Home / Arte / Ekspozita / Mehmet Pushtuesi, rrugëtimi plot mistere i një pikture

Mehmet Pushtuesi, rrugëtimi plot mistere i një pikture

Artan Shabani/ Drejtori i Galerisë së Arteve në një rrëfim për Venecian dhe Xhentile Belinin, piktorin e famshëm venecian që realizoi pikturën e Mehmet Pushtuesit, historia e të cilit tregohet në romanin “Portreti i Belinit” që Shtëpia Botuese “Saras” sapo ka hedhur në treg…

artan shabani

“Në Venecia ka pasuri që edhe vetë pronarët nuk e dinë që ekzistojnë…por ndonjëherë këto thesare dalin në dritë. Këto thesare janë trashëgimi për Venecian, ato u përkasin familjeve të vjetra. Përfaqësojnë historinë e një shtëpie dhe të njerëzve që kanë jetuar në to…”. Kështu shprehet një prej personazheve në librin “Portreti i Belinit” që Shtëpia Botuese “Saras” sapo ka hedhur në treg. Një libër i jashtëzakonshëm ku ndërthuret bukur historia dhe trilleri, i cili na shpie në Venecian e shekullit të XIX. Historitë flenë brenda librave dhe kur ti i lexon zgjon të vërteta që koha apo historia i ka lënë aty ndoshta dhe qëllimisht. Shkrimtari anglez, Jason Goodwin, i pëlqen të luajë me të vërtetat historike dhe t’i sjellë ato në kontekstin e realitetit të sotëm, duke dhënë përmes lidhjeve që vendet kanë me të shkuarën, mesazhe për të tashmen. Jo pa qëllim ai është ndalur në pjesën e tretë të triologjisë me personazhin detektivin osman, Jashim, në Venecia. Qyteti që sot është kthyer në një kryeqendër të artit, jo vetëm atij historik, por edhe bashkëkohor ka qenë i tillë që pas viteve 1400. Një grup i shkëlqyer piktorësh u kanë dhënë jetë jo vetëm ndërtesave karakteristike të qytetit të ujtë, por dhe historisë së artit. Fabula e librit “Portreti i Belinit” është mbështetur mbi historinë e një pikture të Mehmet Pushtuesit, realizuar nga një piktor venecian, Xhentile Belini. Duke treguar historinë e kësaj pikture, Goodwin na shpalos një botë të jashtëzakonshme, të qytetit në fillim të shekullit të XIX, ku gjallonte tregtia e artit…Libri më shumë se një triller historik, është dhe një rrëfim mbi historinë e artit në një nga qytetet që sot është kryeqendër e tij. Artan Shabani, piktor dhe drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve e njeh mirë shpirtin e këtij qyteti. Për gati tetë vjet ai ka jetuar në një nga ndërtesat karakteristike, që ashtu si Goodwin thotë në libër, mbartin të gjitha një histori… Kush ka jetuar në Venecia është e vështirë të largohet prej saj. Dhe Venecia është gjithnjë pjesë e Shabanit, si qyteti që me trashëgiminë e tij kulturore rriti artin e tij. Më poshtë Shabani vjen në një intervistë për Venecian dhe artistin e njohur, Veneto Xhentile Belini…

Çfarë solli Xhentile Belini në artin italian të pasviteve 400?

Xhentile Belini konsiderohet si një nga majat e pikturës italiane të pasviteve 400 (400-500). Ai bashkë me autorë të tjerë bënë që Italia të kishte shprehjet më të larta përmes artit figurativ. Veprat e Belinit dhe të bashkëkohësve të tij i gjejmë sot në muze të ndryshme në botë, apo në koleksione të rëndësishme. Gentile Belini ishte një piktor venecian. Ai lindi në Venecia në vitin 1429 dhe u nda nga jeta në vitin 1507. Sigurisht që artistët në ato kohë krijoheshin në studiot e maestrove të artit dhe piktura ishte një lloj tradite e cila trashëgohej në mënyrë të disiplinuar. Babai i tij, Jakobo, ishte një pionier venecian në përdorimin e bojës, si një medium artistik… I rritur në këtë ambient artistik, Belini u veçua që herët për talentin e tij, që do të spikaste më vonë në gjininë e portretit. Belini njihet për udhëtimin e tij në Kostandinopojë, nga ku do të kthehej si autor i një prej veprave më të famshme të asaj periudhe Muhameti II. Venecia ishte në atë periudhë një pikë shumë e rëndësishme ku dominonte tregtia dhe kultura dhe Belini ishte një ndër piktorët më prestigjiozë të kohës. Në vitin 1479, ai u zgjodh nga qeveria e Venedikut për të punuar në oborrin e Sulltan Mehmetit II. Detyra e tij nuk ishte vetëm të pikturonte, por dhe të ishte një lloj ambasadori kulturor i Venedikut në Portën e Lartë. Ky ishte një rast i mirë për Mehmet II, i cili gjithnjë kishte qenë i tërhequr nga arti italian, kishte provuar dhe më parë të realizonte një portret nga artistë, por nuk i kishin pëlqyer. Te  Belini ai besoi menjëherë, duke pozuar për të. Portreti i realizuar nga Belini ndodhet sot në Galerinë Kombëtare të Londrës.

Duket sikur arti i portretit ka lindur në Kostandinopojë… A është kjo një formë dashurie për veten?

Pjesa që kërkonte të shihte veten në pikturë ishin papatët, kardinalët, familjet aristokrate e më vonë borgjezët. Familjet borgjeze visheshin e gjestikulonin nën hijen e aristokracisë. Realizimi i pikturave të para në këtë gjini kanë qenë nga kisha, pasi tematikat janë religjioze. Janë afresket, pikturat në kanavacë, të cilat realizoheshin përmes një urdhri nga papati… Sigurisht që në atë periudhë Kostandinopoja ka qenë në kulmin e saj, si nga ana ushtarake, ajo ekonomike, dhe kishte një influencë perandorake. Dhe sulltani apo njerëzit me influencë ishin të tërhequr nga ajo që ne sot e quajmë “crem dela crème”. Dhe nuk mund të ketë përfaqësim më dinjitoz për sa i përket  artit. Sigurisht që sot kemi forma të tjera përfaqësimi përmes artit siç është moda, arkitektura, interieri, kuzhina etj. Por Muhameti kërkonte një artist të rëndësishëm, ta realizonte në telajo e ky ishte Belini. Njihen disa vepra të rëndësishme të Belinit në atë periudhë, siç është “Miracle of the Cross at the Bridge of S. Lorenzo”, realizuar në 1500-n dhe që sot gjendet në “Gallerie dell Academia” në Venecia. Një tjetër vepër e rëndësishme është dhe “Portrait of Doge Giovanni Mocenigo “(1478–1485), i cili ndodhet në Muzeun Correr në Venecia.

Çfarë kanë marrë dhe dhënë këto dy kryeqendra të shekullit XIX siç është Venecia dhe Kostandinopoja? Çfarë gjurmësh kanë mbetur sot nga kjo marrëdhënie?

E gjithë kjo marrëdhënie reflektohet në pasurinë e evidentueshme të dy vendeve. Venecia ka qenë një mbretëri në detin Adriatik, republikë dhe kjo shihet nga arkitektura e saj. Gjatë një mijëvjeçari Venecia ishte si Republika e Venecias një nga fuqitë më të rëndësishme politike dhe ekonomike, si dhe një nga qytetet më të mëdhenj të Europës, deri në vitin 1797 kur përfundoi pavarësia. Fisnikëria e saj, që dominonte politikisht, kontrollonte gjatë një periudhe të gjatë tregun ndërmjet Europës Perëndimore dhe Detin Mesdhe lindor. Venedikasit lëviznin me flotat e tyre në gjithë Dalmacinë, detin Adriatik mbi Korfuz, e sigurisht që një nga stacionet më të rëndësishme ka qenë Kostandinopoja. Ka qenë një dhënie marrie kulturash, aromash, parfumesh, arti, diplomacie, spiunazhi… Të gjitha këto lëvizje ishin përmes detit Adriatik. Sot në Venecia duket qartë stili moresk, ai gotik venecian. Ka një ndërthurje stilesh duke e bërë qytetin një ndër më të veçantët e botës, jo vetëm për mënyrën sesi është zgjeruar organizimi i saj mbi ujë. Çdo pallat në Venecia mund të konsiderohet një muze më vete për afresket, mobilimet dhe bibliotekat e rëndësishme që ka. Veçantinë kulturore të qytetit e shton Akademia e Arteve të Bukura (Accademia di Belle Arti), Konservatoriumi, Fondacione Giorgio Cini, Venezian, pastaj Instituti i Shkencave, Literaturës dhe Artit Instituti për Biologjinë e Detit. Po në qytet ndër të tjerat vlen të veçohen Biblioteka e Markut (Markusbibliotheke), Biblioteka Querini-Stampalia me Galereinë, Arkivi i Qytetit, Museu dhe Galeria e Akademisë (Galleria dell’Accademia), Galeria Franchetti, Museu Correr me Bibliotekën, Muzeu Arkeologjik, Muzeu i Artit të Qelqit në Murano, Muzeu i Arteve Moderne (Museo d’Arte Moderna), Muzeu i detarisë, ndër të tjera edhe Fondacioni Peggy-Guggenheim, lojëra festive për muzikën klasike. Shfaqjet më të njohura të operës mbahen që nga shekulli XVIII në Teatrin La Finice, koncertet në Circolo Artistico, Tetri në teatro del Ridotto. Shfaqjet e krijimtarisë artistike mbahen në portën e brendshme të lumit. Qytet ishulli është seli e disa ndërmarrjeve shoqërore dhe administratës. Në pjesën e brendshme (të lidhur me tokë) shtrihet porta moderne detare me komplekse të industrisë së rëndë të Mestres dhe Marghera-së dhe porta ajrore, Marko Polo (Marco Polo).

Ju keni jetuar në Venecia dhe shpesh keni ekspozuar në këto qendra të rëndësishme arti, siç është p.sh ekspozita me titullin “Uji i Ballkanit në detin e Venecias”… pse ky titull?

Ekspozita nën kujdesin e ArtKontakt është hapur në Pallatin e Burgut dhe ka qëndruar për një muaj rresht gjatë muajit korrik, duke i vizituar nga një numër i madh vizitorësh. Në këtë ekspozitë personale unë prezantova figura shqiptare nga treva të ndryshme, duke filluar nga Kosova, krahina e Çamërisë, të veshur me veshjet karakteristike. Ne sot jetojmë në një lloj konfuzioni kulturor në raport me shoqërinë e artin që prezantojmë. Duke gërmuar tek e kaluara do të gjejmë shumë të vërteta, e kjo e vërtetë prezantohet në mënyrë dinjitoze teksa prezanton historinë e vendit tënd. Shumë shqiptarë të diasporës apo arbëreshë, kur i shihnin këto portrete teksa vizitonin ekspozitën dukej sikur shihnin vetveten. Brenda atyre portreteve reflektohej trashëgimia jonë, kultura e tyre familjare. Zgjodha këtë prezantim, portretin shqiptar, pasi mendoj se duhet t’i prezantohemi botës me atë që ne jemi, jo të veshim një maskë jashtë vetes…

Le të kthehemi sërish te Belini. Si artist çfarë ju pëlqen më shumë te stili i tij?

Personalisht unë mund të flas për sa i përket ndjesisë sime si artist. Te piktura e Belinit vë re një përsosje jo vetëm të kompozicionit, të mënyrës sesi ky artist i madh kompozon figurën, por dhe delikatesën dhe mënyrën aristokrate e elegante të një profesionisti të sërës së lartë. Pasi ka një dallim nga një pikturë e bukur, te një pikturë e vërtetë, ajo që është e realizuar me mjeshtëri nga një artist i rafinuar. Belini është ndër ata piktorë që në elegancën e vetë artistike, e ka realizuar këtë gjë në kohë në telajot e tij. Piktura e tij është një pikturë që e mban spektatorin e mahnit dhe e bën për vete.

Po tabloja e Mehmet Pushtuesit, çfarë ndjesish ju jep?

Kjo pikturë në impaktin e parë të duket si një ikonë bizantine. Duke konsideruar dhe ajrin që thithte Europa në atë kohë, apo dhe pjesa mes Venecias dhe Kostandinopojës, janë disa elemente që evidentohen në kohë. Ndihet piktura bizantine, kemi të kuqen me potencën e vetë, kemi një atmosferë leondarneske. Është një ndërthurje mes elegancës europiane veneciane në këtë rast…

 Çfarë është sot Venecia?

Venecia sot është një ndër referencat më të rëndësishme të artit  të asaj që quhet sistem arti. Është e rëndësishme, pasi Venecia ka ditur të mbajë në kohë dhe të rinovohet në kohë, gjithnjë me një interes kombëtar. Janë një sërë aktivitetesh të rëndësishme në fushën e artit që bëhen në këtë vend, siç është dhe Bienalja e Arkitekturës që po mbahet aktualisht, ku Shqipëria prezantohet me pavijonin e saj. Përveç një tensioni turistik që ka si qytet, i cili mbahet për dinamikën turistike, ajo ndërton dhe një interes kulturor, i cili nis me artin bashkëkohor, ekspozitat historike… Është një qytet që kur hyn të duket sikur ke hyrë në një muze me qiell të hapur. Venecia është një qendër e rëndësishme sot në botë, siç është Nju Jorku, Berlini, Praga apo Milano, por Venecia mbetet Venecia…

 Alda Bardhyli

Leave a Reply

%d bloggers like this: