Home / Opinion / Për një rini tjetër!

Për një rini tjetër!

Të rinjtë janë një grup shoqëror heterogjen mjaft i ndryshëm me identitete të ndryshme, kategori social-ekonomike, si dhe formim edukativ po aq të ndryshëm. Krahas shqetësimeve dhe problemeve sociale që evidentohen në vendet e zhvilluara për shoqëritë në tranzicion, standardi i ulët i jetesës, ecejaket e vlerave dhe antivlerave, si dhe mungesa e një kulture politike të trashëguar shtojnë dozën e problematikave me të cilat përballet Shqipëria. Çdokush, i mbërthyer mes së djeshmes dhe së sotmes, mes së moralshmes dhe së pamoralshmes voton për atë që i siguron mbijetesën dhe fuqizimin. Klima e ashpër politike, gjuha e urrejtjes, lufta pa principe për pushtet thellojnë mosangazhimin e të rinjve në alarmet sociale dhe në ngritjen e zërit në shoqërinë civile. Rinia, e ardhmja e vendit, po rresht së shpresuari, së menduari por dhe së ëndërruari. Politika është kthyer në një mjet efikas për ta, për të përmbushur interesat e tyre personale dhe loja është ngushtuar mes tyre dhe jetës aq shumë. Projekti “Risi Albania”, një projekt i ri që mbështet punësimin e të rinjve, organizoi një konferencë ku fton median të jetë një mbështetëse kryesore për tregun e punës për të rinjtë në Shqipëri. Një nga objektivat e këtij projekti është stimulimi i mundësive të medias së shkruar dhe asaj elektronike informacione rreth tregut të punës për të rinjtë dhe të rejat, si dhe për prindërit e tyre. Informacioni për tregun e punës ekziston, por është sporadik dhe shpeshherë jo i kuptueshëm nga të gjithë, ndaj tregu i punës do të jetë një biznes i ri për median, që do të fokusohet më shumë për t’i orientuar të rinjtë. Projekti, në sajë të një studimi, ku u përfshinë rreth 1500 të rinj të anketuar e të ndarë sipas rretheve, gjinisë, nivelit potencial erdhi në përfundimin se nuk ka struktura të konsoliduara për karrierën apo punësimin e të rinjve. Në këtë konferencë u diskutua shumë shqetësimi se tregu i vogël i punës në Shqipëri, mungesa e meritokracisë dhe mbingopja me diploma universitare dhe postuniversitare, sjell atë që mbetet politika ajo, që konsiderohet nga të rinjtë si rruga e vetme prej nga mund të nisë jeta profesionale e çdokujt. Fenomeni i pazakontë i spastrimit rrënjësor të institucioneve shtetërore në Shqipëri, që haset me ardhjen në fuqi të një force të caktuar politike është faktor kyç që shtyn të rinjtë për ta konsideruar politikën si mjet për përfitim personal. Konsulenti gjerman i “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shpjegoi se të rinjtë në Gjermani nuk është se janë më shumë optimistë për shkak të taksave më të ulëta, përkundrazi ato janë nga më të lartat, por ata ndihen pak më mirë atje, sepse papunësia është më e ulët. Është më e ulët, sepse ata e fillojnë jetën e tyre profesionale jo nga Top-Manager apo reporterë sportivë, por edhe një shërbim i shkurtuar në supermarket, apo diku tjetër. Ju duhet të kuptoni se çfarë i mungon kësaj rinie, vazhdoi ai, që me sa duket mendon të kthehet në Celebrity brenda një nate. “‘Risi Albania’ kërkon rolin e fortë të medias, në lehtësimin, nxitjen dhe bashkinvestimin në punësimin e të rinjve shqiptarë. Dhe kthimi i investimit është ngritja e një biznesi fitimprurës për median, përmes ofrimit të informacionit mbi tregun e punës”, deklaroi Edlira Muedini, drejtuese e “Risi Albania”. Pjesëmarrja në punësim është më e lartë në Tiranë dhe zona të tjera urbane dhe më e ulët në zonat rurale. Pak kohë më parë, INSTAT solli disa përfundime, ku në këtë këndvështrim rajonal pjesëmarrja në punësim e të rinjve është më e lartë në rajonin Tiranë-Durrës dhe më e ulët në qarqet Juglindore të vendit. Por duket se niveli i arsimit është ai që ka një lidhje të drejtpërdrejtë me punësimin. Të rinjtë me arsim pasuniversitar kanë nivelin më të lartë të të punësuarve nëse krahasimin e bëjmë duke u mbështetur te niveli i arsimit. E diskutueshme ligsht, mbetet që të rinjtë shqiptarë janë thellësisht pesimistë për sa u përket mundësive të punësimit për të ardhmen, nënvizoi një nga ekspertët më të njohur të medias shqiptare, L. Dervishi gjatë konferencës. Ata besojnë më shumë te njohjet dhe miqtë sesa faktorë të tjerë që mund t’i ndihmojnë në gjetjen e punës. Nga pikëpamja sociale, Shqipëria vazhdon të jetë një vend patriarkal, ku mbizotërojnë norma morale relativisht konservatore. Shqiptarët janë banorë të zonës mesdhetare dhe me një temperament tipik ballkanik, ku familja dhe miqtë janë forca kryesore e individit, po aq sa dhe aftësia e tij për t’u përshtatur dhe për të mbijetuar në shoqëri. Me rritjen e moshës mes tyre vihet re një rritje e vlerësimit për njohjet dhe miqtë si dhe lidhjet politike dhe një rënie e besimit tek aftësitë profesionale dhe niveli i arsimimit. Arsimi dhe punësimi mbeten dy elemente kryesore të jetës së tyre. Por duhet të bëjmë ende kujdes, investimi i madh dhe i qëndrueshëm i të rinjve në arsim si në nivelin arsimor, kohën që shpenzojnë për të mësuar por dhe në rezultatet e arritura nuk shndërrohen gjithmonë në punësim më të mirë apo pjesëmarrje në jetën publike. Nga ana tjetër, të rinjtë shqiptarë e konsiderojnë punësimin si një problem shqetësues, që ka kosto jo vetëm për ta, por për të gjithë shoqërinë. Megjithëse është shtuar numri i të rinjve që ndjekin universitetet publike dhe jopublike, arsimi profesional mbetet një alternativë e rëndësishme për të rinjtë, i cili vuan nga mungesa e reformimit dhe financimit. Arsimi profesional me perspektivë është sot gangrena që s’po i lë prindërit të binden se kjo shoqëri po “vjell” çdo ditë doktorët e panumërt, juristët e dobët, noterët e kthyer në punëtorë fotokopjesh çdo 20 metra, farmacistët që pinë duhan brenda në farmaci teksa të shërbejnë paracetamolin apo dhe avokatët e gjyqtarët me një gjak të korruptuar deri në neveri që shkon tej dhimbjes. Sot duhet të ndërrojë timoni, në mos me një kthesë të papritur 180 gradëshe, të paktën drejt një ere tjetër që koha e kërkon. Politika e arsimit dhe e formimit nga kopshti deri në shkollë të lartë ka vuajtur nga probleme të ndryshme. Këto probleme janë edhe përgjegjëse për zhvillimin e cunguar të arsimit dhe formimit kur është fjala për vlefshmërinë profesionale të tyre. Kopshtet, shkollat dhe mediat duhet të ndërlidhen së bashku për të treguar më shumë se sa mirë është të recitosh vjershën e yllkave shembullore të një brezi tjetër, ku i këndohej “kominosheve blu” të babit minator apo xhaxhi inxhinierit që gërmonte për naftë në gropat e Ballshit. Se sa të mira do t’i vinin Shqipërisë pas kësaj, në rrafshin social–ekonomik dhe politik, pavarësisht orëve të gjata të edukimit dhe viteve të tëra dëgjese dhe indulgjence, pas dy dekadash e pak tranzicioni e minimi vlerash e meritash. Një bashkëpunim më i ngushtë ndërmjet shkollave profesionale dhe kompanive të biznesit do të duhej të cikte pikën e fillesës së një Shqipërie tjetër, ku të rinjve t’u jepej mundësia të njihnin botën e punës qysh gjatë kohës së arsimimit, në mënyrë që të përgatiteshin më mirë për tregun, një tjetër sfidë kjo që duhet të ndërmerret në këtë erë të re ngritjeje të Shqipërisë, ku të rinjtë të mos kenë më një vëmendje të dukshme ndaj punësimit në administratën publike, duke treguar nëpërmjet kësaj dobësie, hapur se arsimimi i tyre nuk është i lidhur në mënyrë të mjaftueshme me krijimin e aftësive sipërmarrëse. Identifikimi dhe ripërkufizimi në kushtet moderne i profesioneve më të rëndësishme dhe të domosdoshme në sektorët kyçë me perspektivë të ekonomisë shqiptare, hartimi në bashkëpunim i përmbajtjeve të kualifikimeve dhe kurrikulave për kualifikim profesional të integruar në shkollë dhe në praktikë, janë imediate dhe të pazëvendësueshme. Anketime e ndryshme dëshmojnë se të rinjtë, dhe po ashtu prindërit e tyre, nuk kanë thuajse fare informacion se ç’mundësi dhe rrugë profesionale mund të jenë të përshtatshme dhe me perspektivë për ta. Informacionet rreth nevojave të biznesit janë thuajse fare të panjohura dhe thuajse nuk komunikohen fare publikisht. Pikërisht për këtë është i domosdoshëm bashkëpunimi ndërmjet biznesit privat dhe politikës shtetërore të tregut të punës, në interes dypalësh. Ndaj dhe apeli i sotëm i Shqipërisë është “Ekonomia e Shqipërisë ka nevojë për punonjës të kualifikuar!”

