Home / Politika / Mustafaj: Kjo është një sjellje prej fitimtari serioz

Mustafaj: Kjo është një sjellje prej fitimtari serioz

mustafajStudiues të politikës dhe shoqërisë shqiptare po japin komentet e para mbi mesazhet e zgjedhjeve vendore. Ata pohojnë se rezultatet e zgjedhjeve dhanë meazhe të mencura dhe duhen lexuar drejt nga partitë politike. Shkrimtari Besnik Mustafaj, ish-ministër i jashtëm dhe një nga themeluesit e PD, thotë se fushata ishte e qetë dhe e kulturuar në nivelin e kandidatëve, por nuk ishte e tillë në nivelet e larta të politikanëve. Kryetarët e partive dëmtuan fushatën duke i mbizotëruar ato dhe duke treguar papjekurinë e tyre. Ndërsa në departamentin e shkencave politike, Fakulteti i shkencave sociale, studiuesi Blendi Çeka i Universitetit të Tiranës, thotë se nga rezultatet e deritanishme del se qytetarët janë shprehur shumë ndryshe nga sa kanë menduar partitë politike; qytetarët bënë si deshën me votat e tyre, duke treguar se pushtetin e kanë njerëzit e thjeshtë dhe po i dëgjojnë partitë përherë e më pak.

Ndërkaq në radhët e Partisë Demokratike kanë nisur zërat kritikë ndaj kryetarit Lulzim Basha. Zoti Mustafaj thotë se kjo është normale në një parti demokratike. “Zoti Basha duhet të merret tani më shumë me partinë dhe të kryejë ristrukturimin e partisë, që nuk e ka përfunduar ende qysh pas humbjes së thellë 2013” – tha ai.

Ndërsa nga ana e qeverisë ekziston rreziku i abuzimit me një pushtet kaq të gjerë. Por çfarë do të ndodhë tani me ato pak bashki ku fitoi opozita, sepse qeveria ka bërë të ditur se mund të bashkëpunojë më mirë me bashkiakët e saj. Profesor Çeka thotë se është e papranueshme që qasja se shërbime dhe investime do të marrin vetëm ato bashkitë e ngjashme me qeverinë. “Përkundrazi, bashkitë janë të gjitha njëlloj dhe bashkitë demokrate duhet ta vënë në provë qeverinë me sa më shumë projekte zhvillimi dhe investimesh” – tha ai. Reforma administrative territoriale ishte një tjetër sfidë për partitë dhe kandidatët. Zonat dhe bashkitë ndryshuan mjaft. Analistët mendojnë se ky ndyshim i madh i zonave të larmishme i gjeti të papërgatitur kandidatët dhe platformat e tyre nuk ishin të qarta. Këtë boshllëk të mospërgatitjes së kandidatëve, thonë ata e mbushën kryetarët me fjalime të përgjithshme politike.

Intervistë me shkrimtarin Besnik Mustafaj dhënë për “Zëri i Amerikës”.

Zoti Mustafaj! Cili është mendimi juaj i parë rreth zgjedhjeve vendore dhe rezultateve të tyre?

Si demokrat i vjetër është një ndjenjë e hidhur për arësye të përmasave të fitores së të majtës. Por si qytetar i këtij vendi ndjehem më mirë se në zgjedhjet e mëparshme. Fushata në nivelin e qytetit dhe të kandidatëve qe një fushatë serioze dhe e qetë, që shënoi hapa të reja në dialogun politik midis kundërshtarëve, pavarësisht se për drejtuesve të partive nuk qe e tillë.

Si e pritët faktin që ndërsa zgjedhjet mbaheshin për pushtet vendor, kryetarët e partive u përfshinë shumë në fushatë?

Për mua ishte shenjë e papjekurisë së lidershipit dhe një dëm që ata i bënë fushatës. Të dy e spostuan dhe e kthyen në një test politik për veten e tyre, duke bërë kështu një gabim për veten e tyre. Për mendimin tim, Edi Rama bëri një fushatë shumë të keqe, sepse e para e quajti kauzë personale dhe e dyta e përdori pushtetin e tij për shantazh. Thëniet e tij të përsëritura gjatë fushatës së kush nuk voton për kandidattin e majtë nuk do të ketë ujë e drita është antidemokratike, është e rrezikshme si ligjëratë publike dhe është një diçka që duhet t’i bëjë shqiptarët të mendojnë. Basha gjithashtu e bëri kauzë personale duke folur për një “projekti Basha”. Ç‘është ky? Nuk ka projekt Basha ende në nivelin e zgjedhjeve lokale. Edhe Basha bëri një gabim, sepse si do ta faturojë tani këtë humbje të Partisë Demokratike dhe e djathta në tërësi? Të dy e dëmtuan fushatën, por nga ana tjetër pati kandidatë shumë të mirë dhe këtu do të veçoja Halim Kosovën.

Ju pyetët si do të faturohet humbja në Partinë Demokratike. Ndërkohë po dëgjohen zëra kritikë ndaj kryetarit Basha?

Ka vend për zëra kritikë ndaj kryetarit. Ai duhet të kuptojë tashmë se ristrukturimin e partisë nuk e ka bërë ende, siç do të duhej ta kishte bërë gjatë dy vjetëve. Tani do të ketë gjithë kohën për t’iu kushtuar partisë siç ka thënë. Pra, ringritja e partisë nga humbja e thellë e 2013 nuk është bërë. Zoti Basha duhet të përcaktojë qartë profiin e liderit që dëshiron të jetë: a do të jetë një profil lideri siç e kanë shumica e partive popullore europiane. Partitë e qendrës së djathtë janë zakonisht parti me lider të fortë në qendër, si për shëmbull; partia e Merkelit, e Sarkozisë, e Berluskonit etj. Për të bërë një parti me lider ai duhet të tregojë së pari se është lider dhe të vendosë një dialog të drejtpërdrejt me të gjithë militantët, të shkojë tek ata dhe nuk ka nevojë të bëjë vetëm mitingje dhe televizion. Nuk janë kurrë militantët e partisë njerëz që mjaftohen me fjalime përmes televizionit për të njohur liderin. Ose të zgjedhë nëse do të jetë një parti institucionale e strukturuar në të gjitha nivelet. Atëherë strukturat bëhen vendim-marrëse. Ai i merr vendimet si lider partie dhe nuk nuk sillet si parti me lider. Kjo fushatë dhe rezultatet tregojnë se ai në radhë të parë duhet të fitojë besimin e militantëve të partisë, që ai nuk e ka fituar ende. Pra, duhet të fillojë një dinamikë tjetër brenda Partisë Demokratike. Unë shpresoj se ai do të ketë pjekurinë t’i lexojë mirë këto rezultate.

A mendoni se shpirti demokratik i qytetarëve u shpreh në këto votime?

Pa asnjë diskutim. Partia demokratike ka humbur në disa njësi vendore të administruara deri dje nga komunarë demokratë. Kjo do të thotë se ajo ka administruar keq. Por , nga ana tjetër Partia demokratike ka fituar në disa bastione socialiste në jug dhe në veri. Pra, unë besoj se gjatë këtyre zgjedhjeve qytetarët dhanë shenja serioziteti kundrejt të dy partive të mëdha, por veçanërisht ndaj Partisë Socialiste dhe të majtës në përgjithësi.

Disa analistë e shohin me shqetësim tani fitoren e madhe të Partisë Socialiste. A ekziston rreziku i abuzimit të tyre me një pushtet kaq të gjerë?

Së pari fitorja e tyre është një fitore demokratike. është një fitore e dhënë nga sovrani. Rrezikun e abuzimit e parandjej edhe unë. Ky rrezik lidhet me profilin e kryetarit socialist. Edi rama është një person egocentrist, i cili do një përqëndrim sa më të madh të pushteteve në duart e tij dhe nga fillimi i jetës së tij politike dhe deri tani nuk ka dhënë provat se është një demokrat i vërtetë. Kërkohet një vigjilencë e gjithë shoqërisë, kërkohet vigjilencë e komunitetit ndërkombëtar për t’i treguar disa kufij që ai nuk mund t’i shkelë sepse është i zgjedhur në mënyrë demokratike.

Në këto zgjedhje hmbën shumë kandidatë që janë personalitete në komunitetet qytetare, dhe bashkë me ta duket sikur humbi qytetaria përballë politikës. Si e shihni këtë zhvillim, pra kandidatët partiakë përballë atyre qytetarë?

Në dasëm nuk shahet dhëndri, thotë populli. Ata që fituan nuk do të bëj analizë për ta. Atyre iu uroj gjithë fitimtarëve ta kryejnë me nder atë detyrë. Unë do të veçoja Halim Kosovën, Ardian Turkun, Gjergj Meron, doktorin e Gjirokastrës etj. Ishin kandidatë dinjitozë për detyrat që konkurruan. Ata shënuan një cilësi të re në politikën shqiptare. Ata sollën dialogun politik në nivel lokal. U bë gjithçka që ata t’i futnin nëpër replika politike. Halim Kosova është i pari që tha “unë punoj me Edi Ramën, po të fitoj”. E dyta ai nuk e shau kurrë rivalin e tij, por tha “Vetëm Punë e jo Fjalë”. Fjalimin e Erjon Velisë dua ta vlerësoj me këtë rast. Ai tha se me Halim Kosovën më shumë gjëra na bashkojnë se sa na ndajnë, dhe e vlerëosi rolin e tij në fushatë. Kjo është një sjellje prej fitimtari serioz. E dyta, tha: Nuk kemi ardhur si pushues në Tiranë. Shpresojmë se ai do të dijë ta mbajë atë fjalë që tha, por parashtrimi publik i asaj që premtoi të kryejë meriton respekt.

Leave a Reply

%d bloggers like this: