Kryeartikull

Protestat në Shkup dhe identitetet fetare

Jordan Jorgji 

Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, IRJM-ja, është vënë në qendër të vëmendjes, ditët e fundit, për shkak të protestave të popullsisë shqiptare në disa zona të Shkupit, të cilat shpërthyen për shkak të pakënaqësisë ndaj dhënies së dënimit me burgim të përjetshëm ndaj të akuzuarve të vrasjes së pesëfishtë dy vjet më parë. Autoritetet akuzuan si përgjegjës për vrasjen, disa shtetas të IRJM-së, të cilët janë të kombësisë shqiptare. Ata u cilësuan si terroristë, si edhe pjesëmarrës të organizatave radikale islamike në vend. Është për t’u theksuar fakti se, përveç flamurit shqiptar, protestuesit mbanin në duar edhe flamurin e Arabisë Saudite, si edhe flamuj të formacioneve ekstremiste islamike.

Mbase këto fakte e dekurajuan Tiranën dhe Prishtinën, të cilat do të dëshironin që protestat të kishin kërkesa të pastra etnike. Shqiptarët, një komb, dy realitete. Karakteri laik i shtetit dhe nacionalizmit shqiptar, kontribuoi në “brymosjen” e myslimanëve të Shqipërisë, që ata të jetonin, përgjithësisht pa probleme me bashkëkombësit e tyre të feve të ndryshme. Sot, myslimanizmi i tyre, qëndron më shumë në nivelin e identifikimit, sesa tek ai i praktikumit të rregullt fetar. Rol të veçantë për ekzistencën e kësaj karakteristike, luajti politika e shtetit shqiptar, kryesisht në periudhën e Luftës së Ftohtë, ku ndërgjegjja kombëtare qëndroi mbi çdo lloj nënidentiteti fetar. Nga ana tjetër, shqiptarët e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi, disponojnë identitete jo të vegjël fetarë. Cedimi i tyre në shtete ku grupi kryesor etnik është i fesë së krishterë-ortodokse ka ndikuar që ata ta ruajnë identitetin mysliman.

Si rezultat, diferencimi i tyre nga kombet jomyslimane, por edhe nga bashkëkombësit ortodoksë dhe katolikë, nuk është i vogël dhe nuk ka qenë asnjëherë i tillë. Disa ditë para protestave, policia e Kosovës ndaloi në Kaçanik dy persona, të cilët fyen publikisht bustin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Personaliteti kryesor, i cili u mitizua nga rilindësit, duket se nuk gëzon popullaritet universal te shqiptarët myslimanë të shteteve fqinjë.

Një shekull më parë, në vitin 1914, Shqipëria u trondit nga Lëvizja Myslimane e Shqipërisë së Mesme, ku shqiptarë të besimit mysliman u rebeluan kundër shkëputjes së vendit nga Perandoria Osmane, pra kundër pavarësisë së Shqipërisë. Në çdo qytet ku marshuan, ata hoqën me pasion flamurin kombëtar, i cili ishte edhe simboli i dinastisë së Skënderbeut dhe valëvitën flamurin turk, si dhe atë jeshil që përfaqësonte fenë islame. Literatura, por dhe nacionalistët shqiptarë, duke mos përjashtuar as “internacionalistin” Enver Hoxha, dënuan bashkërisht, karakterin fetar të rebelimit.

Sot, shumë shqiptarë myslimanë, të cilët mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë, disponojnë, afërsisht, mentalitet të ngjashëm me protestuesit e vitit 1914. Dhe kjo vjen si rezultat i ndërgjegjes së lartë fetare, kundrejt asaj kombëtare. Ruajtja e identitetit fetaro-etnik, mund t’i shërbejë mbijetesës së urrejtjes dhe konflikteve etnike, midis shqiptarëve dhe bashkështetasve të tyre të besimit të krishterë, si në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ashtu dhe në vendet e tjera të rajonit, në Serbi, në Malin e Zi. Por në asnjë mënyrë, kjo praktikë nuk mund të kontribuojë në forcimin e komunikimit të tyre normal me shqiptarët jomyslimanë. Identiteti i fortë fetar i protestuesve në Shkup, vjen në kundërshtim me karakterin e nacionalizmit shqiptar. Marrëdhënia e këtyre dy faktorëve, përbën një nga sfidat serioze për Shqipërinë, si edhe elementin shqiptar në rajon.

Related Articles

Nje koment

  1. po ne Maqedoni ka shume “pocaqi” qe te cajne koken me myslimanizmin .. ai enver Hoxha boll I keq ka qene po nje gje e ka bo me se miri … ndalimin e fese. si katoliket, si ortodoksit si myslimanet gjithmone I kane sherbyer armikut. vetem disa elemente te vecuar kane qene e kane dhene per shqiperine. te tjeret plehra kane qene ne sherbim te armikut e te pushuesit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button