Home / Politika / Akuzat, reagon Ministria e Brendshme: 21 të shoqëruar për incidentet, materialet në Prokurori

Akuzat, reagon Ministria e Brendshme: 21 të shoqëruar për incidentet, materialet në Prokurori

gjebreaPas deklaratave të bëra nga ana e kreut të PD-së, Lulzim Basha, ka reaguar Ministria e Brendshme me anë të zv.ministres Elona Gjebrea, e cila ka sqaruar deklaratat e bëra nga ana e Partisë Demokratike, si dhe ka dhënë detaje nga puna e Policisë në rastet e incidenteve të denoncuara.
“Për çdo incident të ndodhur, apo të supozuar se ka ndodhur, duke përfshirë çdo shqetësim të çdo natyre, u bëjmë thirrje të gjithë kandidatëve dhe partive politike t’i denoncojnë menjëherë në organet e zbatimit të ligjit, në Polici ose edhe në Prokurori. Gjithashtu duam të sqarojmë opinionin publik, për disa deklarata publike të PD-së lidhur me insinuata për incidente, që kanë ndodhur përgjatë fushatës dhe për të cilat Policia ka reaguar menjëherë. Bëjmë me dije se, çdo njoftim është konsideruar maksimalisht, duke shoqëruar 21 shtetas të dyshuar si të implikuar në ngjarje që lidhen me fushatën, për të cilët materialet janë referuar në Prokurori”, tha zv.ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea.
Më tej, duke detajuar incidentet, Gjebrea shton:
“Për ngjarjen e ndodhur një natë më parë në Elbasan, Policia ka kryer me profesionalizëm të plotë të gjitha veprimet proceduriale, duke marrë në pyetje personat, që janë dhunuar, apo ata, që mund të kenë pasur dijeni për incidentin. Policia ka shoqëruar autorin e dyshuar të ngjarjes. Për rastin e Vorës, personi i dyshuar për shkaktimin e incidentit, ishte shoqëruar në Polici përpara se të dilte në deklaratë për media Lulzim Basha. Gjithashtu, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri pati paraditen e së premtes komunikimim të vazhdueshëm me kandidatin, si dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike në këtë zonë, për t’u garantuar zbatimin rigoroz të ligjit, nga çdo strukturë e Policisë së Shtetit”, u shpreh zv.ministrja Gjebrea.

Leave a Reply

%d bloggers like this: