Home / Kryeartikull / Mundësitë për më shumë përfaqësim me zgjedhjet e 21 Qershorit

Mundësitë për më shumë përfaqësim me zgjedhjet e 21 Qershorit

Nga Fiorela Shalsi

Studimet me fokus votuesit dhe për më tepër gratë dhe vajzat rrallë bëjnë lajm kryesor.

Rrjedha e përditshme e ngjarjeve politike apo kriminale zotërojnë peizazhin tonë mediatik dhe informacione të tjera domethënëse që vijnë nga fushat e studimeve dhe përpjekjeve për zhvillim mbeten jashtë vëmendjes. Një studim shkencor, që mund të ofrojë të dhëna orientuese dhe strategjike jo vetëm për politikën, por mbi të gjitha votuesin, lehtësisht mund të lihet mënjanë për t’u lënë vend ndodhive sensacionale apo herë-herë edhe çorientuese.

Ky ishte rasti edhe me një studim të ideuar nga UN Ëomen, mbështetur nga qeveria suedeze dhe kryer nga Instituti për Kërkime Zhvillimi dhe Alternativa (IDRA). ‘Liria e Votës dhe Votimi Familjar në Shqipëri’ është një studim kërkimor i publikuar më 2014-n dhe përmban gjetje me rëndësi për zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015, por dhe më gjerë. Mandatuar në një kohë kur barazia gjinore ende duhet arritur dhe pjesëmarrja publike dhe përfaqësimi i grave në politikë është i ulët, studimi hedh dritë mbi një sërë çështjesh që lidhen me proceset zgjedhore si liria e votimit, si votojnë qytetarët shqiptarë, përfshirja dhe përfaqësimi i grave në jetën politike dhe praktikat e dëmshme që cenojnë të drejtën e votës, si blerja apo shkëmbimi i votës, votimi familjar etj.

Gjetja kryesore e studimit ngjall debat: shumica e popullatës në Shqipëri dhe veçanërisht gratë, kanë shumë pak interes për politikën. Por a nuk jemi në fakt një shoqëri tepër e politizuar dhe a nuk është politika buka jonë e përditshme? Mesa duket shifrat nuk e mbështesin këtë paragjykim të zakonshëm ose të paktën kur vjen fjala tek ‘interesi aktiv’ i shprehur në anëtarësime, pjesëmarrje dhe aktivitete publike. Megjithëse interesi është i ulët për të dyja gjinitë, gratë janë dy herë më pak të interesuara për politikën sesa burrat. Siç shprehet edhe një nga të intervistuarat në studim, “të vetmet gra që janë të interesuara për politikën janë ato që kanë një punë dhe duan ta ruajnë atë”.

Gratë tregojnë dy herë më pak angazhim kur vjen fjala për të kontaktuar zyrtarë publikë, për të shprehur opinionet e tyre qoftë edhe në media sociale, për të telefonuar apo dërguar mesazh gjatë një programi televiziv apo për të nënshkruar peticione.

Përveç kësaj, vetëm 10% e grave shprehen se janë anëtare të partive politike dhe organizatave fetare apo shoqërore, ndërsa për burrat ky anëtarësim është gati 30%. Pra duket se burrat janë tri herë më shumë të angazhuar se gratë në nisma politike dhe civile.

Duket se shumë më tepër burra se gra kanë interes, përfshihen dhe si pasojë zgjidhen apo emërohen në pozicione vendimmarrëse. Por nga ana tjetër është për t’u theksuar se gratë kanë një pjesëmarrje më të lartë ose të barabartë me burrat në votime: sipas studimit të sipërpërmendur ‘Lira e Votimit dhe Votimi Familjar në Shqipëri’, 88% e grave votuan në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kjo pjesëmarrje rezulton e lartë edhe sipas disa studimeve dhe monitorimeve të mëparshme të pjesëmarrjes së grave ditën e zgjedhjeve. Për më tepër, duke iu referuar sërish studimit, si burrat dhe gratë (93%) e mbështesin pjesëmarrjen e grave në politike si ‘kandidate për poste publike’ dhe (87%) besojnë se gratë zotërojnë kapacitetet e nevojshme për të vendosur mbi çështjet politike. Ndaj, pavarësisht se gratë duket se shfaqin një interes të ulët ndaj politikës dhe angazhimit publik përmes anëtarësimit apo rrjeteve sociale e televizive, ato e shprehin interesin e tyre të drejtpërdrejtë përmes të drejtës së votës!

Ky është një mesazh shumë i fuqishëm që lë të kuptosh se ndoshta analiza nuk duhet përqendruar te fakti se gratë nuk janë të interesuara në politikë, nuk janë të afta apo nuk duan të marrin pjesë në vendimmarrje. Analiza dhe puna duhet të përqendrohet gjetkë: te mundësia që sistemi shoqëror dhe sistemi politik u jep grave të marrin pjesë në jetën publike.

Një mundësi e shkëlqyer politike për të zvogëluar hendekun midis pjesëmarrjes dhe përfaqësimit janë zgjedhjet dhe veçanërisht zgjedhjet lokale. Gjatë vitit 2015, nisma parazgjedhore e Aleancës së Grave Deputete ishte kritike për të adresuar këtë çështje. Kjo nismë ishte në linjë me punën disavjeçare të shoqërisë civile, një sërë organizmash ndërkombëtarë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor lidhur me kuotën gjinore dhe solli ndryshime të rëndësishme nga vitet e mëparshme. Këto ndryshime mundësuan rritjen e kuotës me 50% për përfaqësimin e grave në listat zgjedhore për këshilla bashkiakë, nëpërmjet mekanizmit zinxhir ‘1 në 2’ përgjatë gjithë listës, si dhe forcuan sanksionet me refuzim të listave partiake që nuk plotësojnë kuotën gjinore për kandidatë të këshillave bashkiakë.

Ky ishte një fillim shumë pozitiv për të përmirësuar përfaqësimin e grave. Por me gjithë ndryshimet legjislative, një analizë paraprake e listave të kandidatëve për kryetarë bashkish për zgjedhjet e ardhshme vendore të 21 qershorit, tregon se partitë politike ende kanë vështirësi në promovimin e grave dhe vajzave në poste të larta administrative ose përfaqësuese. Nga 138 kandidatë për kryetarë bashkish, vetëm 15 kandidate janë gra ose rreth 11% e tyre. Në këtë drejtim, një analizë e thelluar e situatës ligjore aktuale dhe sigurimi i zhvillimit të qëndrueshëm të barazisë gjinore nëpërmjet detyrimit ligjor (me sanksionet përkatëse) edhe për kandidatët për kryetarë bashkie përbën domosdoshmëri.

Pas ndarjes së re administrative dhe territoriale ka më pak bashki në Shqipëri. Duke qenë se njësitë e qeverisë vendore tani janë më të konsoliduara dhe me më shumë shtrirje gjeografike, partitë duhet të kishin më pak vështirësi në përcaktimin e numrit të duhur të grave në listat e tyre. Koalicioni i drejtuar nga PD-ja ka vetëm 4.9% gra në listën e kandidatëve, ndërsa koalicioni i drejtuar nga PS-ja ka 20.3%. Kjo ngre pyetjen: Si mund të shpresojmë të shohim një numër më të madh të grave të zgjedhura si kryetare në 61 bashkitë e reja, duke pasur një përfaqësim kaq të ulët në listat e kandidatëve? Megjithatë është për t’u përgëzuar fakti se gratë kandidojnë në rrethe të rëndësishme në vend, si në Shkodër, Durrës, Gjirokastër, Sarandë e Pogradec.

Nga ana tjetër, duket se partitë politike janë më të gatshme të përmbushin kuotat për anëtarësinë në këshilla dhe komisionet zgjedhore. Nga numri total i kandidatëve për këshilltarë 49,36% janë gra, po ashtu kanë tejkaluar edhe kuotën prej 30% të përfaqësimit në komisionet zgjedhore. Por një analizë e thelluar e listave dhe e pozicioneve fituese te listat e kandidatëve do të na bëjë të kuptojmë që në këshillat e ardhshëm bashkiakë nuk do të kemi 50% përfaqësim të grave, por sigurisht do të kemi një rritje të ndjeshme në krahasim me përfaqësimin e fundit prej 14.8%.

Një risi e këtyre zgjedhjeve është edhe informacioni, të dhënat dhe statistikat gjinore që do të ofrohen nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Përmes një sesioni të veçantë ‘Barazia Gjinore’, në faqen kryesore të KQZ-së përftohen një sërë të dhënash mbi pjesëmarrjen e grave në zgjedhje si kandidate dhe si komisionere dhe për herë të parë për këto zgjedhje KQZ-ja do të ofrojë të dhëna edhe për gratë si votuese. Kjo është një e dhënë shumë e rëndësishme që do t’u shërbejë jo vetëm mbështetësve të barazisë gjinore, por mbi të gjitha vetë partive politike.

Vetëm pas pak ditësh, më 21 qershor, qytetarët do të zgjedhin përfaqësuesit e qeverisë vendore. Gjasat janë se gratë do të jenë po aq votuese aktive sa më parë. Ndaj është e rëndësishme të kuptojmë se si partitë politike zbatojnë ligjin, premtimet dhe realisht çfarë ofrojnë në platformat e tyre elektorale për gratë. Në këto ditë të fundit parazgjedhore, elektorati i grave duhet të jetë shumë i vëmendshëm, duke ditur se ka një pushtet të barabartë vendimmarrës me elektoratin e burrave kur vjen fjala për të hedhur votën. Por ky pushtet nuk duhet të mbetet vetëm këtu. Ndaj edhe pse sërish larg masës kritike apo barazisë, vota e 21 qershorit është një mundësi e re për të rritur edhe më shumë përfaqësimin e gjysmës së popullsisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.