Home / Arte / Libri / Librat e rinj

Librat e rinj

Milan Kundera

“Identiteti”

Shqipëroi: Mira Meksi
Botimet: “Dituria”

Ndodh në disa situata, për një çast, të mos njohim personin që kemi pranë, kur identiteti i tjetrit befas fshihet si me dorë dhe ne nisim e dyshojmë edhe për tonin. Kjo ngjan edhe me çiftet – përnjëmend, sidomos me çiftet, sepse të dashuruarit i tremben më shumë se gjithçkaje tjetër të “humbasin nga sytë” të dashurin e zemrës.

Me një art që të mahnit dhe duke luajtur me variacionet e këtij momenti domethënës, Milan Kundera e ka bërë këtë situatë – dhe ndjesitë e panikut që ajo frymëzon – subjektin e romanit të tij. Këtu lakonizmi shkon në një hap me forcën e rrëfimit dhe një moment hutimi vë në lëvizje një zinxhir kompleks ngjarjesh, që e detyron lexuesin ta kalojë e rikalojë kufirin mes fantazisë dhe së vërtetës, mes asaj që ndodh në botën jashtë dhe asaj çka mendja krijon në vetminë e vet.

Geverina Muzhaqi

“Stina e pestë”
Roman
Botimet: “Dudaj”

Ka një “stinë të pestë” në jetën e gjithkujt. Është një stinë pa ngjyra e pa konture, pa hapësirë e kohë, por e mbushur me perceptime të gjithëllojshme, ku individi gjendet përballë vetes. “Stina e pestë” është një udhëtim imagjinar drejt shpirtit ku buthton shpresa e mbështjellë me forcë e pozitivizëm. Është stina e dhembjes, por dhe rruga e mundimshme në kërkim të vetvetes. Është guximi për t’ia nisur sërish nga fillimi. Është forca për t’u ringritur. Një libër që, pa frikë, mund të zgjidhet ndër librat që meritojnë të lexohen patjetër, madje edhe duke lënë mënjanë “punë të rëndësishme”. Nuk do të lexoni thjesht një roman tërheqës për nga subjekti e ku personazhet janë skalitur e tipizuar në mënyrë të tillë që nuk harrohen.

Anna Godbersen
“Thashethemet”
Botimet: “Bota shqiptare”

Në qytet përhapen thashethemet për vdekjen e papritur të yllit më të shquar të shoqërisë së lartë në Nju Jork, Elizabeta Holandit dhe të gjithë i kanë sytë te të afërmit dhe miqtë e së ndjerës: e motra Dajana, e vetmja shpresë për shpëtimin e familjes, Henri Shonmajkeri, zjarri që nuk e ngrohu Elizabetën kurrë, Penelopa Hejsi, e etur të rrëmbejë gjithçka që ka lënë pas shoqja e saj më e mirë, madje edhe ish-shërbyesja e Elizabetës, Lina Braudi, e cila zbulon se ndërkohë që paraja sjell botën vërdallë dhe prejardhja fisnike është kryesorja, thashethemi të hap shumë dyer … Në këtë vazhdim të mrekullueshëm të serisë Luksi, nga New York Times, asgjë nuk është më i rrezikshëm sesa skandali … ose më i çmuar sesa sekreti.

Ledi Kacani Myshketa

“Meshë e trishtë për Lek Zaharinë”

Botimet: “Dudaj”
“Një roman i kompozuar me teknikën e një kartele frojdiane, ku lidhja si në një potpuri e episodeve kyçe nga jeta e personazhit kryesor, Lek Zaharia, kërkon të shpjegojë krizën e papajtueshmërisë se një shpirti të kulluar me realitetin kompleks të jetës bashkëkohore. Me një gjuhë të gjallë dhe me një stil të zhdërvjellët, ku tregimi linear thyhet vazhdimisht nga hovet e një proze të kultivuar, ushqyer me poezinë e mirë të shekujve, shkrimtarja rrëfen trajektoren dramatike të pranimit të papërsosmërisë, që nuk duhet të na bëhet pengesë për t’u shkëputur, për t’u ndier të lirë, për të qëndruar mbi të keqen, të shëmtuarën apo të ligën, për të jetuar në mbretërinë e dyfishtë, tokësore dhe qiellore, të dashurisë”, shkruan për këtë libër Preç Zogaj.

Leave a Reply

%d bloggers like this: