Home / Rajoni / Maqedonia / Gruevski: Nuk lejojmë përshkallëzim të situatës

Gruevski: Nuk lejojmë përshkallëzim të situatës

Nuk do të lejojmë që përmes protestave, situata të përshkallëzohet dhe të ndikojë raportet ndëretnike në vend. Kështu u shpreh Kryeministri Gruevski, duke komentuar protestat kundër vendimit me burgim të përjetshëm të 6 persovae në rastin “Monstra”. Sipas tij, është e drejtë e gjithkujt që të shprehë revoltën përmes protestave, mirëpo Gruevski u tregua kategorik se nuk mbështet protestat e dhunshme të cilat nuk shkojnë në dobi të asnjërës prej palëve.

“Protesta në të cilat përdoret dhuna është diçka që nuk mund ta mbështesë askush,  në asnjë shtet dhe në asnjë mjedis, e as në shtetin tonë. Në këtë aspekt dua të them se MPB-ja në mënyrë profesionale ka kryer detyrën ditëve të kaluara, dhe ne si shtet nuk do të lejojmë që këto protesta të përshkallëzojnë deri në atë shkallë sa të rrezikojnë interesat e qytetarëve apo të institucioneve”, tha Nikolla Gruevski, Kryeministër.

Gruevski tha se persona, grupe apo organizata që shkaktuan dhunë përmbushin agjendën e tyre personale apo të dikujt tjetër. Megjithatë ai u shpreh i prerë se Maqedonia ka kapacitete për t’u përballur me raste të tilla.

“Akoma më shqetësuese është mbështetja që një numër i caktuar individësh dhe disa grupeve, në mënyrë direkte apo indirekte hedhin benzinë në zjarr, për shkak të ndonjë agjende të dikujt apo ndonjë agjendë partiako-politike, ose nuk e di se çfarë, por për çdo rast jo vetëm që kontribuojnë në prishje të klimës në këtë drejtim por qartë dëshmojnë se po zbatojnë ndonjë agjendë e cila nuk është interes as të maqedonasve e as të shqiptarëve”, deklaroi Nikolla Gruevski, Kryeministër.

Edhe kreu i qytetit të Shkupit apeloi për protesta të qeta, sepse sipas tij po dëmtohet qyteti. 

“Apelojmë të jetë qetë, gjithsecili që do të protestojë, të protestojë në mënyrë demokratike ku do të mund të tregojë mendimin e tij, pakënaqësinë e tij, të përcjell mesazhin për atë që proteston, qëllimi është që e gjithë kjo të bëhet qetësisht, sepse edhe qyteti i Shkupit po shkatërrohet, po shkatërrohen pajisjet, kontejnerët dhe shumë të mira shoqërore”, u shpreh Koce Trajanovski, Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Kjo ishte dalja e parë e Kryeministrit Gruevski lidhur me protestat. Qytetarë shqiptarë u ngritën jo vetëm në Shkup, por edhe qytete të tjera, për të kundërshtuar dënimin me burgim të përjetshëm të 6 personave në rastin ‘Monstra’.

Leave a Reply

Your email address will not be published.