Libri

Langston Hughes: Të shkruash për errësirën

“Lëre shiun të të puthë … e të bjerë lehtë mbi ty.” Langston Hughes shkruan kështu në një poezi të vitit 1930. Një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë amerikane, Hughes e pa të shkruarin si një proces ku mund të ngjallte të shkuarën e tij. Ai lindi më 1 shkurt të vitit 1902, në Xhoplin, Misuri. Për shkak të ndarjes së prindërve, ai u rrit nga gjyshja e tij deri në moshën trembëdhjetëvjeçare, kur shkoi në Linkoln, Ilinois, për të jetuar me nënën e tij, para se të vendoseshin në Klivlend, Ohio. Pikërisht në Linkoln, Hughes filloi të shkruante poezi. Pas shkollës së mesme, kaloi një vit në Meksikë tek i ati dhe një vit në Universitetin Columbia në Nju Jork, ku bëri punë nga më të rëndomtat. Udhëtoi si detar në shumë vende të Afrikës dhe Europës. Në nëntor të vitit 1924 shkoi në Uashington. Libri i tij i parë me poezi The Weary Blues, u botua në vitin 1926. Tre vjet më vonë u arsimua në Universitetin Lincoln në Pensilvania. Në vitin 1930, novela e tij e parë Not Without Laughter, fitoi medaljen e artë “Harmon” në letërsi. Hughes shprehej se ishte ndikuar shumë nga shkrimtarë si Paul Lawrence Dunbar, Carl Sandburgdhe Walt Whitman. Ai u dallua veçanërisht për portretizimin plot ngjyra, të thellë të jetës së afro-amerikanëve në Amerikë nga vitet njëzet në ato gjashtëdhjetë. Shkroi romanë, tregime, drama, poezi dhe njihet për angazhimin në botën e xhazit dhe ndikimin që pati mbi shkrimet e tij. Jeta dhe vepra e tij patën një rëndësi shumë të madhe në formimin e kontributit artistik të lëvizjes Harlem Renaissance. Hughes mund të quhet si një nga përfaqësuesit kryesor të kësaj lëvizjeje. Ndryshe nga poetë të tjerë afro-amerikanë të kësaj periudhe, si Claude McKay, Jean Toomer dhe Countee Cullen, Hughes nuk pranoi të bënte dallimin ndërmjet përvojës vetjake dhe asaj të përbashkët të Amerikës së zezë. Ai donte të tregonte historitë e popullit të tij në mënyra që pasqyronin kulturën e tyre, përfshirë edhe vuajtjen dhe dashurinë e tyre për muzikën, të qeshurën dhe vetë gjuhën. Kritiku Donald Gibson, në hyrjen e librit Poetët modernë afro-amerikanë: Një koleksion esesh kritike, vëren se Hughes ‘ndryshonte nga paraardhësit e tij mes poetëve afro-amerikanë … sepse ia kushtoi poezinë e tij popullit të vet. Gjatë viteve njëzetë, kur shumë poetë amerikanë iu drejtuan brendisë, duke shkruar një poezi të errët, ezoterike, duke sjellë uljen e numrit të lexuesve, Hughes përdorte gjuhë dhe tema, qëndrime dhe ide të njohura për cilindo që të paktën mund të lexonte … Derisa ndërroi jetë, ai shpërndau mesazhe humori, por me seriozitetin më të madh, në të gjithë vendin dhe poezitë e tij u bënë nga më të lexuarat’. Langston Hughes vdiq më 22 maj, 1967, në Nju Jork. Në përkujtim të tij, banesa e tij në 20 East 127th Street në Harlem ka një status të veçantë ruajtjeje dhe rruga është riemërtuar ‘Langston Hughes Place.’ Përveç një vepre të larmishme poetike, ai ka lënë edhe njëmbëdhjetë pjesë teatrale dhe vepra të shumta në prozë. Antologjitë e tij Poezia e Negros dhe Libri i Folklorit të Negros janë pritur mirë nga kritika. Por, Langston Hughes do të kujtohet gjithnjë dhe si shpirti i një lëvizjeje siç ishte ajo Harlem Rennaissance. Kultura e sotme amerikane është një nga më komplekset dhe më të pasurat. Në të kanë lënë gjurmë kultura të shumta, si ajo e vendeve europiane, aziatike, vendase dhe në veçanti ajo afrikane. Anijet e panumërta kapërcyen oqeanin me mijëra herë duke transportuar skllevër të marrë nga kontinenti i zi. Plantacionet