Teater

Prezantohet projekti për restaurimin e Teatrit “Migjeni”, ndërhyrja e fundit ishte në vitin 1958

Ndërhyrje në impiante, në sistemet teknologjike, në strukturën e jashtme, fasadë dhe skenografi, ky do të jetë restaurimi më i ri për Teatrin “Migjeni” në qytetin e Shkodrës, falë projektit të prezantuar nga Ministria e Kulturës, ndërhyrje e cila për herë të fundit është kryer në vitin 1958.

Gjatë prezantimit të projektit, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh se “vetëm pak muaj më parë, konkretisht në 4 shkurt 2015 kam marrë një letër të shqetësuar të drejtorit të Teatrit Migjeni, Edmond Angoni. Ai njoftonte për gjendjen e mjeruar të ndërtesës dhe kushtet teknike, që e bënin të pamundur zhvillimin e aktivitetit artistik. Që nga momenti i marrjes së detyrës dhe deri më tani kam shpehur gadishmërinë dhe vullnetin e institucionit që drejtoj, në mbështetje të artistëve dhe skenës kulturore, sepse artin nuk e bëjnë politikat, por njerëzit e kulturës, skena nuk është e politikës, por e njerëzve të artit”.

Sakaq, Kumbaro shprehu gadishmërinë e saj për të mbështetur projekte të tilla, që lidhen me objektet e kulturës.

“Në pak muaj kemi bërë realitet një projekt restaurimi të teatrit, i cili kap vlerën e 86 milionë lekëve, për të përballuar fazën e parë të restaurimit. Jam këtu për të shprehur gadishmërinë time dhe të gjithë qeverisë për restaurimin e teatrit, jo vetëm si objekt kulture por edhe si monumente të njerëzve të kulturës.

Ky fond është hapur nga qeveria shqiptare që ta bëjmë realitet këtë projekt brenda vitit 2015”.

Sa i përket projektit që do të aplikohet, faza e parë e projektit , quajtur edhe faza e shpëtimit është menduar të ndërhyjë në impiantet dhe sistemet teknologjike. Konkretisht do të ndërhyhet në impiantin elektrik, i amortizuar dhe pa asnjë projekt që nga koha e ndërtimit, në impiantin mekanik të skenës dhe në impiantin e ndërrimit të ajrit. Projekti parashikon edhe ndërhyrje emergjente në sistemin e mbrojtjes nga zjarri, ku ekspertiza e kryer e gjen jashtë çdo sistemi funksional.

Në aspektin struktural do të ndërhyhet në strukturën e mbulimit në holl, skenë dhe sallë. Elementet arkitektonikë parashikojnë ndërhyrje në çati, ku do të merren masa për vendosjen e kapriatave, binarëve, etj. Projekti parashikon ndërhyrje në katin e nëntokës në sistemin e drenazhit dhe në fasadën e të gjithë ndërtesës.

Ky fond, i hapur nga qeveria shqiptare shkon paralelisht me rikonstruksionin e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, faza e pare e të cilave do të realizohet brenda vitit 2015.

Ndwrkaq, projekti është hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe fondi i akorduar për fazën e parë të punimeve kap shifrën e 86 milion lekëve të reja.

Pjesë e këtij aktiviteti ishin artistë të Teatrit “Migjeni, si dhe personalitete të njohur të jetës kulturore të qytetit si Bik Ndoja, Gëzim Kruja, Tonin Tërshana, Bruno Shllaku, Fadil Kraja, Alma Hoti Memo, Rita Gjeka, Merita dhe Fatbardh Smaja, Jozef Shiroka, Emiljano Palali etj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button