Home / Kryeartikull / Të rinjtë në votime? Ata e duan “lojën”, por urrejnë “lojtarët”

Të rinjtë në votime? Ata e duan “lojën”, por urrejnë “lojtarët”

Nga Monika Shoshori Stafa

Kur shëtitjet e kandidatëve dhe delegacionit partiak pas tyre u ka ardhur fundi, askush nuk vë re, në media të printuar a gjithfarë, se mes syresh pjesëmarrësve mungon diçka.

Askujt nuk i shkon ndërmend të shohë se kush nuk ndodhet aty veç burrave të papunë dhe grave që e vetmja gjë që dinë të bëjnë tashmë është të drejtojnë takimet elektorale. Pleq sa të duash dhe vogëlushë që me dëshirë duan t’u shkojnë prindërve pas, më mirë sesa të qëndrojnë para kompjuterit sa kohë ende parqe nuk ka. Ata që nuk janë aty, janë të rinjtë. Mosha që i duhet qytetit të ndryshojë dhe vendit të frymojë. Çështja e pjesëmarrjes së të rinjve në politikë po bëhet gjithmonë e më shumë pika më delikate në axhendën globale të drejtimit të shteteve, me qëllimin e vetëm të pjesëmarrjes së tyre në politikë dhe përfaqësimin e tyre në Parlament. Gjatë fushatës që u përmbyll nuk pamë asnjë takim elektoral të gjatë mes kandidatëve dhe atyre pak të rinjve jomilitantë aspak të përfshirë në parti politike, nxënës shkollash apo studentë auditorësh. Kërkova shumë t’i shihja gjatë kësaj fushate, në sheshe, bulevarde, media, tryeza pa analistë apo dhe moderatorë që drejtojnë thuajse të njëjtat pyetje për çdo herë. Desha kaq shumë t’i dëgjoja, t’i kundroja, edhe pse mund të mos kënaqesha, por sigurisht nuk do t’i refuzoja. Ka qenë një bashkëbisedim ky mes meje dhe një mikeje nga Sarajeva, këshilltares politike dhe përfaqësueses speciale të BE-së në Bosnjë, Lejla Ramiç – Mesihoviç, pak ditë më parë në Tiranë. Kish ardhur këtu të mblidhte një raport kërkimi për Shqipërinë gjatë kohës së fushatës. Në një farë mënyre e gjithë panorama e bisedës do të duhej të niste që prej faktit se si Shqipëria politike është sjellë me këtë grupmoshë që pas viteve ’90. Historia e zgjedhjeve elektorale shqiptare është se padyshim të gjithë ata i vendosnin të rinjtë në listën e prioriteteve të tyre dhe kjo është një e drejtë me vend. Por pavarësisht se nuk ka rëndësi se si mund të ndihesh ndaj abstenimit si një taktikë elektorale, analistët, të cilët e përshëndesin revolucionin që ndizet qosheve të qytetit pikërisht nga këta përndezës të anarshizmit, këtu e humbasin fillin, e qepin gojën dhe nuk dinë ç’të thonë më kur i pyesim përse të rinjtë nuk votojnë. E vërteta është se padyshim nuk ka asnjë mundësi që të rinjtë ta kenë braktisur sistemin politik. Është sistemi politik ai i cili ka dështuar t’i tundojë ata në pasionin e ndryshimit / evoluimit për të cilin ata do të duhet të votojnë. Në vend që të rrisin “kreditet” e njerëzve të famshëm të ekranit çdo mbrëmje, duke i kthyer ata në “emra të përveçëm” monopolesh, partitë politike do të duhej më mirë të këshilloheshin për t’i investuar paratë e tyre atje ku “goja” e kësaj grupmoshe është, sepse nëse duan që të rinjtë të votojnë, është kjo që ajo duhet të bëjnë.

Zgjedhjet lokale të së dielës duken të jenë edhe kësaj radhe një palë zgjedhjeje kritike për të rinjtë. Sepse ky pritet të jetë brezi në rang edhe global, që do të përballet me një nga të ardhmet më të këqija sa i përket perspektivës ekonomike që prej Luftës së Dytë Botërore. Ka pasur në këta vjet një çarje të fortë mes të rinjve të kësaj epoke dhe institucioneve politike të ashtuquajtura demokratike, të ndërtuara për t’u shërbyer atyre. Dhe është abstenimi simptoma e diskutuar më gjerësisht që ka ardhur si pasojë e kësaj çarjeje. Dhe ndërsa disa pëlqejnë të fajësojnë apatinë e të rinjve, e vërteta është tjetër dhe e hidhur fort. Të rinjtë ndihen të braktisur fund e krye nga institucionet “demokratike” që kanë qeverisur Shqipërinë në këta 25 vjet. Edhe pse pjesëmarrja e votuesve ishte e detyrueshme të ishte e plotë në të gjitha grupmoshat gjatë viteve të diktaturës kjo nuk solli një edukatë votimi si një ndërgjegje qytetare, sepse kur përdoret forca dhe jo mendja ajo nuk mbetet në identitetin e një qytetari për të zgjedhur drejtuesin e vet nesër. Kështu, pas zgjedhjeve të para demokratike dhe atyre lokale, 1991 dhe 1992 nisi hendeku i madh mes gjeneratave në pjesëmarrjen zgjedhore. Diçka kish ndryshuar në marrëdhëniet mes politikës institucionale dhe fëmijëve që u rritën gjatë viteve 1980 dhe 1990. Pas vitit 2007, nga perceptimi i raporteve të të huajve duket që ka nisur edhe procesi i braktisjes së votimit në Shqipëri, por përqindja e abstenimit ka rezultuar të jetë shumë më e lartë fatkeqësisht në mesin e të rinjve. E me bindje po ta rimendonit dhe njëherë këtë tablo, do ta pranonit se nëse abstenimi do të ishte një parti, gjatë këtyre viteve ajo do të korrte një fitore dërrmuese në mesin e tyre.

Në fakt, duket se në Shqipëri ekziston hendeku më i madh mes gjeneratave krahasuar madje dhe me fqinjët tanë në rajon, thuajse në të gjitha mënyrat tradicionale edhe të pjesëmarrjes së tyre institucionale, që nga peticionet e deri te protestat. Ndërsa miqtë e tyre në Sarajevë e kudo në Europë e balancojnë abstenimin e tyre elektoral me pjesëmarrjen në mënyra të tjera tradicionale të të bërit politikë, të tilla si protesta apo bojkote, të rinjtë në Shqipëri, sidomos studentët, janë shumë më pak të përfshirë në to. Të rinjtë janë të interesuar në politikë dhe besojnë në zgjedhje, por ata nuk u besojnë më politikanëve apo partive politike që i kanë kthyer sipas tyre në pronë të vetën.

Provoni të shkoni në ndonjë pub apo qoftë kafene (ma kish ënda të thosha park apo ndonjë bibliotekë, por s’mundem sa kohë nuk mund as t’i përfytyroj dot këtu në Shqipëri) dhe të pyesësh personin e parë të çdo moshe se çfarë mendon në lidhje me politikanët, dhe padyshim do të marrësh një përgjigje negative. Sepse politika është profesioni më pak i besuar në Shqipëri. Të bësh politikë në Shqipëri do të thotë të jesh i “të gjithave”, por mbi të gjitha të jesh në politikë do të thotë të bësh lekë. Të rinjtë këtu besojnë dhe e kuptojnë se zgjedhjet janë një mënyrë efektive për të ecur para në drejtimin e një vendi. Pavarësisht pohimit se politika në vetvete është një sistem që gërryen veten, një sistem përgjithësisht “i kapur”, të rinjtë jo detyrimisht bien dakord, edhe pse ata nuk votojnë. Ata duken se i duan zgjedhjet si një prej parimeve demokratike të shtetit të së drejtës, por thellësisht dyshojnë ndaj aksioneve të politikanëve si kujdestarë shembullorë në ruajtje të këtyre parimeve. Kjo mungesë e besimit mund të shpjegojë atë që edhe pse puna për të tunduar këtë kategori popullsie me reklamat spektakolare të fushatave elektorale për pjesëmarrjen e të rinjve, nuk i kanë bindur ata të braktisin abstenimin.

Por ka ende vende, po më thoshte mikja nga Sarajeva, ku të rinjtë edhe mund të tërhiqen drejt kutive të votimit. Rasti i Skocisë p.sh., ku votimi i fundit më i rëndësishëm në Mbretërinë e Bashkuar, Referendumi mbi Pavarësinë e Shtetit skocez tërhoqi aq shumë votues të rinj dhe kjo nuk mund të ishte assesi një rastësi. Cila është plaga mes nesh? Shembujt e tillë duhen sonduar dhe gjetur arsyet.

Partitë politike pas këtyre zgjedhjeve do të duhet të punojnë më mirë dhe më fort për të kuptuar këtë lloj marrëdhënieje të pabesë mes të rinjve dhe institucioneve që ata përfaqësojnë. Ata duhet të kuptojnë se të rinjtë mund të jenë votues dhe të mirë madje, por po aq abstenues, protestues, organizatorë dhe anëtarë sindikatash, sepse në fund të fundit duhet të binden qartë dhe plotësisht se të gjitha këto janë pa dyshim disa prej mënyrave të të bërit politikë sot në shekullin XXI.

Leave a Reply

%d bloggers like this: