Libri

Ka rënë lexuesi i poezisë

Tradita gjuhësore luan një rol vendimtar në letërsi. Romeo Çollaku, shkrimtar dhe përkthyes i jep këtë shpjegim faktit që greqishtja një gjuhë që flitet nga një numër i kufizuar njerëzish vazhdon të befasojë për sa i përket poezisë. Ka vetëm pak kohë nga dalja në librari e përmbledhjes poetike të fituesit të çmimit “Nobel” në letërsi më 1979-n Odiseas Elitis, një poet thellësisht lirik, nën përkthimin e Çollakut. Një tjetër përmbledhje poetike e një poeti të rëndësishëm francez, Paul Claudel, nën përkthimin e tij ka dalë këto ditë nga shtypi. Përkthyesit dinë të futen nën lëkurën e poetëve apo shkrimtarëve që sjellin në gjuhën e tyre për të zbuluar të fshehtat që ata dinë t’i ruajnë me kujdes përmes vargjeve. Është Franca ajo që i bën bashkë këta dy poetë, të cilën Elitis edhe pse ka kaluar kohë në të, e ka shmangur nga vargjet që ka shkruar. Romeo CollakuPor Çollaku e ndien ndikimin e vendit të lirikës dhe lirisë në vargjet që Elitis ka shkruar. Fitues i disa çmimeve kombëtare si ai “Fan Noli”, “Mitrush Kuteli”, “Aleph”, Çollaku është autor i disa librave si “Për shtegtarët e pak metrave katrorë”, “Zemër virgjine”, “Ar e bosfor”, “Kumbarja e kohës”. Përkthimi dhe shkrimi i poezisë është një tjetër hapësirë ku ai ndalet gjatë, për të cilat vjen më poshtë në një rrëfim nisur nga botimet e dy përmbledhjet poetike të Elitis dhe Claudel.

“Kur përkthejmë, duhet të kemi mbi tavolinë letër, kafe, cigare, stilolaps dhe ndonjë gotë – por jo origjinalin ama; origjinali përbën pengesë gjatë përkthimit…” Kjo është një thënie e juaja, e keni vënë në jetë gjatë përkthimit të Elitis dhe Claudel?

I kam thënë, natyrisht, me një dozë humori këto fjalë. Pasi ta kemi mësuar mirë përmendsh, nuk jam kundër, është e tepërt ta kemi origjinalin mbi tavolinë. Por vetëm nëse e kemi mësuar përmendsh; përndryshe, duhet ta mbajmë sa më pranë vetes. Kur përkthyesi fiton njëfarë përvoje, bëhet i ndërgjegjshëm për caqet e lirisë së tij. Patjetër, janë disa autorë që të dhurojnë njëfarë lirie. I tillë më është dukur, fjala vjen, ndonjë poet romantik, parnasist apo edhe simbolist, pika e fortë e të cilëve është muzikaliteti. Në kësi rastesh, ia vlen të luash, të bëhesh, deri diku, bashkautor. Por kemi edhe disa të tjerë, shkërbenj të saktësisë, të cilët nuk të falin asnjë shmangie. Të tillë janë Elitisi dhe Claudel-i. M’u desh shumë mund t’i sillja në shqip. Në radhë të parë, sepse të dy janë stilistë jashtëzakonisht të ndërlikuar. Me Elitisin fillova të merrem në vitin 1996, kurse me Claudel-in në vitin 1999. Dhe të dy i botova vjet.

Çfarë i bashkon këta poetë të njohur, çfarë ke gjetur në vargjet e tyre?

Elitisi e kishte Francën, le të themi, atdhe të dytë. Por, edhe pse u ushqye mjaft prej poezisë franceze, edhe pse jetoi mes shoqërive letrare të Parisit pikërisht në vitet kur Claudel-i gëzonte gjithandej një famë të padiskutueshme, Elitisi, dyzet e ca vjet më i ri në moshë, nuk ka për ta përmendur asnjëherë në esetë dhe intervistat e tij. Kjo më ka bërë përshtypje, sepse, si zëra, nuk ndihen edhe aq larg njëri-tjetrit. Të dy kanë nota të theksuara lirike, tone aspak të ulët; të dy kanë lëvruar forma të mëdha, si poemat e odetë, dhe i kanë dhënë vargut frymëmarrje të gjerë; të dy janë pinjollë dhe ithtarë të betuar të Rimbaud-së. Për më tepër, Elitisi i ka çmuar, i ka mbajtur si udhërrëfyes përfaqësuesit e modernizmit themelor, ndër të cilët bën pjesë, doemos, edhe Claudel-i. Dihet që vepra e këtij të fundit ka miq dhe armiq të shumtë, por, duke i besuar arsyetimit, Elitisin do ta radhitnim te miqtë. Atëherë – kam pyetur veten – ç’është kjo shpërfillje ndaj një personaliteti kaq të lartë? Ka gjasa që grekun ta ketë bezdisur vula fetare e veprës së frëngut. Thjesht, hamendësojmë.

Poezia është gjuhë? Si mund ta interpretosh ndryshe poezinë?

Po, them se poezia është, më së shumti, gjuhë. Të paktën, ana e dukshme e saj, ana e prekshme, ajo që stampohet në letër dhe lexohet, është vetëm gjuhë. Nëse, siç e ka përkufizuar Frosti, poezia është ajo që humbet gjatë përkthimit, atëherë është gjuhë; madje, vetëm një pjesë e gjuhës: është tingull. Është, sikundër drejt e kanë thënë, vendosje e fjalëve në një rend sa më harmonik. Më tutje, besoj se procesi i krijimit është tejet i koklavitur, i pazhbirueshëm. Ku fillon dhe ku mbaron poezia? Para se të fillojë shkrimi i poezisë, pra gjatë ngjizjes së saj, mund të marrin pjesë edhe shqisat: lëkura, syri, veshi. Para, por edhe gjatë shkrimit, mund të marrin pjesë kujtesa, përfytyrimi, ëndrra. Të gjitha këto – ndonëse nuk janë krejt pa lidhje me gjuhën, përderisa gjuha lidhet ngushtë me të menduarit – nuk përbëjnë troje gjuhësorë. Ndoshta, fakti që poezia vazhdon të krijohet prej mijëra vjetësh i detyrohet, përveçse gjuhës, edhe kësaj mistike.

Të përkthesh poezinë, apo ta shkruash atë, si je mes këtyre dy gjendjeve?

Unë jam shkrimtar; për të mos thënë se jam poet, pasi kjo është një fjalë e madhe. Përkthimin e shikoj si pjesë të zejes së shkrimit. Po të mos shkruaja vetë, nuk ma ha mendja se do të merresha me përkthime. E di që tradita jonë e përkthimit ka nxjerrë disa mjeshtër, të cilët nuk ishin shkrimtarë. Unë nuk do ta bëja. Do të doja të isha një lexues i zakonshëm i letërsisë, po të mos isha shkrimtar. Por jam shkrimtar që shkruaj pak dhe pjesën tjetër të kohës e mbush duke përkthyer. Tekefundit, edhe jetoj falë përkthimit. Por, në qoftë se, në fund fare, krijimtaria ime origjinale do të jetë, ta zëmë, disa qindra faqe, kurse përkthimet do t’i kem me mijëra faqe, prapëseprapë kjo nuk do të thotë se jam më së pari përkthyes. Shpresoj të mbetem si shkrimtar.

Ju jeni marrë me poezinë greke, po poezia e re bashkëkohore greke drejt çfarë rryme po ecën?

Me poezinë greke, më tepër me poezinë, por edhe me letërsinë greke në tërësi, mund të them pa ngurrim se ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë një dukuri e rrallë (isha gati ta quaja mrekulli, por e ka një shpjegim bindës), të cilën e pohojnë edhe gjithë dashamirësit shqiptarë të kësaj poezie. Ndërsa greqishtja flitet nga një numër, krahasimisht, i kufizuar njerëzish, kjo gjuhë ka dhënë dhe jep jo pak poetë të kalibrit botëror. Shpjegimi është i thjeshtë: tradita gjuhësore luan një rol vendimtar në letërsi. Për sa i përket të sotmes, nuk bëj dot fjalë për rryma, por për një larmi zërash mjaft të spikatur.

Pse shkruhet më pak poezi sot?

Nuk besoj se shkruhet më pak poezi, nuk e kam vënë re një gjë të tillë. Poezitë, të cilat gjuha – apo muza, siç i thoshin dikur – i ka taksur të shkruhen, do të shkruhen. Nuk kanë nga të venë. Mua më shqetëson rënia marramendëse e numrit të lexuesve të poezisë, këtu, në vendin tonë. Është për të ardhur keq. Patjetër që nuk mund të lexohet poezia aq sa romani, por kjo që po ndodh tani, jam i sigurt, nuk ka ndodhur kurrë, qysh nga koha kur është hapur libraria e parë në Shqipëri.

Më thoni një poezi që do doje ta kishe shkruar ti?

Secili nga ne është, në njëfarë mënyre, autor i poezive që i pëlqejnë më shumë. Kur lexoj një poezi të mirë dhe arrij ta perceptoj në tërësinë e saj, ndihem pothuajse njëlloj sikur e shkruaj vetë. Dhe, nga ana tjetër, në poezinë time brendapërfshihen gjithë poezitë e traditës, asaj shqiptare dhe të huaj, që i kam lexuar dhe kanë lënë gjurmë tek unë. Madje edhe ato që nuk i kam lexuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button