peshë prej shtatë gramësh, një pastërti prej 95 përqindësh dhe ishte asokohe një mjet rajonal pagesash.

Një monedhë e argjendtë e përdorur në mbarë Perandorinë Romake në atë kohë ishte dhe dinari romak, që në disa përkthime në gjuhë të ndryshme të Biblës njeh dhe formën “groshë”. Ai peshonte katër gramë. Një monedhë dydhrahmishe kësisoj i përgjigjej përafërsisht në kursin e këmbimit 1,75 dinarëve romakë.

Për dinarin si njësi bazë monetare në atë kohë na kanë mbërritur shumë dëshmi e përshkrime interesante, për shembull nga mbishkrimet hebreje e romake, në Pompei e gjithashtu edhe shkrime nga Bibla. Kësisoj punëtorët në punishten e verës paguheshin me një dinar në ditë. E kjo është vërtetuar edhe me të dhëna që na vijnë nga burime të tjera.

Një shkrues rezulton se duhej të merrte rreth dyfishin e kësaj rroge. Një legjionar romak mund të fitonte, përkundrazi, vetëm dhjetë assa në ditë dhe duhet ditur se një dinar ishte baras me 16 assa. Edhe çmimet na janë dëshmuar se si kanë qenë në ato kohë. Kështu, një copë bukë kushtonte një ass dhe kësisoj rezulton se një punëtor pra me rrogën e tij ditore mund të blinte 16 copa bukë, sa për të mbijetuar.

Na rezulton se rroga ditore pra dilte e tepronte, por më tej se kaq shumica e popullsisë nuk mund të shkonte në ato kohë, pasi një mantel i thjeshtë kushtonte për shembull katër deri në 12 dinarë, një dele tetë dinarë dhe një qengj apo gomar 100 deri në 200 dinarë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button