Kronika

Policia do të ruajë 90 KZAZ dhe 5299 qendra votimi

Janë angazhuar 5960 punonjës policie. Masa para, gjatë dhe pas 21 qershorit. Deri dje, policia siguroi rendin në 2396 aktivitete elektorale në të gjithë vendin

Nga Sokol Çobo

Gjashtë mijë punonjës policie do të angazhohen në procesin zgjedhor të 21 qershorit. Do të sigurohen 90 KZAZ dhe 5299 qendra votimi në të gjithë vendin para, gjatë dhe pas procesit të votimit. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit publikoi dje masat që do të marrë për zgjedhjet lokale, ndërsa saktësoi se do të respektojë të drejtën e çdo personi për një votim sa më paqësor, apo subjektet politike. Ndërkohë, janë publikuar edhe oraret kur policët do të shkojnë në KZAZ, të cilat do të ruhen pothuajse 24 orë. Ai tha se gjatë fushatës, janë referuar 21 raste në prokurori, por për incidente të lehta, si grisje posterash, vjedhje apo dëmtime të zyrave elektorale.

Masat më 21 qershor

Nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Altin Qato, doli dje para mediave dhe tha se institucioni që ai përfaqëson ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik dhe krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët, në funksion të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore që do të mbahen më datë 21 qershor 2015. “Duke vlerësuar rëndësinë që kanë për vendin tonë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, Policia e Shtetit është angazhuar totalisht, duke marrë dhe duke zbatuar masa konkrete për ruajtjen e rendit publik në të gjithë territorin e vendit, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të drejtat e subjekteve elektorale pjesëmarrëse në këto zgjedhje”, – tha Qato, duke publikuar edhe numrin e policëve që do të angazhohen. Sipas Qatos, janë trajnuar 6.699 punonjës policie në bashkëpunim me Prezencën e OSBE në Tiranë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorinë e Përgjithshme.

“Gjatë kësaj periudhe janë marrë masat për garantimin e rendit publik dhe mbarëvajtjen e 2.396 aktiviteteve elektorale të subjekteve politike pjesëmarrëse në këtë proces zgjedhor. Theksojmë faktin se gjatë zhvillimit të këtyre takimeve elektorale nuk është shënuar asnjë incident i rëndë apo ngjarje kriminale, por gjatë kësaj periudhe që përfshin fushatën elektorale janë evidentuar dhe referuar në prokurori 21 raste që kanë të bëjnë kryesisht me grisje posterash, vjedhje apo dëmtime të zyrave elektorale”, – tha Qato.

Numri i policëve

Policia e Shtetit tha se janë marrë masat për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve zgjedhore, konkretisht të 90 KZAZ dhe 5.299 qendrave të votimit, ku do të angazhohen 5960 punonjës policie. “Masa të veçanta kemi marrë për parandalimin e veprimtarisë kriminale dhe garantimin e rendit publik, si dhe për sigurimin e objekteve shtetërore dhe objekteve të tjera të rëndësishme. Në të gjithë qarqet dhe qytetet ku janë vendosur KZAZ, do të sigurohen me punonjës policie çdo ditë, prej orës 20.00 deri në orën 08.00. Po kështu, më datë 20 qershor 2015, në orën 18.00 nga Policia e Shtetit do të merren në ruajtje të gjitha Qendrat e Votimit deri në orën 07.00, kohë në të cilën është parashikuar që të fillojë procesi i votimit. Ndërsa vendet e numërimit të votave në të gjithë qarqet do të merren në ruajtje nga Policia e Shtetit më datën 21 qershor 2015, ora 18.00 deri në përfundim të procesit të numërimit të votave”, tha Qato. Sipas tij, në përmbushje të kërkesave të Kodit Zgjedhor, janë marrë masa për të garantuar shoqërimin e kutive të votimit nga të gjithë qendrat e votimit për në vendet e numërimit të votave. “Masa konkrete kemi marrë edhe për të siguruar që të gjithë punonjësit e policisë të angazhuar me detyra gjatë këtij procesi zgjedhor të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës” tha Qato, duke shtuar se policia siguron aktorët vendas dhe ndërkombëtarë që Policia e Shtetit edhe gjatë këtij procesi zgjedhor do të demonstrojë standardet më të larta të profesionalizmit në përmbushjen e detyrave institucionale dhe në zbatimin e ligjit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button