Na duhet një bashkëpunim mes autoriteteve publike dhe sipërmarrësve, tashmë me një aktor të ri tjetër në mes, siç është MEDIA. E në mënyrë që të përdoren këto potenciale nevojiten punonjës me shprehi dhe kualifikim të mirë në të gjitha nivelet e prodhimit, shërbimit dhe administrimit. Shprehi më të mira në të gjitha profesionet! T’i japim rinisë një perspektivë! Të rinjtë shqiptarë me shprehi, kompetenca dhe kreativitet të lartë, janë një potencial i shkëlqyer për të ardhmen e vendit. Kompanitë mund të jenë konkurruese në tregjet ndërkombëtare, nëse punonjësit e tyre janë të aftë të prodhojnë produkte dhe shërbime me kualitet të lartë. Një ekonomi e suksesshme mund të arrihet vetëm nëpërmjet integrimit të trajnimit profesional në të gjitha nivelet. Mbështetësit e këtij apeli janë të bindur se ekonomia shqiptare do të rritet nëpërmjet forcës së kualifikuar të punës dhe do të jetë kompetente në sektorë të ndryshëm në rajon dhe si rezultat, do të jetë një anëtar i denjë i Bashkimit Europian.

MONIKA SHOSHORI STAFA

Leave a Reply

Your email address will not be published.