Home / Opinion / Po shohim ojna, e jo shenja, të luftës kundër korrupsionit

Po shohim ojna, e jo shenja, të luftës kundër korrupsionit

Nga Mustafa Nano

Po ju tregoj një histori: Një nënë hyn në sherr me të birin dhe vjen një moment, në të cilin hahen fizikisht, duke dëmtuar njëri-tjetrin.

Një syresh bën një padi, dhe kështu çështja i nënshtrohet vlerësimit në një proces penal. Prokurorët hartojnë një dosje, dhe dosja përfundon në duart e një gjyqtareje. Palët përgatiten për të shkuar në seancë gjyqësore dhe zgjedhin avokatët e tyre, mirëpo në pritje të procesit edhe ftillohen mbi faktin që ishin duke spektakolarizuar kot më kot një konflikt familjar, gjë që do dëmtonte imazhin e nënës, birit e familjes në tërësi, edhe marrin vesh se i janë futur një rruge, në fund të së cilës do të dënoheshin që të dyja palët me burg. Ka një nen në Kodin Penal (neni 130), ku thuhet se “rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është… gjini e afërt… me autorin e veprës penale me pasoja cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim gjer në dy vjet”. Po në këtë nen vijohet të thuhet se “kanosja serioze për vrasje ose për plagosje të rëndë ndaj personit që është… gjini e afërt… me autorin e veprës penale me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij dënohet me burgim gjer në tre vjet”. Dhe në fund të këtij neni jepet një përcaktim tjetër penal lidhur me një skenar të tretë të dhunës në familje: “Plagosja e kryer me dashje ndaj personit që është… gjini e afërt… me autorin e veprës penale që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim gjer në pesë vjet”.

Sherri në fjalë i bart të tria këto situata dhune që parashikohen në nenin 130 të Kodit Penal, e prandaj i binte që, me gjasë, të dyja palët të dënoheshin, në rastin më dramatik me burg gjer në pesë vjet, e në rastin më ideal gjer në disa ditë. Në këto rrethana, nënë e bir i kanë thirrur trurit dhe kanë folur me njërin prej avokatëve, të cilin e kanë bërë me dije se ata i kanë gjetur telat me sho-shoqin, se ata janë pajtuar, se ata nuk duan që njëra apo të dyja palët të përfundojnë në burg. Punë me mend, apo jo? Mirëpo, këtu u del përpara një yçkël kafka-iane. Është fjala për një xanxë të papritur të burokracisë së sistemit gjyqësor, më saktë të doktrinës sonë penale. Në fund të nenit 48 të Kodit Penal, ku përcaktohen rrethanat lehtësuese të personave që janë duke u gjykuar, bëhet një përjashtim. Dhe thuhet, se në rrethanat e dhunës në familje, edhe nëse vjen një moment kur marrëdhëniet ndërmjet personit që ka kryer veprën penale dhe të dëmtuarit normalizohen, kjo nuk sjell për asnjë arsye lehtësim të dënimit. Me fjalë më shqipe, gjyqi do të bëhet se s’bën, dhe palët fajtore do të dënohen me burg.

“Po si i bëhet?”, pyesin palët avokatin. Dhe ky i fundit u gjen një deus ex machina. “Shikoni, – u thotë ai, – nuk ka asnjë rëndësi që ju jeni pajtuar, që ju jeni penduar apo që ju e keni falur njëri-tjetrin; makina e procesit është nisur e nuk mund të ndalet; ju do përfundoni me hir, me pahir në burg. Favori maksimal që mund t’ju bëhet është të merrni një dënim me kusht, me fjalë të tjera ju do të vijoni jetën normale jashtë burgut me detyrimin për paraqitje në intervale të caktuara kohe. Por për t’ju bërë këtë favor, gjyqtarja kërkon në këmbim 200 mijë lekë.” “Ok”, ia bëjnë palët, dhe lënë të nesërmen me avokatin një takim, në të cilin do duhej të shkonin me 200 mijë lekët me vete. Mirëpo, ndërkohë e mbajnë frymën në redaksinë e programit TV “Fiks Fare” dhe pas kësaj në prokurori, ku kallëzojnë gjithçka tëk e tëk e tëk. Prokurorët marrin frenat e lojës në dorë. I japin një përfaqësuesi të palëve në gjykim 200 mijë lekë, me numra serie të regjistruara, dhe e urdhërojnë që këto para t’ia japë avokatit. Dhe në ndjekje të lojës, arrijnë të kapin në flagrancë avokatin, që kish mbajtur 3/4 e shumës për vete. Çerekun ia kish hedhur gjyqtares në tryezën e punës, në zyrë. Dhe gjyqtarja, pa ndonjë skrupull kushedi se çfarë, i kish marrë dhe i kish vënë drejt e në portofolin e vet. Pas kësaj, bëhet arrestimi i avokatit dhe i gjyqtares. Arrestimi është i natyrës spektakolare. Janë porositur kamerat TV, dhe është filmuar çdo gjë. Gjyqtarja quhet Parashqevi Ademi, dhe punon prej kohësh në Gjykatën e Faktit, Lezhë. Avokati quhet Gjovalin Prendi.

Siç shihet, sidomos nga emrat e personazheve në fund, kjo është një histori reale, për të cilën është raportuar gjithë këto ditë nga gazetarët. Tani, le ta themi qysh në fillim që nuk ka fare keqardhje për një gjyqtar që lejon dikë, për më tepër avokatin e një çështjeje të sapogjykuar në seancë gjyqësore, t’i hyjë në zyrën e tij, që është një nga zyrat më të rëndësishme të republikës, e t’i hedhë lekë mbi tryezë. Ky është një gjest i shëmtuar dhe i dënueshëm, e do të ishte muhabet i kotë ta justifikoje duke thënë se “hajt mo, se 50 mijë lekë janë”. E përveçse është i shëmtuar e i dënueshëm në vetvete, mendja ta thotë se ky është një gjest që ajo mund ta ketë bërë edhe herë të tjera. Nga e di unë? Nuk e di. Nuk kam se si ta di. Por di njeri t’i japë përgjigje pyetjes që më lind mua: Pse u dashka besuar që kjo është hera e parë që ajo e ka bërë?

Në gjithë këtë histori, megjithatë, ka gjëra që nuk shkojnë. Së pari, të krijohet ideja se e gjithë ngjarja është menduar t’i shitet mirë publikut, e prandaj në thelb nuk ka të bëjë shumë me luftën reale kundër korrupsionit. Pse duhej filmuar arrestimi i kësaj gjyqtareje? Nëse nuk ka qenë vetë prokuroria që e ka filmuar, e më pas ua ka shpërndarë këtë material televizioneve, pse do duhej që të njoftoheshin televizionet se në një orë të caktuar të një dite të caktuar do të bëhej një arrestim në flagrancë? Pastaj, pse u dashka që gjyqtarja të ndiqet penalisht në rrethana të burgimit? Dhe e fundit: Është kjo një provë se po luftohet korrupsioni në sistemin e drejtësisë? A mos vallë dikë me pushtet e gënjen mendja se ne qytetarët e shkretë po presim si provë të luftës kundër korrupsionit arrestimin e dënimin e një gjyqtari, të cilit i hedhin mbi tryezë 50 mijë lekë (sa për saktësim të kronikës, por jo vetëm: 1. nuk dihet që gjyqtarja të ketë kërkuar lekë për vendimin që do jepte, e prandaj nuk dihet që këtë vendim ta ketë marrë nën ndikimin e ndonjë pazari të bërë paraprakisht; 2. gjyqtarja ka dhënë si dënim atë që propozonin vetë prokurorët në aktpadinë e tyre)?

Përsëris: Në këtë mes nuk ka keqardhje për gjyqtaren në fjalë, e cila bën vaki që mund ta meritojë diskreditimin që iu bë faqe botës për vepra të tjera që ne nuk ia dimë (është supozim ky, të kuptohemi). Puna është se ne nuk mund të pranojmë që e gjithë kjo të na shitet për luftë ndaj korrupsionit. Kjo nuk është provë se korrupsionit në drejtësi po i bëhet luftë. Nuk duket se ka edhe aq kuptim të dënohet një gjyqtare për 50 mijë lekë ryshfet në një kohë që me dhjetëra gjyqtarë, ndoshta edhe ajo vetë, kanë apartamente e vila të tyret në kryeqytet e në bregdet, apo në një kohë që shumë gjyqtarë bëjnë jetë luksi, bëjnë pushime nëpër vende që janë imitim në tokë i parajsës në qiell, bëjnë udhëtime me avion në business class, etj, etj. E për sa u takon pasurive, nuk është se i kanë të fshehura. Jo, i kanë të deklaruara në ILDKP (Inspektorati i Lartë për Deklarimin e Kontrollin e Pasurive). Dhe të justifikuara, rëndom, si prona që u janë falur apo dhuruar nga të afërm.

E dini? Ju keni dëgjuar se në Vlorë është arrestuar shoferi i kryetarit të Gjykatës së Apelit, se është bërë një përgjim, dhe ka rezultuar se ky shofer ka bërë dhe punën e një sekseri. Ai i ka kërkuar një pale në gjyq 20 mijë euro ngaqë, sipas tij, ato i kërkonte trupa e gjykimit të çështjes. Dhe është kapur në flagrancë duke e marrë këtë shumë. E bukura është se fabula shkon deri këtu, deri te shoferi, jo më tutje, dhe në Tiranë kanë zënë të thonë se përgjimit nuk kanë dashur t’i shkojnë deri në fund nga meraku, apo nga siguria, se do përfundonte në rrjet ndonjë peshk shumë i madh.

Pyetja e fundit që bëj është kjo: Vërtet besojnë se ne do t’i marrim këto aksione të bujshme kundër një gjyqtareje që ka pranuar 50 mijë lekë e kundër një shoferi të një gjykate si prova të luftës ndaj korrupsionit në një kohë që vetëm një vend pune në një gjykatë – ky ishte lajmi bombastik i ca ditëve më parë – është blerë me 300 mijë euro?

Leave a Reply

%d bloggers like this: