Kryeartikull

Votimi im virtual

Nga Arben Manaj

Nuk do të jem të dielën në Shqipëri dhe nuk do votoj dot, por virtualisht do të doja që shqiptarët kur të votonin ose abstenonin, të mos ankoheshin më të hënën e më pas.

Parimisht jam për dialektizmin dhe egalitarizmin gjinor, si qasje. Jam për të rinjtë në moshë dhe barazinë gjinore pa cenuar meritokracinë individuale për hir të tyre.

Tirana është një bast i fituar që në momentin që u shpallën kandidatët dhe fushata tregoi se Erion Veliaj, një “poëerhouse” idesh, një fushatues me një stil të spikatur perëndimor me vëmendje të fiksuar tek detajet, që ishte risia e seriozitetit dhe besueshmërisë, pa lënë mënjanë një vlerë të rikonfirmuar si oratorinë e tij të admirueshme politike pa lexuar në promter, si dhe të një rekordi arritjesh reformatore e energjie që ta jep mosha fizike dhe rinia e mendimeve, dukshëm zhvilloi një garë mes një maratonisti dhe një garuesi të distancave të shkurtra me rivalin e tij.

Halim Kosova, një tirons i mirë dhe profesionist i certifikuar në mënyrë plebishtare, i lënë i vetëm në fushatë nga SHQUP-i formal, si vlerë të tij më të madhe, shpalosi faktin se edhe pse jo personi i duhur, doli në kohën e duhur, për të mos lënë opozitën pa kandidat në këto zgjedhje, që do ta kishin nxjerrë PD-në pas LSI-së, nëse nuk do ishte Halim Kosova kandidat i saj.

Dhe për këtë fakt, PD-ja i ka një borxh të madh këtij mjeku jopolitikan.

Ndaj në kësi rrethanash, Veliaj ka shansin që të bëjë më shumë se Rama në postin e kryebashkiakut, pasi ka nga pas, të gjithë faktorët politikë të koalicionit, që do t’ia bënin më të lehtë përmbushjen e premtimeve.

Por mbi të gjitha ka një meritë tjetër të papërmendur, krahasuar me Ramën; pikërisht komunikimin e jashtëzakonshëm njerëzor deri në detaje të atilla vëmendje dhe përkushtimi, shumë larg dhe ndryshe arrogancës dhe fudullëkut tipik ballkanik të tutorit të tij politik.

Durrësin do duhet ta duan më shumë durrsakët në këto zgjedhje, kur të përzgjedhin mes dy D-ve; Dumës dhe Dakos.

Nuk më intrigon asgjë që ruan monotoninë e një administrimi 15 vjeçar, siç është ai i drejtimit të kandidatëve socialistë, aq më tepër të një njeriu që kërkon mandatin e tretë, nga i cili kam frikë se nuk do ketë asnjë motivim të punojë për një mandat të katërt, kur do meditoja se çfarë mund të ofrojë një rivale si Grida Duma.

Sfidantja e djathtë, me një karizëm jo vetëm fizik, analoge me atë të “Bukuroshes së Durrësit”, por mbi të gjitha një elokuencë, PR-i e vizion politik shumë më të avancuar në kohë, e që ashtu si Veliaj në Tiranë, kanë energjinë e moshës, apo përvojën e të jetuarit e studiuarit në Perëndimin e Largët, do ishte një zgjidhje e lehtë, ndaj një kandidati, që qofsha i gabuar, por më duket në çdo kohë të ditës që ta shikosh, të paktën në televizion, të ofron rrudhosjen e inaktivitetin e njeriut të sapoçuar nga gjumi.

Një fitore e PD-së dhe Dumës në Durrës, do ishte një sfidë edhe për performancën dhe sjelljen e mëtejshme politike të kryeministrit ndaj pushtetit lokal në duart e kundërshtarit politik, pasi jam i bindur se një Grida Duma në bashkinë e portit më të madh të vendit do jetë një dhimbje koke e madhe për Kryeministrin, për aplikimin e vizionit të saj, për qytetin e dytë më të madh të vendit.

Nuk po harroj edhe dëshirën për të ashtuquajturën barazi gjinore 50-50 në pushtetin lokal, ku gratë-burra, si Grida, do duhet të drejtojnë këtë vend të keqdrejtuar nga burrat-gra.

Në Shkodër janë dy gra e dy të djathta. Edhe pse njoh tangentalisht vetëm Voltana Ademin personalisht, nga një ish- program i BBC në Shkodër, ku dikur merrja pjesë, e që më ka lënë një impresion mjaft pozitiv, do të doja që shkodranët të votonin ndryshe, qoftë edhe një herë, duke votuar një të djathtë grua të së majtës, si Keti Bazhdarin, që të trazojnë njëherë ujërat politike të këtij qyteti, historikisht rebel.

Sakaq, më dhemb anormaliteti i Elbasani të Normales së Xhuvanit dhe universitetit me emrin e tij, që nuk gjeti ende dot në 2015, një djalë a vajzë të re, që t’i japë një frymëmarrje politike tjetër këtij qyteti, ku frymëmarrja normale mbetet sfidë njerëzore.

Nuk kam dyshim që Elbasani do votojë bereqetshëm majtas, siç thotë Rama, por kur mendoj se kryebashkiaku i tij, më ngjan si ndonjë kandidat i ish-politbyrosë së kohës së babait tim, nga pamja e jashtme, më duket një kohë e ngrirë në histori, që edhe skandali i fundit me median, flet shumë për një mentalitet në drejtim jo të duhur.

Nuk po merrem me bastione të tjera majtas e djathtas, se atje fitoret ose humbjet, do jenë respektivisht “publicitare”, fatkeqësisht.

Ajo që do doja që shqiptarët ta bënin më mirë në këto zgjedhje do ishte që arrogancës politike t’i përgjigjeshin me injorim, si i vetmi mesazh kundër absolutizimit politik të një shteti, që do ketë pushtetin qendror dhe thuajse tërë atë lokal, në sqetull e nën një çati, pas 21 qershorit.

Por kthimi i shpinës edhe opozitës do t’i bënte mirë, që ajo të binte në tokë e të kuptonte se rruga drejt pushtetit është e largët dhe do duhet vetëkorrigjuar shpejt, nëse nuk do që në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të jetë partia e tretë në vend, pas LSI-së, që është dhe do vazhdojë akoma më shumë pas 21 qershorit, festja më e mirë për kokën dhe demokracinë e vetëpërzgjedhur e shpesh të shitblerë të shqiptarëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button