Home / Europa / Korrupsioni në FIFA, bankat zvicerane raportojnë llogaritë e dyshimta
Kryeprokurori zviceran, Michael Lauber

Korrupsioni në FIFA, bankat zvicerane raportojnë llogaritë e dyshimta

Bankat zvicerane kanë raportuar aktivitete të dyshimta në lidhje me llogaritë bankare të trupës qeverisëse të futbollit botëror, FIFA.

Lajmi është bërë i ditur nga Prokurori i Përgjithshëm i Zvicrës, Michael Lauber, i cili ka shtuar se zyra e tij ka nisur analizimin e një “sasie të madhe” të të dhënave të sekuestruara nga FIFA, për llogari të hetimeve për korrupsion.

Lauber deklaroi gjithashtu se nuk përjashton aspak mundësinë e marrjes në pyetje të Presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, si pjesë e investigimit që mund të çojë në rihapjen e proceseve të ofertave për organizimin e Botërorëve të viteve 2018 dhe 2022.

FIFA përballet me akuzat e një korrupsioni të gjithëpërhapur, pasi policia zvicerane mësyu një hotel në Zyrih dhe arrestoi 7 ish-zyrtarë të organizmit botëror gjatë muajit të kaluar. Të 7 të ndaluarit janë arrestuar pas kërkesës së Departamentit amerikan të Drejtësisë, që ka ngritur akuza ndaj 14 zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve për “korrupsion të shfrenuar, të vazhdueshëm dhe të rrënjosur thellë”.

Akuzat janë ngritur pas një hetimi masiv të nisur nga Byroja Federale e Hetimit, FBI.

Gjatë një konference për shtyp, Lauber tha se hetimi i nisur prej tij do të shqyrtojë edhe 53 marrëdhëniet financiare mes FIFA-s dhe bankave zvicerane, të raportuara nga njësia financiare e kundërzbulimit të Zvicrës.

“Kemi të bëjmë me një hetim kompleks dhe me shumë implikime ndërkombëtare. Hetimi do të vazhdojë dhe do të marrë kohë. Bota e futbollit duhet të jetë e durueshme, pasi për nga natyra e tij, ky hetim do të marrë më shumë sesa 90 minutat e famshme të një ndeshjeje futbolli”, tha ai.

Leave a Reply

%d bloggers like this: