Home / Politika / Pjesëmarrja reale e votuesve në zgjedhje, mbi 73 për qind

Pjesëmarrja reale e votuesve në zgjedhje, mbi 73 për qind

Nga Bledi Gilaj

Dje u janë drejtuar kutive të votimit mbi 73 për qind e shqiptarëve, të cilët janë rezidentë në Shqipëri. Shifra, e cila është shumë më e lartë se ajo që u publikua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vjen nga përllogaritja e bazuar në censusin e vitit 2011, e cila është më afër reales për shqiptarët, të cilët banojnë në Shqipëri, pasi shumë prej tyre jetojnë prej vitesh në emigrim.
Shifrat e KQZ-së
Sipas të dhënave paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dje morën pjesë në procesin e votimit 47.38 për qind e votuesve shqiptarë. Por, kjo shifër bazohet në regjistrin e gjendjes civile, pa marrë parasysh emigrantët shqiptarë. Sipas të dhënave nga gjendja civile dhe INSTAT-i, popullsia e Shqipërisë është afërsisht 4 milionë e 346 mijë banorë dhe nga këta janë ekzaktësisht 3 372 471 votues. Pra, sipas përllogaritjes së KQZ-së, dje kanë votuar 47.38 për qind e këtyre votuesve ose e thënë ndryshe kanë votuar 1 milion e 597 mijë e 876 shqiptarë.
Votues realë
Por, në censusin e vitit 2011 u vu re se një pjesë e mirë e shqiptarëve, rreth 35.5 për qind e tyre, nuk janë rezidentë në Shqipëri, por emigrantë në vende të ndryshme. Sipas të dhënave të këtij procesi, në Shqipëri jetojnë vetëm 2 milionë e 804 mijë e 751 shqiptarë. Duke marrë parasysh se për katër vite (kjo bazohet në shifrat e INSTAT-it, që sipas përllogaritjeve rezulton se popullsia dhe hyrje-daljet e shqiptarëve brenda territorit shqiptar kanë qëndruar pothuajse në të njëjtin nivel), popullsia rezidente në Shqipëri nuk ka ndryshuar, atëherë në Shqipëri janë realisht rreth 2 milionë e 176 mijë votues ose rreth 35.5 për qind më pak se numri i votuesve të regjistruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, aq sa është më i vogël edhe numri i rezidentëve shqiptarë, krahasuar me popullsinë.
Përllogaritja
Duke marrë si të mirëqenë dhe më pranë shifrës reale numrin e votuesve të përllogaritur, duke u bazuar në censusin e vitit 2011, atëherë rezulton se përqindja e pjesëmarrjes së shqiptarëve në votime është shumë më e lartë se ajo e deklaruar nga KQZ. Pra, nëse merret parasysh se në Shqipëri janë votues rezidentë 2 milionë e 176 mijë persona dhe dje u janë drejtuar kutive të votimit 1 milion e 597 mijë e 876 shqiptarë, atëherë përqindja e pjesëmarrjes është 73.4 për qind. Në shumë bashki, kjo përqindje arrin edhe më lart, sidomos në vendet ku diferenca mes popullsisë, sipas INSTAT-it dhe rezidentëve sipas censusit, është më e vogël, por është shumë më pranë reales sesa shifrat që i referohen KQZ-së.

One comment

  1. Ne jemi shtet dhe mendoje se duhet te kemi statistika  reale per te percaktuar se sa votues ka ne nje date te caktuar. Nga numeri i pergjithshem i shtetaseve prej 4 miljon e 400 mije banor minus numerin e shtetaseve qe ne kete date rezultojne  nga sistemi jashte shqiperise del numeri real i shqipetareve brenda shqiperise, ndersa numerimi censusit nuk mendoje e nuk duhet te sherbeje si shifer zyrtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.