Home / Sporti / Brazil-Gjermani, përballja më legjendare e Botërorëve

Brazil-Gjermani, përballja më legjendare e Botërorëve

Historia

Një nga këto dy skuadra ka arritur në 13 nga 16 finalet e fundit të turneut

ronaldo-kahn

Janë përballur vetëm një herë në Kampionatet Botërore, por sot në fushën e lojës zbresin dy skuadra pa të cilat ky turne nuk ka kuptim, Brazili dhe Gjermania. Hera e parë ishte në vitin 2002, në finalen e Jokohamas, ku golat e Ronaldos i vendosën yllin e pestë në fanellë e Brazilit. Ai ka qenë suksesi i fundit i brazilianëve, që tashmë janë vënë në ndjekje të të gjashtit. Por nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi përballë tyre është skuadra që ashtu si brazilianët ka kaluar 100 ndeshjet në Botërore, mban 3 yje në fanellë dhe është një nga ekipet më dominuese të këtij turneu.

Brazilianët kanë qenë pjesëmarrës në secilin prej edicioneve të Botërorit të zhvilluar, duke shkruar historinë e turneut: “Maracanazo”, Pele, ekipi që në vitin 1938 luante me dy formacione të ndryshme në bazë të kundërshtarëve, magjitë e Garrinçës, Leonidas apo Ronaldos. Nga ana tjetër janë gjermanët, të cilët kanë munguar në edicionet e viteve 1930 dhe 1950, herën e parë për mungesë fondesh për udhëtimin dhe të dytën për shkak të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura pas Luftës së Dytë Botërore. Ndoshta nuk kanë shfaqur lojën mbresëlënëse braziliane, por gjermanët janë shembulli konkret i efikasitetit që përfaqëson kombësia e tyre. Fakti se kanë vendosur rekordin me 4 gjysmëfinale radhazi, apo se që nga viti 1954 përfundojnë gjithmonë mes 8 më të mirëve, tregon qartësisht se Gjermania bën detyrën atëherë kur duhet.

Statistikat e këtyre dy ekipeve bashkë janë mbresëlënëse. Gjermanët kërkojnë në Belo Horizonte finalen e tyre të tetë, ndërsa për ta kjo është hera e 13-të që përfundojnë mes 4 më të mirëve në Botëror. Në fakt, statistika më e pabesueshme është ajo se që nga viti 1954, duke marrë për baze sigurinë se një nga këto dy ekipe do të jetë i pranishëm në “Marakana”, një nga këto dy ekipe ka qenë i pranishëm në 13 nga 16 finalet e fundit të luajtura.

Golat dhe disa nga golashënuesit më të jashtëzakonshëm të historisë së Botërorëve u përkasin po këtyre dy ekipeve. Dominimi shihet qartësisht në tabelën e renditjes së golashënuesve më të mirë me Klose e Ronaldo (15) që ndajnë vendin e parë, të ndjekur nga Gerd Myler (14). Këtyre vendeve u përkasin gjithashtu të vetmit futbollistë që kanë shënuar në 4 edicione të ndryshme të Botërorit: Klose (2002, 2006, 2010, 2014) dhe Pele me Uve Zeler në të njëjtat edicione (1958, 1962, 1966, 1970). Ndaj nuk është rastësi që Brazili ka shënuar 220 gola në Botërorë (mesatarja 2.15 për ndeshje), ndërsa gjermanët kanë 216 (2.07).

Leave a Reply

%d bloggers like this: