Politika

ASHE mbyll fushatën në Durrës, Rama: E kthyem vendin në drejtimin e duhur

DURRES1Aleanca për Shqipërinë Europiane ka mbyllur sot fushatën elektorale në Durrës, ku Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta tha se në këto 18 muaj është punuar në Durrës jashtëzakonisht shumë dhe kjo falë bashkëpunimit të Bashkisë me Qeverinë.

Sipas tij, më 21 Qershor të gjithë durrsakët do të votojnë me qetësi dhe dashuri për Vangjush Dakon, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe ASHE-në. “Sheshi Iliria, sot është një shesh i mrekullueshëm falë punës së Dakos dhe mbështetjes së bërë nga qeveria. Edhe pak orë kanë ngelur për të përfunduar kjo fushatë kaq qytetare, e Aleancës për Shqipërinë Europiane. Jam i sigurtë, theksoi Meta, se populli i bashkisë së madhe të Durrësit do të jetë në krye të suksesit të ASHE-së. Ju ftoj të gjithëve, të gjithë votuesit e LSI-së që të votojnë Vangjush Dakon dhe më tej, numrin 47 për Këshillin Bashkiak”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit.

“Të jeni të sigurtë, vijoi Meta se këtu në Durrës, Dako nuk do të marri vetëm votat e koalicionit, pasi Dako do të marri votat e republikanëve, me të cilët u tall Lulushi para fushatës. Ne, shtoi ai, do të votojmë e do të fitojmë përballë atyre që shohin këto gra e burra të mrekullueshëm si bandit. Por kjo, pasi ata janë të trembur. Janë të trembur nga zhvillimi, nga toleranca e qeverisë sonë, janë të trembur nga humbja”, tha Meta.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama në përmbyllje të fushatës elektorale të Aleancës për Shqipërinë Europiane në Durrës tha se ky është vetëm fillimi i Shqipërisë moderne. Në fjalën e tij, që zgjati rreth 40 minuta, Kreu i Ekzekutivit fillimisht vuri në dukje rrugëtimin e Shqipërisë nga vitet 90’ deri më 23 qershor 2013, duke paralelizuar këtë me transformimet që pësoi vendi, në këto 18 muaj të fundit.

Duke folur për sheshin qendror të Durrësit, Rama nënvizoi se ai shesh 2 vjet më parë ishte fytyra e harresës që Qeveria i kishte bërë bashkive të majta dhe në tërësi shqiptarëve, teksa sot në atë shesh jetësohet dëshira për të jetuar. “Por, jo vetëm kaq, ne patëm fatkeqësinë që për vite të tëra të ishim viktimë e pushtetit më antiurban, më antimjedis, më antisocial, që ka pasur ndonjëherë ky vend. Një pushtet që nuk urrente vetëm socialistët, por që urrente çdo formë urbanizimi që mund t’i jepte formë apo jetë një qyteti shqiptar dhe europian”, tha ai.

“Ai pushtet nuk ishte thjesht ajo qeveria që kishim në Tiranë, por ishte një verbëri. Një pushtet sakat në zemër dhe bosh në kokë”, tha Rama. Sipas tij, pushteti i 18 muajve më parë ishte pushteti që frymëzoi një tumor të frikshëm në vend dhe bëri të rinjtë që të thonin nuk jetohet në këtë vend. Pushteti i 18 mujave më parë ishte aq i verbër, që ikte e vinte nga aeroporti i Rinasit dhe nuk i bënte përshtypje hyrja e Shqipërisë Europiane”, tha ai më tej.

“Sepse ai ishte një pushtet njerëzish indiferent ndaj papastërtisë, rrëmujës dhe kënaqej nga batërdia e investimeve pa plan dhe krenohej me riparime pa shije të një Shqipërie që zhvillohej në rrënim, që hante veten, në rrugën e një zhvillimi kaotik, duke humbur tokë, bukë, sipërfaqe pyjesh e kanale ujitëse dhe vaditjesh”, tha Rama.

Duke vijuar me paraardhësit e tij në qeveri, Rama tha se halli më i madh e mëkati më i madh ishte se i pëlqente ky dështim epokal, që do të shënohet në historinë e Shqipërisë si një periudhë mangësie të madhe”.

Në pjesën e dytë të fjalimit të tij, Kryeministri vuri në dukje transformimet që kanë pësuar qytetet shqiptare gjatë këtyre 18 muajve të fundit. “Në këto 18 muaj, vendi ka pësuar transformime të mëdha. Transformime të cilat japin shpresë se vendi po lëviz në drejtimin e duhur. Duhen sakrifica dhe shumë punë, ashtu siç ishte në këto 18 muaj punë e sakrificë sheshi i Durrësit, që tashmë është njëri nga më të bukurit në Shqipëri, ndërsa ai i Tiranës është kthyer në një kartodrom”, tha Rama, i cili shtoi se sot shqiptarët dhe durrsakët po përjetojnë një moment historik në jetën e tyre.

“Nuk ka asnjë pikë dyshimi që sot po përjetojmë momentin historik të kthesës në drejtimin e duhur”, tha Rama. Kryeministri i vendit në pjesën e tretë të fjalimit i bëri thirrje të gjithë durrsakëve të vijojnë të votojnë Aleancën për Shqipërinë Europiane, pasi tashmë ka ardhur momenti që ata të marrin atë që meritojnë e që kanë kërkuar prej kohësh”, vijoi Rama.

Në 18 muaj bilanc qeverisës, Korça, Burreli, Lushnja, Berati, sipas tij, kanë filluar të përjetojnë ndjesinë e ndryshimeve rrënjësore. “Është ajo ndjesia që prek shpirtin, që lidh njeriun me qytetin. Nuk mund të ketë mirëqenie aty ku ka dëshrië të vrarë për të parë bukur. Kjo është ajo që po ndodh dhe kryevepra e Vangjush Dakos. Durrësi nuk ka qenë asnjëherë më mirë se sot”.

Por unë, theksoi Rama, s’kam asnjë dyshim, që Durrësi që meritojnë banorët e Bashkisë së re duhet të jetë shumë herë më shumë se kaq.  Kryeministri mbylli fjalën duke theksuar se vota për Vangjush Dakon është një votë për familjen, është një votë për fëmijën, është një votë për të ardhmen

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button