e mbushura me burra e gra, por edhe fëmijë, lulëzonin në sajë të punës së tyre të palodhur dhe të pashpërblyer. Bashkë me praninë e tyre të pazëvendësueshme për kolonizatorët e bardhë, skllevërit morën me vete edhe kulturën e tyre si tregimet, legjendat, këngët, vallet, ritmet e të cilave duke filluar me rrymat xhaz e bluz, ndikuan rrënjësisht në muzikën moderne duke krijuar një larmi zhanresh. Në vitet pas Luftës së Parë Botërore, një numër i madh afro-amerikanësh u larguan nga jugu agrar dhe migruan në veriun e zhvilluar ekonomikisht dhe industrialisht. Në qytete si Çikago, Uashington dhe Nju Jork, të sapoemigruarit kërkuan dhe gjetën mundësi të reja qoftë ekonomike, qoftë artistike. Afro-amerikanët u nxitën të përkujtonin trashëgiminë e tyre dhe të bëheshin ‘Negro i Ri’, një term i krijuar në librin me të njëjtin titull të shkruar në vitin 1925 nga sociologu dhe kritiku Alain LeRoy. Të shumtë qenë intelektualët e kësaj rryme që nxori figura të shquara për kulturën amerikane dhe trashëgiminë e afro-amerikanëve, e cila pati ndikimin e saj edhe më vonë. Këta artistë dhe letrarë i kënduan shpirtit të lirë. Hughes nuk ishte përfaqësuesi i vetëm i kësaj rryme. Coutee Cullen në veprat e tij pasqyroi gjerësisht meditimin për identitetin afro-amerikan. Disa nga poemat e tij shtrojnë çështjen e mirësisë së një krijuesi, i cili i ka dhënë kësaj race bekime të shumta. Claude McKay, lindur dhe rritur në Xhamajka, shkroi për nostalgjinë e imigrantëve dhe krenarinë e tërbimin e ‘zezakut’. Jean Eugen Toomer mbetet ende një mister. Edhe pse u shfaq në skenën e kësaj lëvizjeje për një kohë shumë të shkurtër, u bë një nga pararojat simboliste të brezit të vet. Në vitet tridhjetë, Sterling Brown, për shumë vjet si profesor në Universitetin Howard, u shfaq me poema të gëzueshme, por ku shpesh nuk munguan edhe tonet e zymta. Poezitë e tij u shkruan në një anglishte standarde, shkrirë me atë të të folurës së afro-amerikanëve dhe formave europiane. Në shumë prej krijimeve të tij, burra dhe gra të forta i bëjnë ballë shtypjes raciste, varfërisë dhe fatit. Trashëgimia e kësaj lëvizjeje hapi dyert dhe ndikoi thellësisht në brezat e mëvonshëm të shkrimtarëve afro-amerikanë, përfshirë edhe Robert Hayden dhe Gwendolyn Brooks. Gjatë viteve dyzet, pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetë, Hayden dha mësim në universitete me emër si Fisk dhe Miçigan dhe për dy mandate shërbeu si konsulent i poezisë në Librarinë e Kongresit. Pas publikimit në vitin 1945 të librit të saj të parë, Një rrugë në Bronzvil, Brooks kombinoi jetën e qetë me sukses kritik. Në vitin 1950, libri i saj i dytë, Annie Allen, fitoi çmimin “Pulitzer”, i pari libër nga një poet afro-amerikan që u bë kaq popullor. Brooks kishte një teknikë të jashtëzakonshme, me poema që për herë të parë eksploronin jetën e brendshme të afro-amerikanëve.

Poezi nga Langston Hughes

Negro flet për lumenjtë

Kam njohur lumenj

kam njohur lumenj të lashtë sa bota dhe më të vjetër

se gjaku që rrjedh në dejet e njeriut.

Shpirti im është bërë i thellë si lumenjtë.

Jam kredhur në Eufrat kur agimet ishin ende në djep.

Kasollen që ngrita buzë Kongos më këndoi ninulla për të fjetur gjumë.

Hodha sytë mbi Nil dhe ngrita piramidat.

Këngën e Misisipit e dëgjova kur Linkoln

shkoi në Nju Orleans, dhe nën perëndimin e diellit

kam parë gjirin e tij të baltosur të shndërrohet i tëri në ar.

Kam njohur lumenj:

Lumenj të lashtë, të errët.

Shpirti im është bërë i thellë si lumenjtë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button