Politika

Basha njeh PPE-në me shqetësimet e opozitës për zgjedhjet

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori pjesë në takimin e Partive Popullore Europiane, i cili i paraprin, si zakonisht, samitit europian të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.

“Në bisedimet e mia tema dominuese ishin zgjedhjet në Shqipëri. Bashkëbiseduesit, krerët e qeverive dhe partive popullore të Bashkimit Europian, kanë ndarë shqetësimin e thellë për dhunimin e standarteve zgjedhore, siç u konstatua dhe nga raporti paraprak i OSBE/ODIHR dhe i pêrfaqësuesve të Këshillit të Europës  dhe ambasadave të huaja në Tiranë”, tha Basha.

Kreu i opozitës numëroi shqetësimet e tij për zgjedhjet dhe deklaroi se ‘rezutati i prishur’ i tyre nuk do të njihet zyrtarisht nga Selia Blu.

“Raste të mirëdokumentuara nga opozita, nga PD, të bëra të njohura dhe institucioneve ndërkombëtare, ndonëse jo gjithmonë medias për shkak se ne nuk donim t’intimidonim zgjedhësit tanë, e megjithatë, pavarësisht këtyre rrethanave, pavarësisht këtij presioni të jashtëzakonshëm, opozita shqiptare, PD ia ka dalë me rezultatin formal, që sigurisht është shumë më i ulët se ç’do të ishte rezultati real pa këto presione, pa këtë makineri presioni shit-blerje të votës, angazhimit të krimit, ia ka dalë të rrisë mbështetjen e saj, ndërkohë që mbështetja për qeverinë dukshëm ka rënë, siç tregojnë dhe shifrat e publikuara nga KQZ në votimet për kandidatët”, deklaroi kreu i PD.

Basha ripërsëriti kritikat ndaj procesit dhe ndaj dy krerëve të mazhorancës, Rama dhe Meta.

“Nuk ka asnjë mundësi që ne të njohim abuzimin e jashtëzakonshëm të bërë në këto zgjedhje përmes përdorimit të kontigjentit kriminal, përdorimit të parave, kapjes së institucioneve, intimidimit të votuesve, përdorimit të administratës publike. Do të ishte tradhti e madhe për qytetarët shqiptarë, për demokracinë shqiptare që ne të mbyllnim sytë përpara këtij realiteti. Ndaj beteja jonë do të jetë pikërisht për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore dhe politike ata që guxuan të shkelin mbi vullnetin e lirë të zgjedhësve shqiptarë dhe të shkelmojnë standardet demokratike. Sigurisht, dyshja Rama-Meta është arkitektja e shkatërrimit të standardeve demokratike dhe Partia Demokratike bashkë me opozitën, bashkë me qytetarët e lirë shqiptarë do të jetë në një betejë pa kthim për ta vënë këtë dyshe përpara përgjegjësisë që i takon. Jam i bindur që në këtë betejë kemi mbështetjen e plotë të institucioneve ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Partia Demokratike është sjellë si një parti që respekton shtetin ligjor,që respekton kornizën institucionale të vendit, ka kryer detyrat e saj para ligjit, vazhdon t’i kryejë edhe në këtë moment që flasim, por kjo nuk na pengon dhe nuk do të na pengojë kurrë që të luftojmë, siç e thashë, me çdo çmim për të mbrojtur demokracinë shqiptare, që kalon domosdoshmërisht  përmes rikthimit të standardeve që u fshinë me zgjedhjet e 21 qershorit”, deklaroi Basha.

Kreu i të djathtës shqiptare mundi të bindë lehtësisht kreun e Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian, Elmar Brok, anëtar i së njëjtës familje politike, i cili, “i zhgënjyer nga zgjedhjet” deklaroi se do të informojë eurodeputetët e Komitetit që drejton, duke shfrytëzuar hapësirën që i lejon e drejta e kryesimit të seancës për lajmërime të ndryshme.

“Unë mendoj se raport raporti paraprak i ODIHR-it është i jashtëzakonshëm. Nëse gjysma e atyre që shkruhen aty janë të vërteta, atëherë mund të themi se pati një falsifikim madhor të këtyre zgjedhjeve dhe unë do ta përfshij këtë raport të hënën para Komitetit të Jashtëm. Në Komitetin e Jashtëm do të jap informacionin ndaj anëtarëve dhe të shohim sesi do të shkojë, sepse ka shumë manipulim të zgjedhjeve. Unë jam shumë i shqetësuar, por pavarësisht kësaj, partia e Edi Ramës humbi 20 % të votave. Kjo është drejtësi”, deklaroi Brok.

Por, Komisioneri për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, edhe pse pjesë e së njëjtës familje partiake, nuk u shfaq dhe aq i bindur teksa largohej nga ndërtesa e PPE-së, ku ai pranoi se ishte takuar me kryedemokratin Basha, por gjithësesi do të priste për raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR përpara se të komentonte për zgjedhjet lokale.

“Unë do të pres për raportin përfundimtar të ODIHRit dhe më pas unë, apo ne do të bëjmë vlerësimet tona. Deri atëherë, nuk dua të bëj asnjë koment”, tha Hahn.

Burime pranë zyrës së Hahn rrëfyen për Top Channe se gjatë takimit në kuadër të PPE-së, Basha nuk ka folur për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor, por “për parregullësitë që mbeten të trajtohen në të ardhmen”, ndërsa dekriminalizimi konsiderohet një “mundësi e humbur” me këto zgjedhje.

Basha tregoi se në tryezën e PPE-së, shumë liderë europianë shprehën shqetësimin për emigrantët në përgjithësi dhe azilkërkuesit nga Ballkani,veçanërisht, kjo nisur dhe nga kërkesa e kryeministrit hungarez Orban për mbajtjen e një samiti europian mbi këtë çështje në Budapest.

Në deklaratën përfundimtare të PPE-së për këtë çështje, shprehet nevoja për “dallim mes azilkërkuesëve dhe emigrantëve”, si dhe forcim të  “politikës së riatdhesimit”. Në të bëhet thirrje për sjellje konstruktive ndaj kryeministrit grek Tsipras, si një ndër temat kryesore të samitit europian gjithashtu, ndërkohë që në një tjetër deklaratë të posaçme, PPE, së bashku me grupin europarlamentar shprehet mbi përkeqësimin e situatës politike në Venezuelë.

Përgatiti Arta Tozaj

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button